“KoKoFest” nis në 2 shtator, 6 trupa në garë

Premte, 30 August 2019 14:38

Festivali “KoKoFest” nis në ditët e para të muajit shtator në qytetin e Korçës. Në edicionin e gjashtë, që nis më 2 shtator pritet të jenë në skenën e festivalit artistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, që me shfaqjet teatrore do të përcjellin një atmosferë festive në këtë qytet. Ky festival tashmë ka krijuar traditën e tij në qytetin e Korçës, ku dhe këtë vit për disa net me radhë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” për publikun do të shfaqen vepra teatrore shqiptare dhe të huaja. Festivali nis mbrëmjen e 2 shtatorit për të vijuar deri më datë 8, ku nata e fundit do të kulmojë me ndarjen e çmimeve. Këtë vit janë shtatë shfaqje teatrore në skenë dhe gjashtë prej tyre janë në konkurrim, ndërsa juria gjithashtu ka emra të njohur të teatrit. Drejtoresha artistike e festivalit, aktorja Zamira Kita shprehet se marrin pjesë në “KoKoFest” jo vetëm emra të njohur të teatrit, por dhe të fushave të tjera. Sipas saj, do të jetë dhe një garë e fortë për shfaqjen më të mirë. “Të gjithë ata regjisorë që janë në konkurrim janë emra shumë të mirë, por dhe shfaqjet janë shumë të mira. Ne kemi emra të njohur jo vetëm të teatrit, por dhe të muzikës, koreografisë, etj. Konkurrenca në këtë festival mendoj se do të jetë shumë e fortë”, pohon drejtoresha Zamira Kita. Juria është e përbërë me aktorë të njohur. Me kryetar jurie Ndriçim Xhepën, pjesë janë dhe aktoret Yllka Mujo, Olta Daku, Eva Alikaj dhe Drita Karanga, që është aktore e teatrit të Shkupit. Festivali këtë vit vjen në edicionin e gjashtë, por për drejtoreshën artistike të festivalit Zamira Kita ky aktivitet nga viti në vit ka treguar vlera dhe synimi është që të kthehet në ndërkombëtar. “Ajo që po bën festivali nga viti në vit është jehona, që i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ne jemi në rrugën, që edicionin e shtatë të “KoKoFest” ta kalojmë internacional këtë festival, dhe përveç trupave shqiptare të kemi dhe të huaja për të shkuar drejt një cilësie tjetër dhe ballafaqimi të forcave tona artistike shqiptare me teatrin e mirë në botë. Mund të kemi teatër italian, francez, trupa nga Rumania, Greqia, Kroacia, Bosnja, etj”, pohon Zamira Kita, drejtoreshë artistike e festivalit.

Programi i festivalit

Ky edicion sjell shtatë shfaqje në skenë për publikun dhe do të fillojë me “Kopshti i qershive”, me tekst nga Anton Çehov me regji nga Dino Mustafic, e cila në “KoKoFest” do të jetë përshëndetëse dhe nuk do të hyjë në konkurrim. Nata e dytë e festivalit sjell Teatrin e Kumanovës nga Maqedonia me veprën “39 shkallët”, një parodi nga romani i John Buchan, e adaptuar për në skenë nga Patrick Barloë dhe nga filmi i Alfred Hiçkok që e sjell regjisori Ilir Bokshi. Më pas në skenë do të jetë teatri i Gjirokastrës “Zihni Sako” me veprën “Fqinjët” autor Ruzhdi Pulaha dhe regji Mito Kutali. Sipas drejtueses artistike të festivalit Zamira Kita, këto vite ky teatër ka ecur mjaft mirë. “Ka hapur një festival teatri dhe ne na lind detyra, që ta inkurajojmë si trupë dhe ta bëjmë pjesë të festivaleve tona për të ecur përpara. Ne këtë vepër e kemi futur në festival edhe për arsyet se është vepër shqiptare, për të mbështetur dramaturgjinë shqipe”, pohon Kita. Shfaqja e tretë në datë 5 shtator do të jetë “Kopraci” i Molierit nga teatri i Korçës me regji nga Dhimitër Orgocka. Më pas në skenë në datë 6 shtator do të jetë shfaqja teatrore “Volpone” shkruar nga Ben Johnson nga teatri “Skampa” i Elbasanit me regji nga Adonis Filipi. Në datën 7 shtator vjen një tjetër vepër shqiptare, ajo me titull “Karnavalet e Korçës” me regji nga Spiro Çomora me regji nga Altin Basha, që do ta sjellë në skenë Teatri Kombëtar i Kosovë. Nata e fundit sjell në skenë teatrin “Migjeni” të Shkodrës me shfaqjen teatrore “Kumarxhiu” nga Carlo Goldoni, që vjen me regji dhe adoptim të tekstit nga regjisori i njohur venecian Michele Modesto Casarin. Edhe këtë vit çmimet, që do të ndahen janë shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori dhe aktorja më e mirë, etj. Në javën e parë të shtatorit, Korça pritet të jetë destinacioni më i preferuar për vizitorë dhe pushues të shumtë, për artistë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova etj, të cilët përveç bukurisë natyrore, muzeumeve, dhe traditës së spikatur korçare, do të kenë mundësinë, që për ditë me radhë të ndjekin nga afër ''KoKoFest''.

69212136_1147793482275201_7739222074559823872_n.jpg

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...