DR. LUIGJ BENUSSI, PINJOLLI I PAHARRUAR I NJË SAGE FISNIKËSH

Diel, 05 August 2018 19:33

Nga SHPENDI TOPOLLAJ

Rruga që ka përshkruar mjekësia shqiptare është e mbushur me përpjekje e sakrifica të mëdha. Puna vetmohuese e protagonistëve të saj, nxënës humanë dhe besnikë të Hipokratit, ka bërë që ata të mbeten të nderuar përjetë në memorien e njerëzve. Është kjo arsyeja që personalisht ndihem mirë kur më bije rasti të lexoj artikuj apo monografi kushtuar jetës dhe veprës së tyre. Dhe një kënaqsi të veçantë më dha leximi i librit të profesor Lluka Heqimit, kushtuar themeluesit të Mikrobiologjisë tonë dr. Luigj Benussit. E kush më mirë se një mjek i shquar si profesor Lluka, do të shkruante për kolegun e tij të shquar. E kush më mirë se një zemërmadh si ai, do të shkruante për kolegun e tij zemërmadh. E kush më mirë se një intelektual i kulturuar dhe me prirje e dashuri për letërsinë, do të shkruante për kolegun e kulturuar me prirje të hershme letrare. E kush më mirë se një demokrat me vizion perëndimor si ai, do të shkruante për kolegun e tij që kishte studiuar në shkollat më të mira të perëndimit dhe që praktikonte me guxim arritjet e atjeshme. E kush më mirë se një atdhetar si ai, do të shkruante për një shqiptar të natyralizuar i cili pas një pune të pandërprerë shkencore arriti në përfundimin se “…shqiptarët rrjedhin nga ilirët që jetojnë në trojet e tyre në pikëtakimin e popujve lindje - perëndim. Pavarësisht nga sulmet e pushtuesve, populli shqiptar e ruajti individualitetin etnik, ndihmuar edhe nga kushtet gjeografike të favorshme, por në radhë të parë nga cilësitë e karakterit të përgjithshëm” (fq 226). E vërteta është se prof. Lluka Heqimin, shumica e njohin si mjekun e kudogjendur sportiv, dhe pak e dinë se ai është autor i suksesshëm i shumë librave, ku veç atyre profesinale, dallon “Historiku i Vokopolës” etj. dhe sidomos ky kushtuar Luigj Benussit. Dikush ka thënë se “Jeta e njerëzve të mëdhenj fillon nga çasti i vdekjes së tyre”. Benussi jetoi 82 vjet dhe vdiq në vitin 1986. Sa qe gjallë nuk iu ndanë peripecitë, dyshimet, cmirat, mosvlerësimet e shqetësimet, si nga ana e pushtetit komunist ashtu dhe nga meskinitetet e disa prej atyre që e rrethonin. Por ai, mbeti krenar dhe i përkushtuar ndaj detyrës, pa e ulur kokën asnjëherë edhe kur mizoria e sistemit që urrente intelektualët, i arrestoi dhe burgosi dy vëllezërit, juristët e shquar Baltazarin dhe Zefin. Autori mjaft qartë na paraqet ardhjen e Giorgio Bernardo Benussit nga Rovinjo i Istrias, në vitin 1828, si oficer në shërbim të Mustafa Pashë Bushatlliut, martesën me vajzën shkodrane Tereza Koka, pra, gjenealogjinë dhe fisnikërinë e familjes Benussi, vendosjen e tyre përfundimtare në Shkodrën që është dalluar gjithmonë për mikpritje, në qytetin që Migjeni e ka quajtur “dashnoria e shekujve”. Dhe për ta bërë më bindës himnin për të, autori na e jep të plotë poezinë brilante të F. Rreshpjes “Shkodrës”, ku thotë se ai qytet është arnuar me fosile mitesh dhe se shiu biblik lan prej shekujsh gjakun e perandorive të mundura. Duke qenë se kam kaluar fëmijërinë atje, gjatë leximit, kam ndierë shumë emocione dhe shpirti më qante nga kujtimet e bukura të fëmijërisë, për ata njerëz po aq të bukur. Njihet roli i familjes në edukimin e fëmijëve, por kulturimi i tyre, natyrisht që bëhet nëpër shkollat që ata ndjekin. Një shkollë të tillë donte të hapte dhe Gjergji, siç e thërrisnin atje gjyshin e Luigjit. Po ku kishte shkollë më serioze sesa Kolegji Saverian për të cilin vetë Papa Piu i X - të shprehej se “Jeni fatbardhë që keni jezuit në Shkodër”. Këta jezuitët e krijuar si urdhër qysh nga viti 1540, kishin dhënë një ndihmesë të çmuar deri në Azinë e largët dhe tani, këtu studionin