Në kujtim të martirit të lirisë Agim Musta

E mërkurë, 11 September 2019 18:35
Enver Memisha dhe Agim Musta më 17.11.2004 në Tiranë Enver Memisha dhe Agim Musta më 17.11.2004 në Tiranë

Nga Enver MEMISHAJ

Qëndresëtar dhe luftëtar i lirisë.

Agim Musta, martir i lirisë, ai burri guximtar që për 30 vjet në liri nuk u lodh së foluri, së shkruari, dhe së botuari libra për historinë e persekucionit komunist, u largua në amshim më 24 korrik dhe u varros në heshtje më 25 korrik 2019, në vend të nderimit të merituar që atij duhej t’i bënte shoqëria.

Agim Musta ishte një misionar për të folur, për të shkruar e botuar libra, për të sjellë dëshmi para familjes, vendit dhe shoqërisë, kështu ky burrë i la historisë dëshmi rrëqethëse, për të mos harruar populli tij ferrin komunist.  

Agim Musta kishte lindur në Gjirokastër në vitin 1929 dhe trashëgoi nga babi  profesionin më fisnik nën diell, atë të mësuesit. Gjatë jetës së tij 90 vjeçare kishte parë Mbretërinë shqiptare, Luftën Antifashiste, diktaturën komuniste dhe demokracinë pluralistë, pas vitit 1990.

Në një shoqëri të depersonalizuar dhe të nënshtruar Agim Musta në vitin 1962 ngriti krye, nuk iu tremb burgut dhe litarit. “I lirë jam unë, thoshte At Meshkalla, robër të lidhur me zinxhirin e frikës dhe bukës së gojës jeni JU”, e për këtë Agimi u dënua me 13 vite burg.

Në vitin 1990, ai është një nga themeluesit e Partisë Socialdeomokrate, dhe më pas ai formoi Fondacionin “Musine Kokalari”, në krye të të cilit ishte ai vetë.

Në mars të vitit 1991 ai është një nga themeluesit e Shoqatës së të Persekutuarve Politik  dhe më pas një nga themeluesit e një tjetër shoqate: Shoqatës Mbarë Kombëtare të të Persekutuarve Politik dhe në udhëheqje të këtyre dy shoqatave.

Me themelimin e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit Agim Musta do të jetë anëtar i bordit të këtij instituti.

Ai ishte publicist që shkroi vazhdimisht dhe publikoi me qindra artikuj në shumë gazeta, brenda dhe jashtë vendit, në vlerësim dhe mbrojtje të proçeseve demokratike dhe të ish bashkëvuajtsve të tij.

Ai është orator,  propagandues dhe përhapës i ideve demokratike dhe lirisë.

Ai dha shumë intervista në televizionet shqiptare dhe të huaja. Ai përgatiti apo ndihmoi në shumë dokumentarë televiziv dhe filma për krimet komuniste.

Ai mbajti shumë kumtesa e referate kundër diktaturës si dhe shkroi e vlerësoi shumë punime e libra.

Ai referoi në disa shtete të Europës për krimet dhunën dhe terrorin e komunistëve në Shqipëri.

Në përbërje të grupit për kompozimin e pavijonit të genocidit komunist në Muzeun Historik Kombëtar, ai dha një ndihmesë të çmuar po ashtu edhe në ekspozita, në kolokiume e tubime. 

Agim Musta botoi 14 libra ku evidentoi si asnjë tjetër faktet e krimeve, dhunës dhe terrorit të diktaturës komuniste.

Ai studioi dhe paraqiti i pari hartën e kampeve dhe burgjeve në Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Ky martir i lirisë pas viteve ’90, zgjodhi të rrëfente, duke u bërë kështu avokati asaj pjese të popullsisë shqiptarë që u burgos dhe u persekutua.

Me zërin e tij, me zërin e kohës,  Agim Musta zgjoi nga gjumi shqiptarët dhe ishin shumë ata që u radhitën në udhën që ai hapi me guxim atdhetar. “Mbetëm gjallë nga burgjet dhe kampet komuniste të shfarosjes për të treguar, thoshte Agimi, Kjo është detyra jonë, ky është misioni ynë”.

Dhe ai e kreu detyrën dhe misionin e tij si askush tjetër. Ky burrë mori përsipër barrën e rrëfimit të vuajtjes së popullit nën diktaturën komuniste, duke u bërë  historian i parë i fakteve dhe dëshmive të gjalla.

Librat e tij janë dokumente dhe më me vlerë se vetë dokumenti.

Sipas Kastriot Dervishit “Agim Musta ishte ndër të parët në Shqipëri që na mësoi të shkruajmë për krimet, dhunën dhe terrorin komunist. Ishte i pari që na mësoi sistemin e burgjeve dhe kampeve të internimit të diktaturës komuniste, në kohën kur pothuajse të gjithë shqiptarët nuk i dinin, nuk i njihnin dhe nuk i kuptonin ato tmerre.

