BIRN: Arta Marku e dërgoi në Dibër dosjen "184" pa asnjë akuzë të ngritur

E Enjte, 22 August 2019 18:31

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku sqaroi se urdhri i prokurorit të çështjes për të ndryshuar akuzën nga “grupi i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë” diktoi transferimin e dosjes 184, ndërkohë që zhvlerëson refuzimin e prokurorëve të Dibrës për shkak të konfliktit të interesit dhe mungesës së stafit.     

Përmes një njoftimi të mbushur me referenca ligjore, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi të enjten vendimin e kreut të saj, Arta Marku për të përcaktuar Prokurorinë e Dibrës dhe jo atë të Krimeve të Rënda si kompetente për hetimin e dosjes 184– me një rreth zyrtarësh të Partisë Socialiste  të dyshuar për krime zgjedhore.

Arsyeja kryesore sipas njoftimit, lidhet me vendimin e prokurorit Klodian Braho për të ndryshuar kualifikimin e veprës penale nga “grupi i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”; që sipas Prokurorisë së Përgjithshme përcaktoi edhe juridiksionin e dosjes jashtë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Vendimi për ndryshimin e veprës penale u mor më 12 korrik;  gati tre vjet pas regjistrimit të procedimit penal 184/2016 të regjistruar pas kallëzimit të Partisë Demokratike të datës 1 shtator 2016.

Njoftimi i shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme tregon njëherazi “rekordet” tre-vjeçare të Prokurorisë së Krimeve të Rënda me dosjen; ku janë transkriptuar më në fund të gjitha përgjimet e kryera, por nuk është ngritur akuzë për asnjërin prej personave nën hetim, si dhe rrezikun për përfundimin e saj në qorrsokak.

Më 15 korrik, dosja është nisur drejt Dibrës me dy kategori personash në hetim; ku të parët akuzohen për “Dhënie të shpërblimeve dhe premtimeve”, si dhe “Kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa të dytët me gjasë zyrtarë shtetërorë edhe për “shpërdorim detyre”.

Prokuroria e Dibrës ka refuzuar më 21 korrik të marrë në dorëzim dosjen, pasi prokurorët pretendojnë se janë në konflikt interesi me çështjen dhe se nuk kanë staf për ta përballuar atë. Ata kanë kërkuar ndërhyrjen e kryeprokurores Marku për ta kthyer çështjen te Krimet e Rënda, por shqetësimet e tyre janë konsideruar të pabazuara.

Në njoftim, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se Marku nuk ka kompetencë të shfuqizojë vendimet e prokurorit të çështjes, por si prokurori më i lartë, ka për detyrë të zgjidhë mosmarrëveshjet e juridiksionit në fazën e hetimit paraprak.

Përmes vendimit të marrë më 31 korrik, Marku argumenton se pretendimet për konflikt interesi apo mungesë stafi nuk mund të kenë ndikim në kompetencën lëndore dhe se mund të trajtohen në një fazë të mëvonshme.

“Nëse të gjithë prokurorët që ushtrojnë funksionin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër do e gjejnë veten në kushtet e konfliktit të interesit dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës dhe këtë do e shprehin me dorëheqje, kjo është një situatë që i duhet njoftuar menjëherë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili mund të caktojë përkohësisht një prokuror tjetër për hetimin e çështjes në fjalë,” ka argumentuar Marku.

Edhe argumenti tjetër i mungesës së kapaciteteve njerëzore është injoruar prej saj si “një problem burimesh njerëzore” që s’ka lidhje me kompetencën.

“Ky është një problem i burimeve njerëzore dhe mënyra se si ato menaxhohen dhe shpërndahen ka karakter administrativ dhe nuk mund të jetë argument në favor të mosushtrimit të ndjekjes penale apo të mungesës së kompetencës lëndore,” ka shtuar Prokurorja e Përgjithshme.

Në fund, kryeprokurorja Arta Marku vendos se kompetenca lëndore dhe tokësore nuk i takon Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por Prokurorisë së Dibrës.

“Kjo prokurori duhet të pranojë aktet dhe të regjistrojë procedimin penal,” përfundon njoftimi.

Përgjimet e publikuara nga BILD

Biseda 1: Kryeministri Edi Rama telefonon Arben Keshin për ta pyetur nëse është arritur objektivi me rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të Dibrës në shtator 2016. Keshi, i prezantuar nga BILD si drejtor në Ministrinë e Brendshme i thotë se “pritshmëritë janë të mëdha”.

Biseda 2: Deputeti socialist Artan Gaçi telefonon Arben Keshin dhe i tregon për lavdet që ka Rama për të, për rezultatin e arritur.

Biseda 3: Arben Keshi flet me një person të paidentifikuar me numrin 0685922860 për një person që nuk kishte rënë dakord për çmimin e votës.

Biseda 4: Arben Keshi shfaqet duke folur me një person tjetër të paidentifikuar që duket se është mësues dhe që flet për blerjen e katër votave të një familjeje për 20 mijë lekë.

Biseda 5: Keshi flet me dy persona të tjerë në lidhje me diskutimin nëse për disa votues janë paguar apo jo paratë për votën.

Biseda 6: Një person i paidentifikuar raporton te Keshi se një person që kishte refuzuar paratë në këmbim të votës më herët atë javë ka ndryshuar mendim.

Biseda 7: Arben Keshi flet me një person me emrin Drini Gjeci, drejtor në drejtorinë arsimore të Dibrës për t’i bërë presion mësuesve. Keshi i kërkon Gjecit t’i telefonojë drejtorëve të shkollave për t’i bërë të ditur se ata do të votojnë për socialistët ose do të pushohen nga puna.

Bisedat 8 dhe 9: Arben Keshi bisedon me Sali Skurrën, shef komisariati në Kamëz. Nga biseda mësohet se mbështetës të Partisë Demokratike janë bllokuar nga policia që të shkojnë në Dibër për të votuar.

Biseda 10: Keshi diskuton me ish-ministrin e Transporteve Damian Gjiknuri. Ky i fundit i bën me dije se do t’i dërgojë një furgon me “çuna problematikë” si masë paraprake.

Biseda 11: Deputeti socialist Pjerin Ndreu diskuton me drejtorin e arsimit të Dibrës që t’i bëjë presion mësuesve për të votuar për socialistët ose përndryshe do të pushohen nga puna. Ndreu është aktualisht kandidati i Partisë Socialiste për kryebashkiak në Lezhë. Ndreu i thotë Reçit të flasë me një drejtor shkolle, ta kërcënojë me pushim nga puna në rast se nuk deklaron hapur votën për Partinë Socialiste.

Biseda 12: Drejtori i arsimit kërcënon në bisedë telefonike drejtorin e një shkolle rurale në Zallreç, duke i thënë të deklarojë votën haptazi bashkë me familjen ose të kërkojë punë tjetër.

Biseda 13: Drini Gjeçi kërcënon mësuesin Lavdrim Murati.

Biseda 14: Damian Gjiknuri flet me Bekim Krashin, një biznesmen.

Biseda 15: Bekim Krashi përgjohet duke diskutuar çmimin e pesë votave.

Biseda 16: Bekim Krashi flet me një person që ka marrë para për një votë mbi shenjën identifikuese të votës së blerë.

BIRN

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...