djem nga më inteligjentët, të cilët bënë emër në vitet që pasuan. I pajisur me njohuritë e nevojshme, me disa gjuhë të huaja, dhe me zellin për t`i çuar ato më tej, Luigji nis studimet e larta në Romë që dikur kishte magjepsur edhe Gëten e madh. Autori, sikur të kishte qenë vetë student i atyre viteve në Fakultetin e Mjekësisë në La Sapienza, na e jep jetën e gjallë studentore, etjen për kulturë dhe rezultate sa më të larta nga ana e Luigjit që ashtu siç e thosh dhe emri i tij, kërkonte të bëhej “luftëtar i famshëm” në fushën e bukur të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve. Ndaj dhe nga gjithë perënditë e lashta të vendit që krijoi Remi dhe Romuli, ai adhuronte Eskulapin. Për më tepër, ai vinte në këtë shkollë të njohur në të gjithë botën, me medaljen e argjendtë që kishte fituar në Itali, qysh kur qe nxënës i kolegjit Saverian. Dhe po këtu, ai me dinjitet dhe njohuri të thella në çdo fushë, fiton dashurinë dhe respektin e profesorëve, të cilët e nderonin këtë nxënës me kaq perspektivë edhe për krenarinë që tregonte për vendin nga kishte ardhur, Shqipërinë. “Ne zoti profesor, i kemi dhënë Romës Perandorë dhe Papë”, janë fjalët e tij mëse domethënëse. Dhe me këtë bindje, ai pasi i kryen studimet me rezultate shumë të larta, deklamon përmendësh para shokëve betimin e formuluar nga greku i njohur para 24 shekujsh dhe merr doktoraturën nën drejtimin e profesor Pestalozzës, por dhe kryen gjithashtu disa kurse specializimi, kthehet i plotësuar, për t`i shërbyer vendit të vet, që kishte aq shumë nevojë për njerëz si ai. E nis punën thuajse nga hiçi, por i mbushur me pasion dhe entuziazëm, dhe dallohet menjëherë për vlerat e larta njerëzore dhe profesionale. E njihte mirë rrugën e mikrobiologjisë nga kishin ecur Levenhuku, Pastëri, Lefleri, Gafki, Kohu, Rossi, Grasi, Ridi e Erliu, shpikësi i Salvarsanit, me shokë. Por ai dinte gjithashtu se përgjatë viteve edhe Shqipëria kishte shkencëtarët e vet të kësaj fushe si Refat Frashëri, Bilal Golemi e Bajram Emiri. Pa iu ndarë specializimeve, si ai në Institutin e Mjekësisë Tropikale në Belgjikë dhe për sëmundjet dermatoveneriane në spitalin “Sant Louis”, së bashku me dr. Bilalin, në vitin 1939 ngritën Laboratorin Klinik Bakteriologjik. Njihen vështirësitë e panumërta që ndeshën, por duhen njohur dhe përpjekjet mbinjerëzore që ata bënë për ta vënë këtë shërbim aq të domosdoshëm, mbi baza shkencore. Pas çlirimit, pra nga viti 1945 - 1954 ai qe drejtor i këtij Laboratori dhe pastaj për dhjetë vjet të tjera u caktua përgjegjës i Sektorit të vaksinave dhe preparateve diagnostike. Për dhjetë vjet të tjera ai shërbeu si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në U.T. dhe boton libra të vyer për ekzaminimet laboratorike dhe Leksikun e Sindromave me emra autorësh. Artikujt e tij gjenden shpesh në shtypin e specializuar të kohës, por edhe  kokëçarje i shkaktohen nga ambiciozët që nuk i shihnin me sy të mirë, aftësitë, sukseset dhe cilësitë e tij njerëzore. Koha qe e tillë, që sidoqë dr. Benussi përkrahej pa rezerva nga burra të mrekullueshëm si dr. Nikolla Dushniku, përsëri atij ia vononin si marrjen e titullit, ashtu dhe botimin e studimit të tij aq të vlefshëm. Pra, i sillnin pengesa atij që me shpikjet dhe prodhimin e vaksinave kundër tifo - paratifos që i provonte në trupin e tij, etj. jo vetëm kishte shpëtuar aq jetë njerëzish, por dhe i kishte kursyer shtetit të varfër aq e aq dollarë. Atij që kishte udhëhequr luftën kundër sifilizit deri sa ai u zhduk tërësisht. Atij që me studimet e tij kishte arritur në përfundimin se gjaku i shqiptarëve ishte plotësisht i pastër dhe pa kurrfarë influence nga pushtimet e huaja. Atij që në krye të kryeveprës së tij shkruante: “Kushtuar