Në kohën kur shkrimet ishin të munguara apo shumë të pakta vit pas viti Agim Musta shkruante dhe botonte libra dhe evidentonte me foto, dokumente e dëshmi vendet e tmerrshme të diktaturës komuniste...

Agim Musta ishte një atdhetar vizionar që mendonte t’i shërbente popullit të tij me pasqyrimin e vuajtjeve dhe tmerreve në burgje dhe kampet e internimit të ngritura në Shqipëri në kohë paqje”. (Gazeta “55”, dt. 24.7.2019)

Agim Musta la pas gjurmë të thella dhe të pashlyera në botën shqiptare, duke u kthyer në simbol të qëndrestarit dhe luftëtarit të lirisë. 

Po shoqëria çfarë bëri për Agim Mustën?

Shoqëria. Një platformë vlerësimi e apelimi

Agim Musta ishte një burrë fisnik dhe nuk i dha bujë e zhurmë veprës së tij. Kështu që i mbetej shoqërisë të vinte kujen për të, u takon miqve dhe shokëve të tij të shumtë të gërmojnë dhe të venë në vendin që meriton veprat e tij.

Agim Musta si përfaqësues i zërit të lirisë duhet të ishte përcjellë me nderime nga shoqëria shqiptare. Por shoqëria jonë është e përçarë në kampe luftëtarësh, në kampe betejash, në kampe lufte për interesa të partive dhe as u vete mëndja se ai që u largua në amëshim ishte ai burri që ishte shkrirë për lirinë dhe mirëkuptimin e shoqërisë.

Në diktaturë ai përjetoi dramën e heshtjes së veprës së tij gjë që nuk duhet të ndodhte edhe në demokraci. Indiferenca  mediatike dhe heshtja e shoqërisë shërbeu dhe vlejti për të nxjerrë të zbuluar mjerimin intelektual të shoqërisë sonë.

Kulturës shqiptare i humbi një nga përfaqësuesit më në zë të saj, gjatë dhe pas diktaturës komuniste, personaliteti që u formua nëpër burgjet e zeza të Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut. Në liri, talentin dhe energjitë e tij ia kushtoi zgjimit të shoqërisë me vepra të botuara dhe aktivitetin e tij propogandistike brenda dhe jashtë kufijve shtetëror, udhëheqës dhe drejtues i shtresës së të përndjekurve politik. Agim Musta me veprën dhe aktivitetin e tij e konfigurojë triumfalisht terrorin komunist mbi popullin shqiptar, por tragjikisht për shoqërinë që largimin e tij e përcolli me heshtje mjerane. E tërë jeta e tij u shkri për lirinë e popullit të tij dhe shoqëria analfabete e harroi!!!

Iku një personalitetet që mbante një ekuilibër ndërmjet të burgosurve dhe të persekutuarve politik dhe shoqërisë.

Iku shembulli se si duhen denoncuar dhe akuzuar krimet komuniste në Shqipëri.

Dhe pyetja që na shtrohet përpara nesh është: A do të dinë njerëzit e kulturës, miqtë e tij të mendohen e të vlerësojnë veprën dhe aktivitetin shoqëror të Agim Mustës? Të presim e të shohim, por vështirë sepse shoqëria jonë do ta shikonte çështjen sipas interesave vetjake dhe jo sipas interesave të shoqërisë.

Agim Musta na mësoi se si duhet shkruar për t’i lënë historisë dokumente dhe për të edukuar shoqërinë. Agim Musta nuk ishte argat i askujt si dje në diktaturë dhe sot në liri. Ai ishte një shpirt i lirë, shembulli i njeriut të lirë.

Agim Musta ishte një shkëmb i rëndë që analfabetët nuk do mund ta lëvizin dot nga vendi që ai ka zënë në historinë tonë.

Dhe për të gjitha këto merita largimi në amëshim i Agim Mustës, shoqëria dhe shteti duhet ta kishin qarë edhe ata me lot hidhërimi, ashtu si dy bijat e tij. Por nuk ndodhi kështu, shoqëria dhe shteti heshti. Kjo sjellje tregon farë qartë mjerimin intelektual të shoqërisë sonë dhe indiferencën primitive të shtetit, ndaj këtij luftëtari të lirisë dhe demokracisë.

Agim Musta dhe shumë të tjerë si ai ikën me merak se ishin disa gjyqe që u lanë pa bërë në historinë tonë shqiptare, por edhe të lumtur se panë idealin e tyre demokratik të realizuar.

Agim Musta s’ka çfarë përfiton nëse shoqëria dhe shteti do të bënin detyrën e tyre njerëzore dhe shtetërore. Agim Musta s’ka  çfarë përfiton nga ky shkrim. Ai burrë që na la neve të gjallëve, e kishte të varur në ballë edhe dafinën e lavdisë edhe degën e ullirit. Përkundrazi shoqëria dhe shteti kanë çfarë përfitojnë nga vepra e tij nga përkushtimi tij për të drejtat e popullit shqiptar.

