Drama shqipe e braktisur nga teatrot, që nga 2012 asnjë konkurs nga Ministria e Kulturës

E Enjte, 05 September 2019 13:26

Drama shqipe është pothuajse e braktisur. Institucionet teatrore nuk kanë treguar interes sa duhet për të mos munguar në skena, por dhe Ministria e Kulturës deri tani nuk ka stimuluar autorët. Në muajin shtator nis dhe sezoni artistik në institucionet e teatrit. Sezoni i ri pritet të sjellë në skena vepra të ndryshme teatrore, por duket se për dramat shqiptare nuk ka interes. Dramaturgë të njohur shprehen se edhe pse këto probleme janë të ditura, nga institucionet nuk është bërë asgjë, që kjo situatë të ndryshojë. Dramaturgu Mustafa Tukaj shprehet se tani nuk po flitet më për pjesët shqiptare dhe autorët shqiptarë i kanë larguar. “Drama shqipe as në takime ministrore nuk po përmendet më. Autorët që kanë shkruar dramën shqipe, që janë profesionistë dhe të vjetër dalëngadalë po largohen nga skena. Unë mendoj që drama shqipe krahas autorëve që kanë vite por ka dhe të rinj, nuk duhet të mungojë në teatro. Më shumë po vihen drama njëpërdorimshe në skena, preferohen autorë të huaj, që mos të paguhen as të drejtat e autorit as honoraret. Regjisorët shpesh i marrin dhe nga interneti dhe i kanë të gatshme veprat e huaja”, shprehet Tukaj. Në reagimin e tij, Tukaj vijon se të flasësh për mungesën e dramës shqipe në teatrot tona është një temë e gjatë, por nga Ministria e Kulturës prej vitesh ka munguar dhe një konkurs për dramën shqipe. “Përgjegjësia kryesore është te Ministria e Kulturës, sepse duhet ti vërë detyrë teatrove sa drama shqipe duhet të vihen çdo vit në skena. Të bëhen takime kombëtare siç u bë në 2012. Por që nga 2012 nuk është bërë asnjë konkurs për dramën shqipe, te ne mungon edhe kritika për dramën shqipe, dhe po zhduken edhe dramaturgët. Ne dramaturgët shqiptarë jemi në specie në zhdukje”, vijon autori Mustafa Tukaj. Sipas dramaturgut, në teatro po eksperimentohet dhe nuk po shihen vlerat. “Edhe teatrot kanë përgjegjësinë e tyre, sepse preferojnë vetëm autorë dhe regjisorë të huaj. Preferojnë regjisor me emër, por ata vijnë tek ne dhe bëjmë eksperimente në disa shfaqje, eksperimentohet me trupat tona”, shprehet dramaturgu. Sipas tij, ajo që nuk duhet të mungojë është dashuria për dramën shqipe. “Dramaturgjia shqiptare pothuajse e braktisur nga teatrot. Sot ka pak dashuri për dramën shqipe. Duhet dashuri për dramën shqipe, kritikë, financime, etj”, pohon mes të tjerave autori Mustafa Tukaj.

Teatrot po bëhen gati të sjellin veprat në skena, por edhe për autorin Bashkim Kozeli për dramën shqipe nuk ka interes. “Nuk kanë interes regjisorët, institucionet që janë teatrot dhe ministria, e cila duhet të vërë kritere që të jenë të domosdoshme, që të vihet në skena dramë shqipe. Në teatrot tona autorët e huaj i kanë më kollaj, sepse me të vendit ka telashe regjisori, pasi autori do ta shikojë se si vihet vepra në skenë. Por është ministria, që duhet ta mendojë ta rregullojë këtë punë ligjërisht”, shprehet dramaturgu Bashkim Kozeli. Sipas tij, teatri si institucion do të ketë spektatorë dhe ai tani ndjek komedinë, ndërsa dramës shqipe nuk i afrohet. “Ku i keni sot dramaturgët, humbën nuk afrohet njeri. Nuk i afrojnë teatrot, sepse nuk kanë ligjin që të afrojnë dramën shqipe dhe autorët. Në mos të gjallët, kanë vepra të autorëve të tjerë plot. Pse mos të vihet përshembull vepra “Familja e peshkatarit”? Po “Cuca e maleve”? Kjo mund të ripunohet, por ama është vepër shqiptare. Kush e merr përsipër ta vërë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”?, pohon dramaturgu. Por ndërsa veprat shqiptare mungojnë në skena dhe teatrot rendin pas pjesëve të huaja, për dramaturgun Kozeli shteti nuk tregon interes për përgatitjen e regjisorëve. “Nuk ka regjisorë, që të ketë marrë kulturë regjisoriale diku. Ai sistem më parë ishte si ishte, por i çonte jashtë regjisorët për tu përgatitur. Por sot ku i ke regjisorët? Shteti nuk përgatit asgjë”, shprehet dramaturgu Bashkim Kozeli. Herë pas here autorë të ndryshëm janë shprehur për probleme, por sipas tyre asgjë nuk ka ndryshuar dhe rrallë një dramë shqipe shihet në skenat tona.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...