nënave arbërore, që me trimërinë, moralin e patriotizmin e tyre të lartë, kanë ruajtur pastërtinë biologjike dhe etnike të popullit shqiptar”, pra që na bënte të mburreshim me nënat tona dhe që na kujtonte tregimin e Marguerite Jourcenarit “Qumështi i vdekjes”, ku i thuren lavde grave tona: “Po për mëmë, ama, do të desha atë çupkën e legjendës shqiptare.” Atij që kishte arritur në konkluzionin se “…populli shqiptar ka mundur të ruajë krahas gjuhës, zakoneve dhe tiparet etnike që pasqyrohen në përpjestimet e shpërndarjes së grupeve të gjakut dhe ato që mund të ruhen të shenjta brenda një familje.” Përpiqej t`i bindte çensorët, ashtu si Xhojsi (Joyce) që i shkruante dikur botuesit konservator: “Nëse ju do të vendosni të mos e botoni librin, të jeni i sigurt që do të mbeteni përgjegjës për vonesën e civilizimit në Irlandë.” Por nuk qe vetëm kjo; i ndërsejnë studentë mediokër për ta luftuar dhe për ta turpëruar, duke i vënë në një karton sa një çarçaf, një fletë - rrufe të tipit kinez. Sikur të mos kishte mjaftuar e gjithë jeta e tij në interes të popullit, sikur të mos mjaftonte puna e palodhur në mikroskop dhe në përgatitjen e kuadrove të reja, atij, “jezuitit të dikurshëm”, i kujtojnë besimin e tij katolik, me të cilin nuk i kishte prishur punë askujt. Kapitulli që po i referohemi, nga ana e autorit, jo vetëm mbetet një akt - akuzë për inkuizicionin komunist, por dhe është shkruar i tillë që të duket se je para një romani të mirëfilltë. Përgjigja e mençur e dr. Benussit mbetet proverbiale: “…Siguroj se edhe mjaft kohë më parë shkenca e vërtetë ka zhdukur nga mendja ime çdo mbeturinë të obskurantizmit mistik.” Pra, sikurse shprehet Ll. Heqimi … “ai nuk thoshte asgjë për pendesën e besimit, përkundrazi, obskurantizmin mistik edhe vetë kisha katolike e kishte luftuar.” Në libër, autori me të drejtë e ka parë të arsyeshme të na japë edhe “Meditimin para vdekjes” të këtij njeriu të jashtëzakonshëm, kurajoz e të pathyer, që ai u lë pasuesve, por që unë do të thosha dhe brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë. Një jetë e përmbledhur në tre faqe, ku ngërthehet e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Një  prozë poetike që të bën të ndihesh krenar që je shqiptar, por edhe një ese që vërteton se si u ruajt i paprekur një betim i deklamuar atje buzë lumit Tibër, nga ai studenti i dikurshëm që e thërrisnin të gjithë Luigji Albaneze. Lexojmë aty një dëshirë të thjeshtë: “Kur të vdes, pasardhësve më të afërt do t`i lutem të ma mbulojnë fytyrën.” Këtë dëshirë kishte shprehur plot 50 vjet më parë dhe një tjetër Luigj, Pirandelo, i cili thosh: “Vdekja ime le të kalojë në heshtje - karroca mortore le të jetë ajo e më të varfërve.” Po sa të pasur shkuan këta njerëz! Në gjithë këtë monument që dr. Lluka Heqimi i ka ngritur figurës së pavdekshme të Luigj Benussit, emrin e të cilit e mban Shërbimi ynë i Mikrobiologjisë, monument që nderon tërë aradhën e mjekëve si ai, dhe që skulptori i mirënjohur Muntaz Dhrami e ka përjetësuar me basorelievin e vendosur te spitali “Nënë Tereza”, autori në krye të çdo kapitulli ka vendosur thënie të goditura, të cilat ja ngrenë vlerat artistike këtij libri. Se është ashtu sikurse thotë Bejli se “Aftësia për të cituar saktësisht është një talent shumë më i rrallë nga ç`duket.” Ndaj dhe unë, duke e uruar autorin për këtë vepër kaq të arrirë, po e mbyll fjalën time me një citat të romantikut francez Alfred Vinji se: “Nderi është paqja e detyrës”, me besimin se ai mjeku që i deshi aq shumë shqiptarët, dhe që bëri aq shumë për ta, do të prehet në paqe edhe për faktin se trashëgimtarët e tij do ta lartësojnë edhe më shumë lavdinë e sagës Benussi.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...