Reportazh/ Në terr e 40 gradë, gardianët e Teatrit: Derisa Qeveria të tërhiqet!

E mërkurë, 14 August 2019 21:43

ANILA DEDAJ/ Nata ka kaluar mes bisedash të gjata për artin, kulturën e aktualitetin. Gjatë orëve të pagjuma, dikush i ulur në karrige e të tjerë nëpër stolat e vjetër, si shqetësim kryesor kanë Teatrin Kombëtar dhe atë Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Pas përplasjes me Policinë në 24 korrik, të dyja godinat kanë mbrojtje. E pranojnë se t’i menaxhosh nuk është e lehtë, megjithatë thonë se janë munduar që të përmirësojnë situatën. E, në fakt, ndryshimi ndihet. Rreth orës 7 të mëngjesit, bëhet edhe ndërrimi i turneve. Aktori Neritan Liçaj, pedagogu e gazetari Ervin Goci, Gentian Gaba, Ergys Mertiri, e të tjerë qytetarë i lënë vendin gardianëve të radhës. Mes tyre është edhe Esmeralda Çaça, një qytetare e komunitetit mysliman, e cila është kujdesur vazhdimisht të mbështesë qëndrestarët e Teatrit me prezencën e saj, si dhe duke u sjellë ushqime herë pas here. Ka jetuar për disa vite në Gjermani dhe aktualisht jep mësim pranë një qendre gjuhësh të huaja. “Kur ndodhesha në Mynih për arsye studimore, mësova se njerëzit atje ishin tejet të ndjeshëm dhe të angazhuar në tematika të ndryshme dhe kauza sociale. Thuajse çdo njeri kishte gjetur vendin e tij në rrethin social përkatës, nga ku ngrinin shqetësimet e tyre për çështje të ndryshme social-kulturore dhe politike. Fatkeqësisht te ne ende nuk është ndërtuar një mendësi e tillë. Njerëzit shikojnë gjithmonë përfitimin material për t’iu bashkuar një kauze të caktuar”, tregon ajo. Duke e konsideruar shoqërinë shqiptare si viktimë të politikanëve që e udhëheqin, Esmeralda thotë se duhet të ketë më shumë sensibilizim të qytetarëve për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre.

67823629_484938545398843_538749844227883008_n

Sensibilizimi duhet për ato kauza që ndihmojnë për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, ndaj gjatë orëve të para të paradites, nuk lihet mënjanë kujdesi për teatrot. Qëndrestarët hapin dritaret për ajrosje e bëjnë ndonjë rregullim të mundshëm. Edi Dingu, specialist i teknikës skenike e njëherazi inxhinier, sillet në ambientet e Teatrit Kombëtar, duke bërë përpjekje për ndonjë përmirësim, apo edhe për ta pasur situatën nën vëzhgim. Rreth orës 10, kur dielli i gushtit s’ia përton të nxehtit e pishina është thuajse e zbrazur, aktori dhe ish-punonjësi i Teatrit Kombëtar, Xhovalin Gjoka, i biri i Pjetër Gjokës, ka zënë vend pranë “Eksperimentalit”, për të dhënë kontributin e vet në ruajtje të godinave. Pranë tij, krahas disa qytetarëve të tjerë, gjenden edhe arkitekti Astrit Seranaj e ishministrja, Mirela Karabina. Një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama, gjatë një interviste për Euronews, e bëri të qartë se nuk do të tërhiqet nga vendimi për të shembur Teatrin, me të plotësuar edhe kushtin e Komisionit Europian, për t’u përmbyllur gara. Arkitekti Seranaj, sapo përmendet ky fakt, përgjigjet prerazi: “Përse mendimi i Kryeministrit vlen më shumë se imi dhe kolegëve të mi?

68459599_484309665461731_4022743927953031168_n

A nuk duhet të pyeten në një rast si ky, profesionistët? Cilët janë ata që e mbështesin e ata që kundërshtojnë Ramën?”, thotë ai, ndërkohë që përmend të gjithë specialistët kombëtarë e ndërkombëtarë që kanë kundërshtuar shembjen. Arkitekti sjell në vëmendje qëndrimin e Shoqatës së Arkitektëve, atë të Forumit të Trashëgimisë, të “DOCOMOMO international”, “Europa Nostra-s” etj. “Jemi dhe 78 arkitektë që kemi firmosur për ruajtjen e Teatrit, ndërkohë që Kryeministri publikon dëshirën e një apo më shumë aktorësh për shembjen. Kjo është një tallje jo vetëm me institucionin, por me të gjithë ne”, thotë Seranaj. Diskutimet, që kanë në fokus fatin e Teatrit, angazhimin e mediave, ndërpriten herë pas here nga vizita të artistëve, gazetarëve apo qytetarëve të tjerë, që krahas turneve të përcaktuara, vinë edhe gjatë orëve të tjera të ditës, për ta bërë mbrojtjen më të sigurt.

Adriana Tolka, Edon Luarasi, Edmond Budina, Robert Budina, Kastriot Çipi, Neritan Liçaj etj., në oborrin e teatrove gjen gjithmonë një fytyrë të njohur. Edhe në mesditë, kur temperaturat arrijnë kulmin, deri në 40 gradë, e caktohen të rrinë së paku 5- 6 veta në ruajtje të godinës, në agore numri i qytetarëve është gjithmonë më shumë. Qytetarët afrohen në shenjë solidarizimi, përshëndesin e bisedojnë me “rojtarët” e Teatrit. Një zonjë që jeton aty pranë, zgjedh t’i freskojë duke i qerasur me një akullore. Kauza e përbashkët, në mënyrë të natyrshme, duket se evidenton pjesën më të mirë të qytetarisë e humanizmit. Edhe biblioteka e improvizuar në derën anësore të “Eksperimentalit” shërben si shoqëruese e orëve të gjata.

Pranë saj është vendosur një tryezë ku gardianët mund të ushqehen, pasi siç tregojnë, shkëputja nga “misioni” mund të jetë me rrezik. Orët më entuziaste janë padyshim ato të mbrëmjes, ku ndërsa mbahet protesta e përditshme, numri i qytetarëve është më i madh. Prej fillimit të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit, siç rrëfen Liçaj, qytetarët po afrohen gjithnjë e më shumë.

Kështu, këtë të enjte në orën 20:00, këngëtari dhe instrumentisti Gjergj Kaçinari do të mbajë në Teatrin Kombëtar një performancë akustike. Festivali siç regjisori Robert Budina tregon do të vijojë me të tjera shfaqje,jo vetëm me artistë shqiptarë, por edhe të huaj. Edhe pse të lodhur, siç thonë, nga rreziku që i kanoset këtij institucioni shtetëror, nga vetë shteti, ata janë të bindur ta vijojnë ruajtjen e Teatrit. Gjatë natës,qëndrojnë më të shumtë në numër, jo më pak se dhjetë, prej heqjes së germave, ata e dinë që për “shtetin kundërshtar” terri mund të jetë favorizues. Por deri kur do të vijojë kjo “lojë”? Artistët e qytetarët në këtë pikë duket se janë të një mendimi: Derisa qeveria të tërhiqet! Në çdo rast ne do të qëndrojmë, deri në fund!./ Panorama

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...