Të gjithë jemi të përkohshëm në këtë botë. Pas do të mbetet kujtimi dhe Agim Musta do të kujtohet gjithnjë për atë që bëri për popullin e tij. Për një çast të vetëm shoqëria jonë duhet ta kishte harruar politikën dhe duhet të kishte nderuar Agim Mustën, që të tregonte se jetojmë në një vend të lirë. Heshtja e

shoqërisë tregon mjerimin intelektual të saj, tregon se kjo shoqëri nderon vetëm njerëzit dhe udhëheqësit e partisë pa asnjë vlerë.

Humbja e Agim Mustës duhet të kishte shkundur gjithë shoqërinë shqiptare, nëse kishte sy dhe veshë, për të vënë gishtin mbi plagët tona për të vlerësuar njeriun dhe personalitetin e tij, vlerat e vërteta.

Shoqëria duhet të kishte klithur: se sot humbëm një personalitet, nje personalitet që i kushtoi jetën lirisë së popullit të tij, që kontribuoi në konturimin dhe transformimin e shoqërisë sonë  që na la amanet me humbjen e tij të mos humbasim lirinë dhe demokracinë.

“Njeriu i shoqërisë sonë, shkruan z. Agim Baçi,  i gjendur me duar të shkëputura nga e djeshmja dhe e nesërmja, njeriu rrezikon t’i kthehet rëndësisë së trupit të tij, pra, të kthejë trupin në epiqendrën e vetme me rëndësi dhe kuptim. E nëse ndodh kjo shkëputje, ai më pas është vetëm produkt i rrethanave, i dëshirave, i instinkteve, e, si i tillë, edhe një njeri që mund të marrë çdolloj rrjedhe që i jepet nga rrethanat”

Një qenie e tillë vazhdon më tutje z. Baçi katandiset që të mos ketë turp për asgjë që bën dhe kërkon. ( “Panorama”, dt. 8.8.2018, f. 16)

Amen për veprën dhe shembullin që la pas Agim Musta.

Martin Luter Kingu, luftëtari i lirisë dhe dinjitetit njerzor, thoshte: “Më në fund do të mbajmë mënd jo fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e e miqve tanë”, kështu pra unë nuk mund të heshtja përpara heshtjes së shoqërisë për një luftëtar të lirisë si Agim Musta. 

Ideja kryesore e kësaj analize është kjo: A duhet të ndryshojë gjykimi i shoqëris për personalitete që i japin asaj vlera?

Pa tjetër që po, dhe prandaj edhe shkruhet ky artikull se ka shpresë, dhe kritika nuk bëhët për të sotmën, por t’i shërbejë të ardhmes.

B u r g u

Agim Musta kishte lindur në Gjirokastër në vitin 1929 dhe në vitin 1943 ishte shpërngulur familjarisht në Tiranë. Ai kishte kryer Institutin e Lartë Pedagogjik , Fakultetin Gjuhë – Histori. Për shumë vite shërbeu si mësues në rrethin e Sarandës, Kuçovë dhe Tiranë.

Sipas studiuesit Kastriot Dervishi: “Agim Musta u arrestua më 30 prill 1962 dhe u lirua nga burgu më 19 nëntor 1972. U burgos në moshën 33 vjeçare kur ishte arsimtar, i akuzuar si anëtar i një grupi që përbëhej nga Pjetër Arbënori, Uran Kalakula, Riza Kuçi, Tanush Kaso, Kareman Paftali dhe Agim Musta. Grupi Socialdemokrat kishte si synim formimin e Partisë Socialdemokrate, për përmbysjen e regjimit komunist.

Me vendim nr. 113, datë 11.8.1962, Gjykata Ushtarake e Tiranës, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 13 vjet burgim dhe konfiskim të pasurisë. Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.101 datë 3.9.1962 la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Agimi vuajti në burgjet e Tiranës e Burrelit dhe në kampet e Laçit, Repsit, Vlorës, Ballshit dhe Spaçit” (Kastriot Dervishi, gazeta “55”, Tiranë dt. 25.7.2019)

Mbas kryerjes së dënimit ka punuar në punë të rënda në ndërtim deri sa doli në pension. 

Agim Musta e bëri burgun shkollë, shkollë të cilën do ua mësonte shqiptarëve pas viteve 1990.

Vepra e Agim Mustës si historian i persekutimit komunist.

Në liri Agim Musta pa se para syve të tij po shkruhej historia dhe ai u bë pjesë e kësaj ndërmarrje të rëndësishme për kulturën e shoqërisë. Vuajtja e popullit të tij, vuajtja e tij, nëpër burgjet e zeza të Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut e përsëritur dhe ripërseritur ne kujtesë gjen pasqyrimin në 14 veprat e tij.

