Alfred Hiçkoku, babai i filmave "thriller" e "horror"Alfred Hiçkoku, babai i filmave "thriller" e "horror"

Diel, 29 Prill 2018 18:53


Më 29 prill 1980 vdiq Sër Alfred Hiçkoku, producenti dhe regjisori i famshëm britanik i njohur për filmat e tij psikologjikë "thriller". Ai ishte pionier në përdorimin e teknikave të reja në filmat e këtij zhanri. Në periudhën prej gjashtë dekadash aktivitet në këtë fushë, ai prodhoi më shumë se 50 filma dhe mbetet një nga producentët më të njohur e prodhimtarë të të gjitha kohërave. Lindi më 13 gusht 1899 në Lejtonston të Londrës, Angli, në një familje britanike me rrënjë irlandeze. Përshkruhet se ka kaluar një fëmijëri të vetmuar, larg trazimeve, për shkak të obezitetit. Vetë Hiçkoku ka deklaruar, mëse njëherë, se i ati e ka dërguar njëherë në një rajon policie si ndëshkim "për sjelljen e keqe". Ideja e të qenit i keqtrajtuar dhe akuzuar pa baza është reflektuar shpesh në filmat e Hiçkokut. Në kohën kur ishte student, atë e tërhoqi fotografia e nisi të punonte në industrinë e filmit në Londër. Nisi të punonte me titrat e filmave pa zë të kohës, për t'i ngjitur gradualisht shkallët në këtë industri.

Andej nga fundi i viteve 1930 Hiçkoku ishte bërë një nga producentët më të famshëm në Angli. Por në të njëjtën periudhë ishte po aq i famshëm edhe për shprehjet e tij që u bënë legjendë. "Aktorët janë bagëti" ishte shumë popullore më 1938, një frazë që shprehte mospëlqimin e tij ndaj qëndrimit snobist të aktorëve të filmave. Kjo shprehje u bë shkak i një incidenti, kur më 1941 aktorja Karola Lombardi ngjiti në skenën e xhirimeve të "Z. dhe Znj. Smith" disa lopë, për ta habitur producentin. Hiçkoku reagoi duke thënë se e kishin keqinterpretuar. "Kam thënë se aktorët duhen trajtuar si bagëti," do të thoshte ai.     

Situatat që e mbajnë shikuesin pezull dhe humori i zi ishin bërë "marka" të prodhimit Hiçkok kur u nis drejt Hollivudit më 1939. Por malli për shtëpinë do ta shtynte që një pjesë të mirë të filmave që do të xhironte vitet që pasuan t'i realizonte në Britani. I tillë ishte "Rebeka", filmi i parë amerikan i tij, ku aktorë kryesorë do të ishin Sër Lorenc Oliveri dhe Xhoana Fontejni. Fitoi çmimin e Akademisë si filmi më i mirë më 1940, por atë e mori David Selznici si producent i filmit, një prej ikonave të prodhimit të filmave amerikanë në atë që njihet si Epoka e Artë e kinematografisë. Këta dy personazhe asnjëherë nuk shkuan mirë me njëri-tjetrin dhe Hiçkoku ankohej vazhdimisht për producentin e tij.     

Vitet '40 shënuan një bashkëpunim të ethshëm me disa nga aktorët më të mirë të Hollivudit, që do të shfaqen disa herë në filmat e Hiçkokut, si Keri Granti, Ingrid Bergmani, Grejs Kelli e Xhejms Stjuarti, kohë kur Hiçkoku do të hidhej vetë në fushën e prodhimit të filmave. Bashkëpunimi me Hiçkokun do ta shtrëngonte Grantin të luante ndër të rrallat personazhe negative në karrierën e tij të gjatë me mbi 80 role e pjesëmarrje në filma. Vitet '50 shënojnë kulmin e karrierës së Hiçkokut dhe bashkëpunimin me aktorët më në zë të kohës. Më 1950 ai bashkoi në filmin "Frika e skenës" njërin prej yjeve të "Warner Brothers", Xhejn Uajmanin, me aktoren gjermane Marlin Ditrih, kur dihej që kjo e fundit nuk e honepste dot Uajmanin.     

Në filmin "Shtyp V për Vrasje" (Dial M for Murder, 1954), ai eksperimentoi për herë të parë teknologjinë 3-dimensionale në kinematografi, edhe pse filmi në këtë format u shfaq për herë të parë në fillim të viteve '80.     

Martesa e Grejs Kellit me Princin Ranieri të Monakos më 1956 do t'i jepte fund bashkëpunimit mes këtyre dy talenteve, pasi banorët e principatës refuzuan ta lejonin që ajo të xhironte filma të tjerë me Hiçkokun.     

Fundi i viteve 50, vitet '60 e '70 do të shënonin prodhimin e disa prej filmave më të suksesshëm të Hiçkokut, si "Në veri e verilindje" (1959), "Psiko" (1960) dhe "Zogjtë" (1963). Pas tyre, ai do të kalonte tek "Universal Studios", për të cilat do të punonte deri në fund të jetës. "Psiko" konsiderohet nga shumë njerëz si filmi më i famshëm i Hiçkokut. Edhe pse me një buxhet të vogël, xhiruar në bardh e zi, skenat e dhunës, të paprecedent për kohën, rënia e parakohshme e heroinës së filmit, apo shuarja e jetëve të njerëzve të pafajshëm prej një vrasësi me probleme psikike ishin që të gjitha vula të krijimtarisë së Hiçkokut, të cilat pastaj u bënë frymëzim e model për shumë filma të llojit "horror" që pasuan.     

Shëndeti i keq ia uli ritmin e punës e dy dekadat e fundit lenë pak për të shënuar. Por kthimi në Angli më 1972 i dha atij frymëzimin për të xhiruar "Furia" (Frenzy), suksesi i tij i fundit i madh. Ndërsa "Komploti i familjes" më 1976 do të shënonte dhe filmin e fundit të prodhuar prej tij. Vdiq në moshën 80-vjeçare në Bel-Eir të Los Anxhelosit, Kaliforni, më 29 prill 1980, duke lënë përgjysëm projektin për xhirimin e filmit "Nata e shkurtër".   

Hiçkoku njihet për futjen e teknikave të reja në prodhimet e tij. Gjithë skenat e filmit "Barka e jetës" janë të xhiruara në një varkë, e megjithatë filmi s'bie aspak në monotoni. Po ashtu, tërë skenat e filmit "Dritarja e pasme" o zhvillohen brenda një apartamenti të vogël, o shihen prej dritares së tij. "Litari" ishte një tjetër sfidë nga ana teknike, një film që ngjan sikur është xhiruar me një skenë të vetme. Në fakt janë 10 skena të tilla, për shkak se maksimumi që mund të mbante një shirit kamere ishte 10 minuta. Hiçkoku ndërronte shiritin dhe e riniste xhirimin në të njëjtën pikë ku e kishte ndërprerë. Manjak deri në detajet më të imta, Hiçkoku solli një frymë tjetër në prodhimtarinë e vet, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mëvonshme të kinematografisë. I nominuar disa herë për çmimet e Akademisë, të vetmin që mori më 1940 nuk arriti ta shtinte në dorë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...