Xhelal Koprencka, 5 herë i dënuar, mbi 18 vjet i burgosur dhe në fund i ekzekutuar

Diel, 23 June 2019 17:41

Nga Kastriot Dervishi

Historia e pabesueshme e Xhelal Koprenckës. U dënuar 5 herë, vuajti 18 vjet, 1 muaj dhe 7 ditë burgim dhe u ekzekutua ndonëse ishte i paralizuar në një krah. Ishte në radhët e “armiqve të popullit” me babain e dënuar në vitin 1946. Prej vitit 1951 familja e tij jetonte në Shkodër. Nëna e tij ishte e bija e Muhamet Delvinës. Kishte një motër, Lirinë, e cila e martuar me Avdurrahman Kreshpën. Edhe ajo banonte në Shkodër. Shkollën fillore e kishte kryer në Korçë.  Gjatë qëndrimit në Shkodër Xhelali punoi hidraulik në ndërmarrjen e fermentimit të duhanit dhe në ndërmarrjen metalike, në ndërmarrjen e ndërtimin dhe në ndërmarrjen e bonifikimit.

-Periudha e vuajtjes së burgimit, sipas viteve:

1957-1963, 5 vjet, 11 muaj, 3 ditë

1967-1979, 12 vjet, 2 muaj, 4 ditë

-Mosha në fillim të dënimit: 25 vjeç

-Mosha në kohën e vrasjes: 47 vjeç

 

Dënimi i parë

U arrestua më 7.10.1957. U akuzua për tentativë arratisje, akuzë të cilën në gjyq e ka mohuar. Gjykata Ushtarake e Tiranës me veprim në Shkodër, me vendimin nr.182, datë 30.12.1957, në bazë të nenit 64 të Kodit Penal e deklaroi fajtor, duke e dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim dhe konfiskimin e pasurisë. U lirua më 10.9.1963 nga Kampi nr.307 Rubik. Komandanti i këtij kampi, Bajram Konvarfaj shkruante se ka qenë me shëndet të dobët dhe normën nuk e kish realizuar.

Dënimi i dytë

Pas mbarimit të dënimit të parë, Xhelali vendoset në Shkodër. Arrestohet më 25.3.1967, së bashku me 3 persona të tjerë. Regjimi komunist i inskenon çështjen e dy elektromotorëve që ishin jashtë përdorimit. Gjykata e Qarkut Tiranë, me vendimin nr.42, datë 2.10.1967, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal dhe e dënoi me 20 vjet burgim. Të tjerët u dënuan kështu: Mehmet Beqir Shehaj me 22 vjet, Ndrek Lushaj me 10 vjet dhe Kujtim Qazim Koculi me 3 vjet. Në rekursin e kërkuar, Koprencka thotë se gjykata “nuk ka analizuar drejt provat dhe ka bërë cilësim të gabuar të veprës”, sepse materialet i kishin kërkuar në emër të kooperativës bujqësore të Beltojës pa qëllime përvetësimi. Në vitet 1968-1973 dënimin e ka vuajtur në Repartin nr.313 Tiranë. Në vitet 1973-1975 dënimin e ka vuajtur në Kampin nr.309 Ballsh.

Dënimi i tretë

Xhelali vuante dënimin në Kampin nr.305 Borsh, kur arrestohet më 4.8.1976. Akuzohej për zhvillim të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor në vitet 1973-1976, duke  kritikuar gjendjen ekonomike të Shqipërisë e lavdëruar atë të vendeve të huaja, kriminalitetin e lartë te ne, çështjen e konferencës së Helsinkit, etj. Me vendimin nr.131, datë 21.11.1976, Gjykata e Rrethit Sarandë, në bazë të nenit 73 të Kodit Penal (për të cilin u kërkua 10 vjet burgim) e deklaroi fajtor dhe e dënoi duke bashkuar dënimet me 20 vjet, 1 muaj dhe 17 ditë burgim.

Dënimi i katërt

Në Kampin nr.303 Spaç, ku kish mbërritur në shkurt 1977, Xhelali u dënua dy herë në muajin shkurt 1979. Fillimisht, u arrestua së bashku me Veiz Çeçin nga Shënepremtja e Gramshit. Akuzoheshin për zhvillimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, në bazë të nenit 55 të Kodit Penal. Gjyqi u zhvillua në Spaç. Me vendimin nr.5, datë 5.2.1979, Gjykata Popullore e Rrethit Mirditë, e deklaroi fajtor dhe e dënoi (duke bashkuar dënimet e mëparshme) me 25 vjet burgim. Veizi u dënua me 18 vjet e 8 muaj burgim. Dënimet fillonin nga dita e shpalljes së vendit.

Dënimi i fundit

Nuk kaluan shumë ditë dhe regjimi u bë pishman për dënimin e parë në Spaç dhe e arrestoi sërish më 23.2.1979 (së bashku me Fadil Kokomanin, Vangjel Leshon, Fatos Lubonjën, etj). Akuzohej si “armik i tërbuar i shtetit të diktaturës së proletariatit dhe ndërtimit socialist të vendit”, duke bashkuar rreth vetes të tjerë “armiq të betuar” (ata që u dënuan) duke krijuar një organizatë të quajtur “nacionaliste”. Evidentohej shoqëria e ngushtë me Irfan Vrionin dhe Eduard Marash Vatën. Organizata sipas akuzës kishte dy variante: përmbysjen nga brenda me ndihmën e amerikanëve dhe me anën e një revolte brenda në kamp me parullën “pa gjak e sakrifica nuk ka liri”. Gjykimi i “organizatës” u bë në Tiranë. Xhelali refuzon të nënshkruajë aktakuzën, duke mos e pranuar fare atë. Pranonte formën e agjitacionit të zhvilluar, por jo akuzat e tjera me qëllim organizimi. Para hetuesit Dhimitër Beshiri, e mohonte dhe e quante “thjesht një fantazi”. Asnjë i pandehur nuk pranon akuzat për krijim organizate. Me vendimin nr.3, datë 9.5.1979, Gjykata e Lartë i deklaroi fajtorë të pandehurit për “pjesëmarrje në organizatës antisocialiste” dhe agjitacion e propagandës sipas neneve 55 e 57 të Kodit Penal, duke dënuar Xhelal Koprencën me vdekje, pushkatim. Me 25 vjet u dënuan: Irfan Vrioni, Bardhosh Gjonzeneli, Nuredin Sula; me 23 vjet Eduard Marasha Vata; me 20 vjet Sarandi Lulo, Ernest Kraja;  me 18 vjet Gaspër Gaspri; me 17 vjet Florenc Rusi; me 16 vjet Napolon Koleci; me 14 vjet Pal Ndreca; me 12 vjet Thoma Bejo. Ekzekutimi i Xhelalit është bërë në Tiranë, në vendin që tashmë njihet. Nga shqyrtimi i rasteve të këtij viti dhe nga zhvarrimet që janë kryer aty, dyshimi im kryesor është që kufoma e tij dhe e dy të tjerëve janë përdorur për eksperiment mjekësor. Ekzekutimi është kryer më 29.5.1979, bashkë me Fadil Kokomanin dhe Vangjel Leshon.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Politikë

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Nga Flamur Vezaj: Dosja ‘XIBRAKA’ nuk ka vetëm emrin e Olsi Ramës! Aty ka edhe plot te tjerë, te njohur e te panjohur, biznesmen, ndërtues, kriminel e krerë bandash qe veprojnë akoma...