Takimi Rama-Vuçiç në Nish në 2016/ Lindja, jeta dhe vdekja e planit të ndarjes së Kosovës

Tuesday, 07 May 2019 13:20

Para pak ditësh, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç zbuloi për herë të parë se përpjekjet për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë kishin qenë nismë e tija dhe se kjo kishte dështuar në Samitin e Berlinit para pak ditësh.

Duke nënkuptuar udhëheqësit e pranishëm në Samitin e Berlinit, por edhe më gjerë, Vuçiç tha se të gjithë ata që kishin krijuar shtetit e Kosovës ishin hequr sikur nuk dinin gjë se mes dy vendeve po bisedohej për shkëmbim kufijsh.

 ‘Kancelarja gjermane Merkel dhe gjithë të tjerët,’ tha Vuçiçi.

Gjatë gjithë vitit të fundit, qeveria shqiptare dhe mediat e kontrolluara prej saj ua kanë shitur këtë plan të panjohur shqiptarëve si një domosdoshmëri e detyruar nga Amerika dhe nga Brukseli.

Mbështetësit shqiptarë të këtij plani nga Shqipëria dhe Kosova kanë zënë dhjetëra orë televizive në oraret me shikueshmërinë më të lartë, për të na thënë se Kosova nuk ka gjë në dorë, se plani do u jepet palëve për nënshkrim, se më e mira që qeveria shqiptare mund të bëjë dhe po bën është që të mbështesë palët ta nënshkruajnë planin për shkëmbimin e territoreve dhe popujt të jetojnë në paqe.

Kryeministri Edi Rama ka qenë, sigurisht, ylli i mbrëmjeve të tilla televizive.

Ndërkohë, deklarata e Samitit të Berlinit, që duket se i ka dhënë një goditje thuajse fatale këtij plani, e vë theksin te pikat më të rëndësishme që janë ngritur për një vit të tërë në opinionin publik në lidhje me këtë plan: mungesa e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe mirëbesimit.

Pak ditë më parë, Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, guxoi të ishte politikania e parë me një profil të lartë nga Kosova që të denonconte se për këtë ide dhe planin në vijim kishin rënë dakord Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i atëhershëm Aleksandër Vuçiç.

Katër muaj më parë, dakordësinë Vuçiç-Rama-Thaçi e kishte denoncuar edhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, tashmë në opozitë me Vuçiçin. Ai kishte thënë se për arritjen e këtij synimi ishte lobuar fort në SHBA dhe në Komisionin Europian.

Sipas tij, ndër të tjerë, për këtë kishin lobuar Tony Blair, ish-menaxheri i fushatës elektorale të Presidentit Trump, Corey Lewandowski, kompania e lobimit Wolfang Petritsch, si dhe Aleksandër Sorosi.

Rënien dakord të Vuçiçit dhe Ramës në Nish në 2016, përpara nisjes së një plani dhe lobimit për të, e kishte thënë në tetor 2018 edhe Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko.

Më herët akoma, në gusht 2018, ish-Kryeministri i Suedisë Carl Bildt kishte shkruar për Uashingon Post se Kryeministri Rama i kishte thënë se ishte dakord me idenë e Vuçiçit, i cili synonte të merrte sa më shumë territor nga Kosova në këmbim të njohjes, pasi ‘Serbia e kishte humbur tashmë Kosovën’.

Për një vit të tërë, Thaçi dhe Rama i kanë përdredhur fjalët për të folur pa thënë asgjë konkrete për planin. Ata janë fshehur nën rrogozin amerikan, evropian, atë të paqes mes kombeve, të kohës që thërret për burra shteti që marrin vendime të dhimbshme etj.

Rama vetë është përpjekur të mbajë një profil sa më të ulët, të ilustruar nga thënia e Vuçiçit së fundmi në Samitin e Berlinit se ‘të gjithë bënin sikur nuk dinin gjë.’

Një vështrim pas, nga e sotmja, te qëndrimet e shprehura dhe ngjarjet kryesore në lidhje me këtë plan, që kurrë nuk u bë i njohur, duket se i jep lehtësisht të drejtë Edita Tahirit, Vuk Jeremiçit, Sonja Birsekos, Carl Bildt-it dhe të gjithë atyre që kanë thënë se: Ideja e Vuçiçit është përqafuar nga Rama në takimin në Nish të Serbisë dhe ky ka punuar për realizimin e saj.

Duket se takimi i tetorit të vitit 2016 në Nish mes Vuçiçit dhe Ramës është bërë pa pëlqimin paraprak të Thaçit. Ky ka reaguar ashpër fillimisht, për të ndërruar krejtësisht pozicionin në muajt në vijim.

Nuk është për t’u mohuar edhe mundësia që kjo të ketë qenë një taktikë e treshes Vuçiç-Rama-Thaçi për t’i rritur besueshmërinë Thaçit ndër shqiptarët. Në më pak se tre vite nga ardhja në pushtet në vitin 2013, Rama ishte takuar tetë herë më Vuçiçin deri në vitin 2016, si me asnjë drejtues tjetër shteti.

