… E madhe bota e femrës

Saturday, 06 Prill 2019 15:02

Lirika nga MENTOR HOXHA

 Mentor Faik Hoxha është gazetar, poet dhe kritik letrar i njohur në Shqipëri. Ka botuar qindra artikuj politikë, social e kulturorë, mbi 500 intervista exluzive me figurat më të njohura publike shqiptare të viteve të fundit: me presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë, ministra, deputetë, diplomatë, shkrimtarë, misse, gazetarë, aktorë, këngëtarë, valltarë, sportistë etj. Shumica e artikujve dhe intervistave të tij janë publikuar në faqet e para të gazetave dhe revistave qendrore. Ka botuar edhe 12 libra me poezi, reportazhe, intervista dhe studime letrare e historike që janë vlerësuar nga kritika dhe media në Shqipëri. Për librat e tij janë shkruar mbi 100 artikuj në mediat e njohura shqiptare. Gjithashtu, ka dhënë mbi 20 intervista. Nga librat e tij veçohen: “Figura e femrës në letërsinë shqipe” (2015, studim letrar, redaktoruar nga akademiku prof. dr. Shaban Sinani), “Blliçja, Çidhna dhe Dibra në historiografinë shqiptare e botërore” (2015, monografi historike, redaktor: Prof. Agron Tufa), “Albanian Eurovizion” (2011), “Sekretet e VIP-ave, vol 3 (2011), “Shënime nga Europa” (2010), “Lirika  nga Europa” (2010), “Sekretet e VIP-ave” (2006, portrete & intervista exluzive me 90 personazhe VIP), “Shpërthimet e zemrës” (2004, poezi), Sekretet e Miss-eve” (1998, portrete & intervista exluzive me kryebukuroshet shqiptare) etj. Ka dorëzuar te Shtëpia Botuese “Vektor Edition” enciklopedinë tre vëllimëshe mbi aktorët, regjisorët, skenaristët dhe dramaturgët shqiptarë të të gjitha kohrave. Për kontributin si arsimtar, letrar dhe gazetar është përfshirë në librat enciklopedikë “Gazetarë dhe Publicistë Shqiptarë” (2005), “Enciklopedia e Dibrës” (2006), “Një shekull poezi dibrane” (2009), “Historia e Arsimit shqip në Dibër” (2011) dhe “Antologjia e poezisë dibrane” (2003) etj. Është anëtar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (1995 e në vazhdim) dhe i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (2016 e në vazhdim). Mentor Hoxha u lind në Dibër. Nga viti 1997 deri më 2016 ka banuar dhe punuar në Tiranë. Pas këtij viti ndodhet në  Lion, Francë. U diplomua në Universitetin e Tiranës, dega gjuhë-letërsi shqipe, titulli “Mësues për shkollat e mesme” (1995). Ka kryer shkëlqyeshëm me mesatare të notave 9.1 studimet në Master Shkencor (2013-2015), dega Studime letrare,  pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, si dhe disa kurse pasuniversitare për mësuesi e gazetari në Angli. Ka punuar: mësues i gjuhë-letërsisë në disa shkolla të mesme dhe 8-vjeçare në Dibër dhe Tiranë, gazetar te “Koha Jonë” (për prefekturën e Dibrës, 1995-1997), gazetar te revista javore “Blic”(1998), redaktor politik dhe shef kulture te gazeta ditore “SOT” (2005-2007) dhe “Telegraf” (2010-2011), kryeredaktor te revista “Personazhe VIP” (2005-qershor 2016) dhe te “Vajza e Ditës” (2008 -qershor 1916), analist dhe opinionist në disa gazeta të njohura shqiptare (2011-qershor 2016) dhe anëtar i Këshillit Botues dhe aksioner te gazeta “Rruga e Arbërit”  (2013-2014).

 

image001.jpg

…E MADHE BOTA E FEMRËS

 

…E mora hënën

në shpirtin tim e vendosa

bëri më pak dritë se dashuria.

 

…E mora qiellin

në soditjen time e vendosa

para syve të tu u zvogëlua.

 

…E mora ëndrrën e trishtë

e me të fillova të loz

sa zura emrin tënd gjithçka u fundos.

 

…Vështrova yllësinë

me syrin zmadhues të një të dashuruari

Ylli Polar s’ish asgjë para yllit të zemrës.

 

…Kaq e madhe të jetë bota e femrës?

 

 

SA TË LIGA JU O FEMRA

 

…Sa të liga ju o femra

tradhëtare e të pabesa

futi si diell në zemra

më pas bëhi re të zeza.

