Zëri i Amerikës: Kadare në Seul për çmimin Pak Kyong-ni, 2019

E mërkurë, 23 October 2019 17:59

Shkrimtari 83-vjeçar shqiptar Ismail Kadare tha të mërkurën në Seul të Koresë së Jugut se ishte i lumtur që nderohej me çmimin prestigjioz Pak Kyong-ni për vitin 2019. Çmimi do t’i dorëzohet shkrimtarit më 26 tetor në qytetin Wonju me një ceremoni të veçantë.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve jugkoreanë në Qendrën e Shtypit në Seul, Ismail Kadare tha se “Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të izoluara në Evropë, një vend komunist nën diktaturë.”

Por, shtoi ai, Tiranën e ndan vetëm një distancë e shkurtër nga Italia dhe “njerëzit mund ta ndienin ndikimin e botës perëndimore. E megjithatë, ata bënin sikur një ndikim i tillë nuk ekzistonte. Ishte e ndaluar të flisje se sa afër ishte bota perëndimore.”

"Shumica e shkrimtarëve në atë kohë ishin të censuruar nga qeveria. Në Kushtetutë thuhej se nuk mund të shprehje mendime nëse ato ishin kundër regjimit. Shumë nga shkrimtarët ishin në situata të rrezikshme dhe disa u burgosën. Jeta ime është e vetëm njëra nga ato mijëra raste," tha shkrimtari Kadare.

Ai foli për frymën universale të letërsisë dhe tha se edhe në Shqipërinë dikur të izoluar njerëzit megjithatë dinin për Korenë dhe për realitetin e dyfishtë të popullit korean.

Pastaj shkrimtari iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Duke folur për fituesin e Nobelit në letërsi për vitin 2019, shkrimtarin Peter Handke, i cili u bë objekt debatesh për lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin, Ismail Kadare tha se është dakord me mendimin e shumë kritikëve të tjerë. Akademia Suedeze nuk duhet t’ia kishte dhënë çmimin Handkes, tha ai.

"E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë,” tha Kadare.

Ai tha se ka qenë vetë viktimë e censurës dhe shtypjes së qeverisë dhe se kjo mund ta ketë bërë të jetë kaq i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje.

Çmimi Pak Kyong-ni do t’i dorëzohet Ismail Kadaresë më 26 tetor në qytetin Wonju të provincës Gangwon.

Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...