Ja një kronologji e shkurtër nën këtë këndvështrim e veprimeve kryesore drejt dështimit të planit për shkëmbimin e territoreve:

Rama takohet në Nish me Vuçiçin në tetor të vitit 2016, kritikohet rëndë nga Kosova, mban një monolog të gjatë në video në Facebook mbi domosdoshmërinë e miqësisë serbo-shqiptare. Ai thotë se qëllimi i vizitës së tij në Nish ishte ‘për të çuar përpara një marrëdhënie strategjike për paqen, integrimin dhe zhvillimin tonë ekonomik e social përmes shfrytëzimit të dimensionit rajonal.’

Rama flet për paqen që gjermanët dhe francezët arritën pas Luftës së Dytë Botërore, për ‘një politikë të re ndaj Serbisë’, i quan kritikët ‘patriotë në profesion’, dhe thotë se ‘ne shqiptarët nuk e ndërtojmë dot të ardhmen pa kapërcyer dhe fshirë kufijtë e të shkuarës mes nesh dhe Evropës, mes Shqipërisë dhe Kosovës, mes shqiptarëve dhe serbëve’.

Në shkurt të vitit 2017, Rama dhe Thaçi duket se kanë rënë dakord për planin e Vuçiçit, në mos Thaçi ka pas qenë dakord që para takimit të Nishit. Prej disa javësh Presidenti Thaçi ka marrë kryesimin e dialogut, që më parë drejtohej nga kryeministri i Kosovës.

Rama poston në profilin e tij në Facebook emisionin e plotë të gazetarit Baton Haxhiut të TV Klan në Kosovë, ku janë të ftuar vetëm Rama dhe Thaçi. Baton Haxhiu e nis emisionin duke folur për nevojën për paqe midis dy kombeve, për dialogun e ngadaltë dhe ngërçet e tij dhe për rezultatet e pakënaqshme. Haxhiu thotë se të dy të ftuarit ‘kanë bërë çmos që ky dialog të shkurtohet’ dhe se ata të dy janë ‘më potentët, më të angazhuarit në kaq vite për të ndërtuar një paqe për Ballkanin’.

Haxhiu thotë më tej se ‘të gjitha gjërat që duhet të dëgjojnë shqiptarët, do t’i kenë sonte’. Dhe pikërisht kjo ndodh – Rama, Thaçi dhe Haxhiu flasin për rreth dy orë për të gjitha ato që këta të tre duan që shqiptarët të dëgjojnë.

Në prill 2017, Kryeministri Rama ndez retorikën nacionaliste në rajon. Ai thotë se ‘nëse vazhdon të zbehet perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, nuk mund të përjashtohet bashkimi i Shqipërisë me Kosovën’.

Presidenti Thaçi e mbështet këtë pohim. Presidenti Vuçiç thotë se po ta kishte thënë ai diçka të tillë për serbët në rajon, atë do ta kishin ‘varur në Bruksel në vend të flamujve të tyre’. Në Serbi mediat shkruajnë gjerësisht për luftë kundër ‘Shqipërisë së Madhe’. Vuçic kërkon ndërhyrjen e ambasadorëve të BE-së kundër përpjekjeve të drejtuesve shqiptarë për të krijuar ‘Shqipërinë e Madhe’.

Në korrik 2017, Presidenti Vuçiç nis një ‘dialog kombëtar për një qasje realiste ndaj Kosovës’, ku fton gjithë qytetarët serbë të diskutojnë hapur për të ardhmen e zhvillimit të Serbisë në lidhje me pozicionin e saj ndaj Kosovës. Ngjashëm me Ramën, ai flet për negociatat e pandalura mes izraelitëve dhe palestinezëve, për shmangie konflikti dhe bashkëpunim me shqiptarët, për nevojën për të zgjidhur çështjen e Kosovës përmes një ‘qasjeje serioze dhe të përgjegjshme, kurajoze dhe realiste, duke parë drejt së ardhmes’. Ai thotë se është gati të sakrifikojë nga vetja për arritjen e një marrëveshjeje.

Në korrik 2017, Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç kërkon haptazi shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shton se duhet ‘të ndahet me kufij se çfarë është serbe dhe çfarë është shqiptare’ dhe flet për shkëmbimet e suksesshme të territoreve mes Holandës dhe Belgjikës, si dhe mes Pakistanit dhe Bangladeshit.

Në gusht 2017, Kryeministri Rama e quan propozimin e Ministrit Daçiç që Kosova e veriut t’i kalojë Serbisë dhe Lugina e Preshevës Kosovës: ‘një propozim të pazakontë’. Rama shpreh mirënjohje për nismën e Vuçiçit për dialog të brendshëm dhe thotë se një dialog të tillë ndoshta duhet ta bëjnë edhe shqiptarët.