 

SI STË DESHA PAK MË SHUMË

 

…Si s’të desha pak më shumë

mbase s’do më kishe ikur

tani më shfaqesh në gjumë

si një kukull e braktisur.

 

DANS LE FORMATION

 

…Sa shpejt iku ky «le formation»

iku me shpejtësinë e një komete

por brenda tij gjithë universi frymon

i shtrirë në pesë kontinente.

 

Blerina nga Kosova, unë nga Shqipëria

Ogan nga Armenia dhe Abud nga Sudani

Fatima, Acha, Lejla nga Algjeria

Lemja dhe Safa nga Siria,

Glorina, Karen dhe Fatimata nga Afrika

Rukia nga Turqia, Intissar nga Tunizia

U mblodhëm në Lion nga e gjitha bota

për të mësuar gjuhën e Volterit.

 

Shumë kujtime dhe ëndrra digjen përbrenda

sa nuk di ç’të lë e ç’të marr

por sytë ëngjëllor të një madame

të qetë s’do më lënë as në varr.

 

…Shumë kam bredhur në botë

dhe shumë kam ëndërruar në jetë

por ndihem kaq i emocionuar sot

që ky «Le formation» mbaroi kaq shpejt.

 

BASHKËSHORTES

 

…Nëse vdekja më merr mua

Mos u tremb, e mos derdh lotë

Mos i prish syqkat e tua

Kaq të bukur si gjen dot.

 

Mos loto, e mos mbaj zi

Por kërko e gjej një tjetër

Të të ngroh, të mbaj në gji

Siç të mbajta Ty moj zemër.

 

…Jeta është porsi deti

Shumë gjëra ka përbrenda

Ndaj po vdiqa shko te tjetri

Dhe pa mua vazhdon jeta.

 

Mos rindiz zjarrin e shuar

Cili vdiq më su ringjall

Fali tjetrit sytë e shkruar

Nëse zemrën Ty ta fal.

                    ***

Nëse vdekja më merr mua

Mos mbaj zi për fatin tim

Pse të desha dhe të dua

Dil e gjej një tjetër trim.

 

NËN JASTËKUN TËND

 

Letrat që t’i sillja nën jastëk i vije

aq shumë më doje sa mbi to dhe flije.

Por ja një mëngjez dhomëzën tek fshinte

ti gjeti jot ëmë letrat e magjishme.

 

-Ç’të ka ndodhur bijë të tha ajo egër

-malli për një djalë më thumbon në zemër.

Sikur kam një jetë që pranë e kam

dheu nuk më tret në fati na ndan.

 

Prindërit t’u sulën sikur ç’kishe bërë

dhe mallin ta shkulën për mua të tërë.

…Nën jastëkun tënd tani s’ka më letra

Ti puth tjetër kënd, mua më puth tjetra.

 

PSE NXITON?

 

-Pse nxiton vajzë si era

ç’fat i zi të ndiqka pas

-U nxi qielli, e zu reja

buza ime s’ka më gaz.

 

-Ç’të ka gjetur që fytyrën

loti i rëndë ta ka zënë

-Zemra s’ma duron mynxyrën

se dashnori më ka lënë.

 

-Mos u tremb e mos hidh lotë

siç ka njohje ka dhe ndarje

-Por ç’të bëj që pa të sot

nuk më duhet jeta fare.

 

-Pse kaq fort e paske dashur

që nxiton ashtu me vrap?

-Ish i vetmi që kam pasur

ndaj për të dhe jetën jap.

 

-Po pse iku, pse të la

kur kaq fort e paske dashur?

-Sepse shpirtin ia dha

vajzës tjetër më të pasur.

 

VAJZA I FLET DJALIT

 

…Më trego mua e dashur

sa ke njohur gjer më sot?

-Femrat që unë kam dashur

janë shumë e s’i them dot.

 

-Qenë si unë a më të bukura

më thuaj dua ta di?

-Ca ishin belkëputura

ca të gjata si selvi.

 

-Aq sa unë a të deshën

a ta bënë trupin zjarr?

-S’mund ta fsheh të vërtetën

për ta marri më ka marrë.

 

-…Atëherë përse Ti

për çdo natë vjen tek unë?

-Sepse ti më jep në gji

dashuri e mall më shumë

 

-Ndoshta nesër…, si ato

do të jem për Ty një ish?

-Gjithsesi kjo s’mund të ndodh

se magjinë ma ke prish.

 

VAJZA I SHKRUAN DJALIT PAS NDARJES

 

Dora po më dridhet nga mallimi

teksa fjalët i hedh me ngadalë

Ti dikur ishe krejt i imi

Por u ndamë vetëm për një fjalë.