 “Jam munduar të them të vërtetën, dhe vetëm të vërtetën, për atë kohë të ngjyrosur me gjak, ku përdhunohej drejtësia dhe merreshin nëpër këmbë të drejtat më elementare të njeriut. Të gjitha shkrimet e librave të mi flasin për ngjarje e personazhe të vërtetë. Personazhet e shkrimeve i kam njohur vetë gjatë vuajtjes së dënimit, ose në mënyrë të tërthortë”, shkruan ai. (Mjerim pa fund, f. 117)

Duke shfletuar librat eAgim Mustës për të shkruar këtë artikull vura re me kënaqësi se ato të gjitha janë libra që duhen rilexuar përsëri e kjo përbën vlerat e vërteta historike të një libri.

Librin e parë “Mendelët e Shqipërisë” e botoi në vitin 1992 dhe ua dedikon:

“ Të gjithë bashkëvuajtsve të mi, të vdekur dhe të gjallë, që i ranë pash më pash ferrit të diktaturës komuniste”

Ai përshkruan me nota drithëruese burgjet dhe kampet e punës në Shqipëri, dhe të burgosurit që kanë vuajtur mbi 20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës. Një shkrim ia dedikon bishës komuniste Nevzat Hasnedari, hetuesi legjendar komunist: “E kishin dërguar për përvojë për tortura në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë. Thuhet se shokët kinez  i la me gojë hapur, nga përvoja e tij shqiptare. Ata thanë se s’kishin çfarë t’i mësonin këtij gjeniu në lëmin e torturave dhe e falënderuan duke i dhuruar në shenjë mirënjohje një libër me skica torturash që përdoreshin në kohën e dinastisë Min në mesjetë... Nevzat Hasnedari, që ua kalonte dhe bishave më të egra për torturat që aplikonte mbi të burgosurit, vdiq pa pritur, thonë se e helmuan me urdher të diktatorit për të zhdukur një arkiv të gjallë krimesh”.  

Me librin “Dosjet e gjalla” (1995), autori iu drejtua dhe evidentoi dëshmitë e të burgosurve politik, që kishin vuajtur nëpër rrathët e ferrit komunist, ose siç i quante ai dosjet e gjalla.

Në këtë libër autori na jep fakte të panjohura për ngjarje të ndodhura në ferrin komunist dhe ndodhi tronditëse në burgjet dhe kampet e internimit.

“Njohës i thellë i shkollave filozofike dhe i doktrinave politike, shkruan ai për Gjergj Kokoshin, gjithmonë buzagas dhe i gatshëm për të ndihmuar për çfar e pyesnin, megjithse i sëmurë rëndë nga turbekulozi… Gjergj Kokoshi kishte punuar shumë vjet në burgun e Burrelit me veprat e Marksit, Englesit dhe Leninit dhe kishte arritur në përfundimin se komunizmi do të dështoi… I sëmurë rëndë nga turbekulozi, i pa mjekuar vdiq në burgun e Burrelit. Shënimet e tij aq të vlefshme iu asgjësuan” (f.48)

Sa dhimbje e vërtetësi kanë këto fakte e dëshmi që i përshkruan me shumë talent Agim Musta. Ai zbulon të vërtetën tronditëse nga dosjet e gjalla si Gjergj Kokoshi, Zija Dibra, dr. Miço Konomi që kishte shpëtuar nga vdekja me dhjetëra njerëz, e vetë vdiq në Burrel pa i dhënë asnjë ndihmë mjekësore, Agron Kalaja, Eqerem Frashëri, Asllan Allamani, Musa Sina etj.

Tronditëse janë “dosjet e gjalla “, femra. Marie Medicina, Fatbardha Deliu, etj.

Libri “Kush ishte Enver Hoxha” (1996) është i mbushur vetëm me fakte se si përbindëshi Enver Hoxha, vrau, burgosi dhe internoi ish shokët e tij. Kësaj figure të zezë të popullit tonë ka për  t’iu kthyer përsëri në vitin 2008 me veprën “Mjeshtri i intrigës”

Në veprën “Mjerim pa fund” (1998), autori me nota drithëruese dhe me fakte përshkruan denatyrimin e personalitetit njerëzor. Alivjadh Përmeti ishte dënuar me vdekje dhe e mbanin të lidhur këmbë e duar me pranga dhe me helmetë në kokë. Atij i shkuan për vizitë motrat. “Ato nuk e njohën Alivjadhin, megjithëse nuk kishin as një vit që se kishin parë. Atyre u dukej se para tyre qëndronte një thes me kocka, një fantazmë. Megjithëse nuk ishin të bindura plotësisht në se ishte vëllai i tyre, ai që kishin përballë, ato filluan t’i thoshin: “Alivjadh ki besim te Partia, te Stalini i madh!...  A e kuptoni se do më vrasin?, pëshpëriti Alviadhi me zë të mekur... Pas dy ditësh Aliviadhin e ekzekutuan me një plumb prapa kokës…” (f. 21)

Më tutje ai përshkruan një të burgosur, të cilit në mbrëmje një shoku tij që i kishte ardhur familja, i kishte dhënë një copë mish. I mjeri e kish marrë copën e mishit e kish futur në gojë dhe ishte munduar ta përtypte mbasi nuk kishte asnjë dhëmbë. Deri sa na zuri gjumi, shkruan autori,  dëgjonim të mjerin që mbllaçiste copën e mishit. Kishte munduar ka kalonte në bark, por  të nesërmen u gdhi i vdekur. Stomaku tij nuk kishte mundur ta tretëte atë lloj ushqimi të panjohur! E kështu vazhdon më tutje autori me mjerime të pa fundme...