Në 17 shkurt 2018, në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Rama ndez sërish zjarr në opinionin publik në rajon dhe në botë. Ai propozon që ‘Kosova dhe Shqipëria të kenë një president gjithëkombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë’. Reagime të ashpra vijnë nga BE-ja, rajoni dhe nga Kosova. Pak ditë më pas, Kryeministri Haradinaj shprehet për BBC-në kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve.

Në maj 2018, Vuçiç thotë se marrëveshja me Kosovën do t’i sjellë fundin karrierës së tij politike, pasi është e vështirë të pranohet nga serbët. Ai shton se përpara gjithçkaje pret të shohë ‘çfarë do të përfitojë Serbia, në kuptimin e territorit dhe të gjithçkaje tjetër.’ Daçic thotë se shkëmbimi i territoreve do të sjellë përfitime për të dyja vendet.

Në gusht 2018, edhe pse me terma të ndryshëm, Vuçiç dhe Thaçi konfirmojnë se po bisedohet për shkëmbime territoresh. Thaçi siguron se nuk do të ketë shkëmbime territoresh por kufijtë do të ndryshojnë. Ai shton se banorët e Luginës së Preshevës kishin kërkuar t’i bashkoheshin Kosovës, ndaj edhe ai do ta realizojë këtë. Thaçi mban vazhdimisht këtë retorikë të pakuptueshme për shumëkënd – jo shkëmbim, jo ndarje, po korrigjim, Luginën e merr Kosova. Nga Komisioni Europian (KE), Mogerini dhe Hahn shprehen në mbështetje të bisedimeve për ndryshim kufijsh.

Po në gusht 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit ofron ndihmën e SHBA për arritjen e një marrëveshjeje dhe u kërkon të dyja palëve të jenë ‘kreative dhe fleksibël’. Komisioni Evropian shprehet në mbështetje të një zgjidhjeje ‘realiste, të qëndrueshme dhe të mundshme, në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare’.

KE sërish nuk përjashton mundësinë e shkëmbimit të territoreve. Këshilltari për Sigurinë i Presidentit Tramp, Xhon Bolton thotë se SHBA nuk do ta pengojë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë edhe nëse ajo përfshin shkëmbimin e territoreve. Presidenti Thaçi nxit ‘korrigjimin’ e kufijve dhe paralajmëron se pa këtë hap Kosova nuk ka të ardhme në Evropë.

Kancelarja Merkel shprehet kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në shtator 2018, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së kundërshtojnë ndryshimin e kufijve, ndërsa Komisioneri Hahn sërish nuk e përjashton atë. Presidenti Vuçiç refuzon të takojë Presidentin Thaçi në takimin e radhës për Dialogun nën mbikëqyrjen e Mogerinit.

Në nëntor 2018, Qeveria e Kosovës vendos 10 për qind taksë për produktet serbe që hyjnë në vend, në përgjigje të ‘fushatës së egër të Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare’. Dështon anëtarësimi i Kosovës në Interpol si rezultat i lobimit serb. Haradinaj i rrit me 100 për qind taksat për produktet serbe, në përgjigje të përpjekje të qeverisë serbe për të dobësuar shtetin e Kosovës, për të tërhequr njohjet dhe penguar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Në muajt në vazhdim Kryeministrit Haradinaj i bëhet presion i vazhdueshëm nga BE, SHBA, vende të caktuara evropiane, si dhe nga aleatët e tij në qeveri për të hequr taksën. Haradinaj reziston, përforcon qëndrimin e tij kundër shkëmbimit të territoreve, për nevojën e një dialogu mbi baza të barabartësh, pasi Serbia të ndalojë veprimtaritë kundër shtetit të Kosovës.

Në dhjetor 2018, Haradinaj fajëson Mogerinin se e ka kthyer dialogun Kosovë-Serbi në dialog për shkëmbim territoresh. Presindeti Tramp i dërgon letër Vuçiçit dhe Thaçit, ku i nxit të arrijnë një marrëveshje. Në janar 2019, Ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Vuk Jeremiç thotë se Rama, Vuçiç dhe Thaçi po punojnë ‘me dyer të mbyllura’ për marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve. Në shkurt, Haradinaj e përshkallëzon retorikën e tij kundër Mogerinit, duke e quajtuar atë ‘armike’ të Kosovës, si dhe kritikon Ramën dhe Thaçin se po gabojnë rëndë me mbështetjen e tyre të idesë për shkëmbimin e territoreve.

Në prill 2019, Merkel dhe Makron refuzojnë në Samitin e Berlinit çfarëdo plani për shkëmbim territoresh.

Pas Samitit të Berlinit, Kryeministri Rama dha lajmin se negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian nuk do të hapen në qershor 2019. Tani atij i mbetet që, ashtu si Vuçiçi pas këtij samiti, t’u shpjegojë shqiptarëve edhe se përse së paku e mbështeti planin për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe të pranojë ose jo se ky plan ka dështuar përfundimisht.

/Marrë nga Exit.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...