 

Po ç’të bëra që shpinën ma ktheve

Pse më ndave mua pa një shkak

Si nektar shpirtit tim u derdhe

Më pas helmin më hodhe në gjak.

 

Vetëm hëna dhe yjtë e dinë

Sa u deshëm dhe u puthëm ne

Por tani të vetmuar rrimë

Si dy zogj mbetur pa fole.

 

PËRGJIGJIA E DJALIT

 

Përse ma ndez zjarrin e shuar

Ç’kërkon sërish dua ta di

Ti që me zjarr më ke pushtuar

Një çast mu sule si stuhi.

 

Që kur u ndamë ndjenja humbi

Gjithçka u shkri si dëborë

Por ja sërish më vjen si plumbi

E më godet në kraharor

 

Por s’po kuptoj ç’paska ngjarë

Ç’është kjo lojë s’po kuptoj

Ti që një zemër e ke vrarë

Që mund ta ngjallësh se besoj.

 

LAMTUMIRË MOJ DRENUSHË

 

…Eja mike më rri pranë

Syri yt shkëlqen si dritë

Brenda teje yjet janë

Rrëzëllim hedhin në shpirt.

 

Ky mëngjez i bukur shumë

Veç për ne po dritëson

Eja pra, mike tek unë

Rruga e largët po më fton.

 

S’jam i bukur, por jam zjarr

Di të ndez e di të ngroh

Eja pra më puth me mall

Se nuk dihet kur të shoh.

 

S’do ta ndjej më kundërmimin

Nëpër flokun tënd të verdhë

Midis ikjes e mallimit

Puthja jonë le të bredh.

 

Lamtumirë pra, drenushë!

Më thërret udha për larg

Porsi hëna nëpër fushë

Ma ndriço udhën përqark.

 

Për tu ndarë qenka thënë

Ora e ndarjes ja po vjen

Po në puthjen që kam dhënë

Shpirtin tim brenda gjen.

 

Ndaj ngado që do të vete

Brenda zemrës do më kesh

Le të çaj lumenj e shtete

Puthja e sotme midis nesh.

 

MOS MË RRI LARG POR MU AFRO

 

…Mos më rri larg por mu afro

Dikur të desha si i marrë

E di, tani një tjetër do

Por mua dje më ndizje zjarr.

 

Ndaj s’di pse ikën, pse ul kokën

Sa herë unë të kaloj pranë

-Je ylli im që ndriçon botën,

dikur më thoje buzëvalë.

 

Por ylli i djeshëm sot u shua

Një tjetër yll për ty bën dritë

Ndaj sa më sheh më ikën mua

Se yllin tjetër ke në shpirt.

 

Por, ah, e di, jo shumë larg

Do ta kërkosh yllin e parë

Por s’do ta kesh më atë fat

Do jem për ty një kalimtar.

 

PËR TY

 

…Do ta thyej heshtjen me gurët e mallit,

Do ta shtrydhi zemrën sa të dali gjak,

Do ja marr për Ty shpirtin edhe djallit,

Edhe si i ç’mendur do rend nëpër flak’

 

…Dhe sërish do them; për Ty bëra pak.

 

PORSI E ÇMENDUR REND KUJTESA

 

…Sërish më zgjove nga kujtimet

Kur trupi yt mu shfaq aq pranë

Mi solle pranë netë-agimet

Kur dashuri e puthje dhamë.

 

Plot gjëra ikën…, u harruan

Veç nurit tënd s’i ra shkëlqimi

Me shpirtin tim akoma luan

O gaz dhe ëndërr frymëzimi.

 

Kaloi kohë…, kaluan vite…

Por Ti s’mu hoqe nga kujtesa

Për mua mbete rreze drite

Gëzimi i shpirtit edhe shpresa

 

Ndaj dhe tani kredhur në mall

Më vjen së toku me kujtesën

O yll i bukur gjithë zjarr

O prush i ndezur që ngroh jetën.

 

Nga malli i vjetër gufon zemra

E bukur koha e rinisë

Asgjë tanis’dua nga jeta

Veç syrin tënd ta puth sërish.

 

Por koha ikën…, më nuk kthehet

As malli i shuar më nuk vjen

Por shpirti im akoma dehet

Kur shpirtin tënd përbrenda gjen.

 

VAJZAVE

 

Me hap thëllëze ata ecin

Serbes në shkollë e trotuare

Me një vështrim djemtë ndezin

Më pas si uji fikin zjarre…

 

TANI S’MË DO POR MË URREN

 

Sapo të shoh zhdukesh si era

Dhe me inat shpinën ma kthen

Dikur për ty isha pranvera

Tani s’më do, por më urren.