Një vend të veçantë zë vepra “Gjëmat komuniste në Shqipëri” (2001).  Më këtë libër autori rreh të përmbledhë gjith veprën e tij nga paraqitja e fakteve tani kalon në analizë dhe përfundime të asaj diktaure që bëri të vuante populli për afro 50 vjet.

Kësaj teme ka për t’iu rikthyer përsëri në vitin 2007 kur boton “Libri i zi i komunizmit shqiptar”. Në 500 faqe autori trajton disa tema të diktaturës: prokurorët komunistë, torturat në qeli, burgjet dhe kampet e internimit, spitalet burgje, qytetarë të huaj në burgjet shqiptare, kosovarët në burgjet shqiptare, asgjesimi i fshehtë i të burgosurve politik, të sëmurët psiqik në burgjet shqiptare, gratë shqiptare në burgjet komuniste, persekutimi fetar, shkrimtarë dhe artistë në burgje, etj

Nxorra nga përvoja e tij e fisme, vetëm disa nga 14 veprat e tij sa për të tërhequr vëmendjen e shoqërisë, se ka shumë për të thënë për trashëgiminë që na la një burrë i fisëm si Agim Musta.

Po kaq realiste janë edhe veprat e tjera të Agim Mustës.

Vepra e Agim Mustës e shkruar me shpirt, pena e tij kalon nga mendja tek zemra dhe tregon hallet dhe vuajtjet e shqiptarëve nën diktaturën komuniste. 

Veprat e Agim Mustës janë vlerësuar nga shumë personalitete të kulturës ndërmjet të cilëve përmendim: dr. Bujar Leskaj, Zyhdi Morava, Mexhit Prençi, Dhimitër Xhuvani, Thoma Note, Enver Lepenica, etj

Analiza e veprës dhe personalitetit.

Jeta e Agim Mustës është shkrirë ve veprat e tij të botuara.

Në portretin e Agim Mustës është në sinkron dituria dhe burrëria. Burrëria e tij u tregua në vitin 1962 kur themeluan Grupin Socialdemokrat, burëria e tij u tregua në hetuesin komuniste dhe nëpër burgjet e zeza të Enver Hoxhës.

Ata 6 burra e dinin rrezikun që u kanosej, por nuk u ndalën në udhën e lirisë, këtu qëndron burrëria dhe vlera e atyre që u sakrifikuan për lirinë e popullit të tyre.

Njerëzit mediokër, thotë një mëndje e ndritur amerikane, parapëlqejnë sigurinë dhe jo lirinë. Agim Musta dhe shokët e tij parapëlqyen lirinë dhe jo atë personale, por të popullit të tyre. Ata 6 burra që themeluan një grup kundërshtar të komunistëve dhe mijëra të tjerë si ata, përbënin në atë kohë të zezë qelizat e shëndetshme të mbetura në zemrën e Shqipërisë në mes të infeksionit të idelogjisë komuniste që kishte pushtuar popullin tonë.

Nuk duhet të ishin ata 6 burra kurbani. Kurban duhet të ishin bërë përgjegjësit e asaj tragjedie të popullit tonë: Byroja Politike dhe jo vlerat e kombit, se ata 6 burra dhe mijëra të tjerë që vuajtën në rrathët e ferrit komunist ishin vlera e vërtete e kombit tonë.

Dituria e tij u tregua në liri në aktivitetin e gjithanshëm, në publicistikë, në kumtesa e referate të shumta, në intervista dhe në botimin e 14 librave me temë denoncimi i krimit dhunës dhe terrorit komunist.

Të rralla janë rastet kur Agim Musta fliste për vuajtjet e tij, por ai foli gjatë afro 30 vjetëve në liri për vuajtjet e popullit të tij për ata që ai i përkufizoi me një shprehje që do ta kishin zili shumë personalitete të penës: Dosjet e gjalla.

Agimi ishte i pangushëlluar që nuk mundi të përmbyste diktaturën komuniste me përpjekjet e tij dhe Grupin Socialdemokrat që krijoi, por energjinë e tij do e derdhte në liri, me aktivitein shoqëror, me botimin e 14 librave polivalente siç thonë kimistët, etj.

Ai denoncon krimin komunist se ata komunistët u munduan të luan të gjitha rolet vetë, pra edhe atë të popullit, nëpërmjet diktaturës dhe dhunës mbi popullin e tyre.