 

Nuk di ç’të bëra që më ike

Një Zot e di cili ka faj

Mangall me prush për mua ishe

Tani thëllimi me acar.

 

Por deri kur kështu do jemi

Me ndarjen plumb rrasur në gji

As tungjatjeta më nuk themi

Kur dje u puthëm me furi.

 

Si gjethe vjeshte dhe kujtimet

Kështu rrëzuar tani janë

Por s’di pse ikën? Pse më fshihesh?

Dhe kaq urrejtje shpirtit mban?

 

E shoh një tjetër paske gjetur

Dhe nuk të ngroh i vjetri zjarr

Për ty tani jam një i vdekur

Se tjetri puthje ty të fal.

 

Prandaj kjo ndarje më brengos

Më hedh trishtuar në mendime

Pse dashuria Ty t’u sos

Kur krejt ta fala zemrën time.

 

Kjo qenka jeta: mall e brengë

Të fal gëzim por edhe dhimbje

Për mua mbete mall dhe helm

Për tjetrin pije e magjishme.

 

…Mallkuar fati që u njohëm

bekuar dita që u ndamë

nuk di pse dolëm kundra kohës

kur lumturinë kishim pranë

 

Si diell shndrit kujtim i vjetër

e sotmja nxin porsi thëngjilli

e ç’na u desh kjo luftë e egër

kur dje shkëlqenim porsi dielli.

 

Pasi u ndamë nisëm luftën

ndaj njëri-tjetrit ngritëm shpatat

në buzët-prush ku ne u puthëm

urrejtja-plumb hapi flatrat.

 

Po pse kaq shumë u tërbuam

në detin mllef pse kaq të zhytur

kur dje me mall u dashuruam

sot armët egër kemi ngritur.

 

I mprehëm shpatat e nisëm luftën…

për njëri-tjetrin duam varrë

por që të dy luftën e humbëm

se që të dy mbetëm të vrarë.

 

SHOQES KONVIKTORE

 

…U bë shumë kohë që nuk jemi parë

Ndofta njëzet vjet a ndofta më shumë

Floku yt i verdhë me floririn larë

Si pjalmi i luleve kundërmon tek unë.

 

Të dy në një klasë dhe në një konvikt

Te dehur nga librat, nga ëndrrat e moshës

Bukuria jote i çmendi të rinjtë

Helena e Trojës ishe Ti për kohën.

 

Edhe sot s’më shqitet bukuria jote

Trupi yt selvi me hiret përbrenda

Syri yt i kaltër sa herë kundronte

Diell edhe dritë hidhte nëpër zemra.

 

Një konvikt i tërë syri ta kish vënë

Por tre djem të klasës vendi nuk i zinte

Por t’i doje njërin në netët me hënë

Kurse dy të tjerët kridheshin në dhimbje.

 

…U bë shumë kohë që nuk jemi parë.

Që kur ne maturën mbaruam së bashku

Floku yt i verdhë me arin shpërlarë

Porsi yll i ndezur sërish ndrin së largu.

 

Ku je tani vallë? Në ç’ëndrra je futur?

Djaloshi që doje, të dashuron prapë?

Të të shoh njëherë sa herë jam lutur

Por s’u pamë kurrë në udhën e gjatë.

 

Të dy të harruar në fate të ndryshme

Në udhën e jetës, në kërkim të fatit

Por e di një ditë do më shfaqesh pranë

Si diell i bukur që del monopatit.

 

BALADË DASHURIE

 

Përmalluar te një park

Mentor Hoxha puth një vajzë

Lulet kundërmojnë përqark

S’pipëtin as gjeth i thatë.

 

-Marshallah sytë ç’më panë

Lulja lules po i thotë

Mentor Hoxha me një vajzë

Dashuri po bëjnë sot.

 

E dëgjoi reja lart

Nga zilia i tha erës

-Mentor Hoxha gjithë fat

Puth dy femra përnjëherësh.

 

Në mbrëmje kur hëna doli

Në vesh era shpejt i tha

-Don Zhuan ky Mentori

U puth sot me katër gra.

 

Pa kaluar asnjë ditë

Lajmi ra gojë më gojë

-Mentor Hoxha djal i lig

Zuri vajza të mendojë.

 

…Shpirti i saj u trondit

Tradhëtinë se duroi

Me rrëmbim mori një thikë

Katër herë zëmrën qëlloi.

 

Modifikuar më Saturday, 06 Prill 2019 15:21
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...