Historia do të jetë shtrati dhe baza ku Agim Musta ngre idetë dhe problemet shqiptare nën diktaturë.

Vepra e Agim Mustës paraqet vuajten e njeriut në komunizëm nga mohimi të drejtave elementare njerëzore, vuajtje që ai i hoqi në lëkurën e tij.

AgimMusta me veprat e tij na ka dhënë tablo të gjera të vuajtjes së shqiptarëve në burgje e kampe përqendrimi, por edhe vuajtjet e familjeve dhe të afërmve të atyre fatkeqëve që burgoseshin apo persekutoheshin nga diktatura komuniste.

Në veprat e tij apo në artikujt publicistikë ai tregon me realizëm, njerëzit e burgjeve dhe kampeve, ndodhi të ndryshme në ferrin komunist, vizaton ambientet e ndyra të burgjeve ku vuanin shqiptarët dhe me mëndje mprehtësinë karakteristike të tij gjen arsyet e vuajtjeve të shqiptarëve dhe herë-herë e lë tregimin që vet lexuesi të gjej fajtorin e tragjedisë së kombit shqiptar.

Emëruesi i përbashkët i veprës së tij voluminoze është jeta e vështirë e popullit, vuajtja e popullit nën diktaturën komuniste, vuajtja dhe tmerri që hiqnin të burgosurit në hetuesi, torturat çnjerëzore që hetuesit komunistë bënin mbi trupat e tyre që të pranonin akuzat pa prova dhe fakte juridike.

Ai pra analizon plagët e rënda të shoqërisë shqiptare që kanë hapur komunistët.

Një rëndësi të veçantë kjo mëndje e ndritur i kushton vuajtjes së femrës. Femrës që u burgos pse ishte në mbrojtje të vëllait, burrit apo nderit, femrës që ngarkohej me litar e ecte ditë e natë për të arritur në ferrin e Spaçit për t’i mbajtur frymën gjallë burrit, vëllait, apo të afërmit të saj. Vëmendje të veçantë ai i kushtoi femrës së huaj që ishte martuar me burrë shqiptar dhe që padrejtësisht u burgos nga komunistët si “agjente e huaj”, pa pasur absolutisht asnjë fakt apo provë juridike.

Vepra e botuar e Agim Mustës paraqitet si një dokument patriotik. Të gjitha temat dhe personazhet janë marrë nga burgjet dhe kampet e përqendrimit komunist të ngritura në kohë paqje.

Në veprët e tij do të gjejmë jetën e të burgosurit në burgun e Burrelit dhe në të gjitha burgjet dhe kampet e punës të ngritura në të gjithë territorin shqiptar.

Vepra e tij përshkrohet nga një frymë demokratike. Agim Musta nuk flet me gjuhën e konvencioneve, por ai pasqyron drejtpërdrejt realitetin e vërtetë në burgje e kampet e internimit.  Agim Musta është studiuesi dhe historiani i fakteve dhe provave të panumërta, një detyrë e rëndë kjo që Agim Musta ia doli me sukses.

Njeriu dhe qytetari

Për më shumë se 20 vjet në shoqëri me Agim Mustën e pashë çdo ditë, të veshur shik me kostum e kollaro që i ndërronte çdo ditë me këpucë të llustruara i rruar dhe i qethur, ishte shembulli i rregullit dhe paraqitjes dinjitoze. “Paraqitja, thoshte ai, është prezantimi i parë që bëjmë përpara shoqërisë dhe autoriteteve”.

Njeri me karakter, dinjitos, parimor dhe besnik i së vërtetës, i vendosur në misionin e tij dhe trim si dje në diktaturë edhe sot në liri. Mbi të gjitha ishte njeri modest, dinte të bisedonte me këdo me punëtorin apo profesorin. I habiste të gjithë me kujtesën e tij.  Ai ishte shembulli i një qytetari të mirë.

Gjithnjë i palodhur, në lëvizje të vazhdueshme, ishte në lartësinë e misionit të jetës së tij, të linte gjurmë për historinë dhe emisar i lirisë, në mbrojtje të të drejtave të të persekutuarve dhe të burgosurve.

Bilanci i punës së tij pas viteve ’90, është si askush tjetër t. Përveç veprave të botuara ka vështrime e shqyrtime të dhunës, krimit dhe terrorit komunist, kumtesa dhe artikuj problematik, zhvilloi polemika, dhe intervista të shumta, hartoi albume dhe bëri ekspozita.

Bibliografia e librave arrin në 14 vepra të botuara.   

Lufta kundër diktaturës, puna krijuese dhe botuese në demokraci mbeti  deviza e jetës së tij 90 vjeçare.

E takova së bashku me Dorian Nepravishtën, një muaj para se të largohej në amëshim, e ngushëllova për gruan që ishte ndarë nga jeta. E gjeta si gjithnjë të veshur e të paraqitshëm. I thash se së shpejti do të ngrihej e do të dilnim bashkë. “Aha Enver, më tha, dërrasa e kalbur, nuk mban gozhdë” Ishte i ndërgjegjshëm për fundin e tij.

Ai e kishte jetën të sigurtë me pensionin e veçantë që merrte nga shteti dhe mund ta kalonte kohën nëpër kafene, por ai punonte natë e ditë dhe projektonte se çfar do shkruante në të ardhmen.

Ishte modeli njeriut kërkues dhe vëzhguesh, veti që u shfaqën në veprën e tij. Ishte human e donte botën njerëzore, kishte shpirt të butë dhe kontribuoi që ajo të bëhej më e mirë

Punëtor i pa lodhur në fushën e studimeve dhe botimeve, në publicistikë, në radiotelevizion, njeriu besnik i miqësive, ëndërrimtari i i projekteve të së ardhmes, “Njeriu thoshte ai po pati një qëllim nuk vdes”, i palëkundur në qëllimet e tij dhe në udhën që kishte nisur, propagandonte gjithnjë për  njeriun e mundur, për të varfërit, mbi të gjitha fatin e tij e kishte lidhur me atdheun e tij .

Aftësia e tij për të gjykuar, komunikimi tij të linte mbresa.

Në ekranet televizive ai u largohej llafeve dhe i mëshonte faktit historik ç’kish parë dhe dëgjuar nëpër ferrin komunist.

I bëri të gjitha punët e një personaliteti mirë dhe në mënyrë shëmbullore si në diktaturë ashtu dhe në demokraci.

Përfundime

Gjykimi mbi veprën dhe shembullin që na la pas Agim Musta, si çdo personalitet tjetër, mund të bëhet vetëm mbi kohën dhe rrethanat historike, ku ai jetoi, ose sipas të famëshmit Luigji Pirandelo: “Para se të gjykosh jetën time, apo karakterin tim, vish këpucët e mia, ec rrugëve ku kam ecur unë, jeto dhimbjen, dyshimet, të qeshurat e mia, jeto vitet që kam jetur unë, rrëzohu atje ku jam rrëzuar edhe unë dhe ngrihu si unë”.

Agim Musta me veprën e tij ka bërë autopsinë e regjimit dhe i ka ngritur sistemit totalitar komunist një akt-akuzë, ku njerëzit vuajtën, u pushkatuan, u burgosën apo u internuan. Në atë sistem njerëzit humbën ëndërrat dhe shpresat më të bukura njerëzore. Ai trajtoi rezistencën pasive të shoqërisë shqiptare nën diktaturë. Dhe ajo që është më rëndësishme është fakti se Agim Musta është i pari që shkroi aktakuzën atij sistemi, pas tij erdhën shumë të tjerë, por ai mbeti mësuesi se si duhet shkruar për atë sistem çnjerzor. Si askush tjetër ai përqafoi shpejt dhe pa lëkundje avantazhet e lirisë  dhe i ngriti sistemit akt-akuzën.

Agim Musta si intelektual ka ditur të qëmtojë faktin, ngjarjen, personazhin që vuan në pranga, nën torturë, apo në galeritë e kromit, të bakrit etj. Ai i tregon vuajtjet me një gjuhë të thjeshtë elegante që lë mbresa tek lexuesi.

Agim Musta, falë aftësisë së tij për t’i lexuar në detaje personazhet dhe aftësisë për t’i analizuar ata i jep personazhet e shumtë të librave të tij me vërtetësi ashtu siç i ka parë dhe njohur, sepse ata megjithëse janë personazhe real me zotësinë dhe talenin e autorit ata bëhen personazhe përfaqësues si ata të vuajtjes dhe mjerimit ashtu edhe hetuesit, gjyqtarët, oficerët e sigurimit, policët e burgjeve etj.

Në veprat e tij Agim Musta edhe pse flet për ngjarje dhe personazhe real, ngjarja dhe personazhi bëhen përfaqësues.  Hetuesi çnjerzor komunist paraqitet në mënyrë mjeshtërore nëpërmjet figurës reale të përbindëshit Nevzat Haznedari.

Megjithëse vepra e Agim Mustës përshkruan gjerësisht botën çnjerzore komuniste, përsëri lexuesi shqiptar nuk duhet të ushqejë veten me iluzione se ia ka dalë të njohi krimet komuniste mbi populin shqiptar. Agim Musta thoshte se “edhe sikur deti të bëhej bojë dhe qielli të bëhej letër përsëri krimet komuniste do të donin hapsira më të gjera për t’u evidentuar”.

Si dëshmitar i vuajtjeve dhe mjerimeve të asaj kohe të zezë, Agim Musta kishte mendimin e drejtë se çlirimi dhe lirija nuk vjen domosdo nga rrëzimi i regjimit. Ai mendonte se askush nuk u gjykua dhe nuk u dënua për krimet monstruoze të komunistëve.

Është me shumë rëndësi ta shohim Agim Mustën si personalitetin që  me veprën dhe aktivitetin e tij u kthehu të burgosurve dhe të persekutuarve politik nga diktatura e Enver Hoxhës dinjitetin njerëzor dhe kjo e përsërisim është vlera e madhe e veprës së tij.

Ai nuk la të harrohen njerëzit e mundur, ata që vdiqën nën tortura, ata që mbetën sakat nga tortura dhe puna e rëndë në miniera, ata që vuajtën apo u gjymtuan nga ana mendore

Vepra e Agim Mustës është një kontribut i vlefshëm për ta njohur nga brenda ferrin komunist të Enver Hoxhës e Kadri Hazbiut, atë botë çnjerzore që kemi kujtuar se e njihnim.

Me veprën e tij Agim Musta synoi të zgjuajë shoqërinë të pranojë gabimet, krimet e të shkuarës dhe të jap mesazhe demokracie për të ardhmen. Ai synoi që njerëzit të besojnë te sistemi kapitalizmit popullor, udha ku po ecim. Ai synoi të sjellë besimin e shqiptarëve tek e ardhmja, që shqiptarët të besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Në artikujt publicistikë ai parashtronte përpara shtetit të tij që ata të ishin me të vërtetë shërbëtorë të popullit duke hartuar politika publike dhe për të mbrojtur të mundurit, apo ndryshe të varfërit. 

Me këtë veprimtari të shumëanëshme të filluar që në vitin 1990, Agim Musta siç thotë me të drejtë studiuesi Kastriot Dervishi, u bë mësuesi i një brezi të tërë publicistësh, gazetaresh dhe studiuesish për të shkruar për krimet e diktaturës komuniste 

Nuk njohim asnjë personalitet tjetër të pas viteve 1990 që të ketë kontribuar kaq fuqishëm dhe në shumë fusha për të hedhur dritë mbi historinë 50 vjeçare të diktaturës komuniste si Agim Musta.

Vepra e Agim Mustës shpreh konstitucionin shqiptar, dhe transmeton mesazhet e lirisë dhe demokracisë me të cilat pasurohet kultura shqiptare. Vepra e tij është një pasuri kombëtare.

Vepra e Agim Mustës është reale, e vërtetë deri në detajet më të vogla.

Agim Musta nuk ka shkruar vetëm kujtime, por  me mendjen e tij të ditur me studimet e thella të botës së vuajtjes dhe mjerimit ai nëpërmjet personazhit dhe faktit real, ai bën analiza dhe kështu shkruan historinë tonë nën diktaturë.

Disa emra që më tutje vazhduan udhën e Agim Mustës kanë dalë nga fletët e librave të tij dhe vetë jeta e tij e pasur.

Për të gjitha këto ai u vlerësua dhe iu dha pension i posaçëm nga shteti shqiptar.

Lot e vaj për Agim Mustën... Mos raftë në vesh të shurdhër ky shkrim.

Më ra jeta ta kem mik dhe me Suelën, vajzën e tij, punova në Ministrinë e Kulturës. Jam krenar që pata një mik të vlefshëm dhe të pa harruar si Agim Musta me të cilin ndieja kenaqësi kur takohesha dhe diskutonim bashkë me të.

Po e mbyll këtë shkrim dhe nuk më mbetet veç ngushëllimit të dy vajzave të tij.

Agim Mustën e përcjellin pas veprat e tij dinjitoze, që do të jenë sot dhe në të ardhem fakte për historinë e shumë vuajtur të popullit tonë. 

Ah sikur të ishte në jetë miku im i pa harruar dhe t’i ndiente gjykimet e mia për të, por s’ka gjë ato i ndiejne dy bijat e tij.

Shënim:

Një analizë të plotë të veprës së Agim Mustës autori këtij shkrimi e ka bërë si parathënie e librit: “Gjëmat e komunizmit në Shqipëri”, Tiranë 2001, f. 3 – 22

Ribotuar: Enver Memishaj – Lepenica “Kthimi i borxhit të madh” Tiranë 2009, f. 135 - 147

VEPRAT E AGIM MUSTËS

1-Mandelët e Shqipërisë 1992

2-Dosjet e gjalla 1995

3-Kush ishte Enver Hoxha 1996

4-Burgjet e shtetit burg 1998

5-Mjerim pa fund 1999

6-Harta e burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar 1944 – 1991, 2001

7-Gjëmat e komunizmit në Shqipëri 2001

8-Dëshmoj për të vërtetën 2004

9-Antologjia e plagëve nën terrorin komunist, bashkautor Vlë. 1 dhe 2 , 2005

10-Foto-album: Burgjet e diktaturës komuniste në Shqipëri, shqip, anglisht,   italisht, 2006

11-Libri i zi i komunizmit 2007

12-Mjeshtri i intrigës 2008

13-Kampet e internimit dhe trimat e dëshpërimit 2009

14-85 vjet në katër kohë2014

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...