Zjarri në Amazonë, nuk është i gjithi faji i presidentit Bolsonaro

E mërkurë, 28 August 2019 13:17

Propaganda e ngrohjes globale ka marrë yrysh këto ditë nga zjarret në basenin e Amazonës dhe përveç identifikimit të presidentit të Brazilit si armiku i popullit “global”, po shohim përditë se si propaganda e mjerë e Shqipërisë po mundohet të përfitojë prej kësaj ngjarjeje. Sensibilizimi ka kuptim, por më kuptim do të ishte që secili të bënte atë që i takon në vendin e vet, dhe më pas, të hedhë sytë për “ndihmë internacionaliste”. Budallallëqet që dëgjojmë pastaj për “pyllin orbital” të Tiranës (i cili s’digjet, sepse s’ekziston), për kurorën e Tomorit apo edhe për “mushkërinë e Delvinës” janë variacione komike të problemit qendror. Pyjet e Amazonës po digjen, por nga ato pyje nuk varet fati i botës. Ato po digjen, siç ndodh rëndom çdo verë, prandaj vëzhguesit e ditës të mos rendin pas berihajit. Mirë është t’i dëgjojmë të gjitha anët, të lexojmë edhe qendrimin tjetër, e të mos konformohemi pas qendrimit zyrtar, siç po ndodh sot në Shqipëri, që gjithçka duhet t’i ngjajë ERTV-së, sepse vetëm ashtu jemi “politikisht korrektë” me qeverinë. Me synimin për të ulur alarmizmin dhe për të qëmtuar ç’fshihet pas kryqëzatës anti-Bolsonaro, po sjellim qendrimin e një pene të njohur të gazetarisë italianë, Paolo Vietti-t.  Ilir Nikolla

***

Nga Paolo Vietti

(Il Foglio)

Fillimisht me një seri tweet-esh të egra e më pas me disa deklarata të shefit të kabinetit, presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro njoftoi se do t’i refuzonte 22 milionë dollarët e premtuara nga G7-a, si ndihmë për vendin e tij, në mënyrë që të luftohen zjarret që po godasin Amazonën (paçka se më pas, ai i tërhoqi deklarimet). Bolsonaro e sulmoi Emanuel Makronin, teksa tha se objektivi i vërtetë i presidentit francez është në fakt mbrojtja e agri-kulturës franceze nga konkurrenca braziliane, por qëllimet e tij po fshihen pas idesë së një aleancë të G7-s për të shpëtuar Amazonën, “sikur të ishim një koloni a toka e askujt”.

Prej ditësh po përballemi me alarmin për zjarret që po përpikan më të famshmet pyje tropikale të planetit, rrjetet sociale po përmbyten me imazhe dhe numra që rrëfejnë përmasën e katastrofës që po ndodh. Të famshëm nga e gjithë bota e muzikës dhe e sportit, ambientalistë, politikanë e aktivistë të ndryshëm i janë turrur sovranistit Bolsonaro, duke e bërë përgjegjës për shkatërrimin e “mushkërisë së planetit”. Kristiano Ronaldo, Madona, Greta Thunberg e Macron kanë postuar foto nga pyjet në flakë, edhe pse në fakt jo të gjitha fotot ishin nga Amazona (gjithsesi askush s’foli për fake news-e) dhe të gjitha këto postime mbylleshin me citimin se pyjet amerikano-jugore prodhonin “20 % të oksigjenit të planetit”.

Në fakt s’është fare kështu. Siç ka shpjeguar edhe “Guardian” para ca ditësh, konfirmuar edhe nga mjaft ekspertë të fushës, pyjet e Amazonës prodhojnë vetëm 6 % të oksigjenit të planetit. Bile s’mbaron këtu. Njëri nga ekspertët më të mëdhenj të mjedisit, një protagonist i paneleve të OKB-së që merren me ndryshimet klimatike, shkencëtari Dan Nepstad i ka shpjeguar “Forbes”-it se “pyjet vërtetë prodhojnë shumë oksigjen, por po aq shumë prodhojnë edhe fushat e mbjella dhe kullotat”. Bota nuk po shpyllëzohet, përkundrazi, vetëm në Evropë ka më shumë jeshillëk tani sesa para një shekulli. Njëkohësisht, shpjegonNepstad, alarmi mbi numrin e zjarreve të kësaj vere në Amazonë është një ekzagjerim i madh, sepse ky numër është vetëm pak më i lartë sesa mesatarja shumëvjeçare e 10 viteve të fundit. I njëjti konfirmim vjen edhe nga NASA, sipas saj, numri i zjarreve në Amazonë është në linjë me mesataren e 15 viteve të fundit.

Nëse llogarisim vetëm zonën e lumit të Amazonës, pra zonës strikt braziliane, numri i zjarreve të regjistruara sivjet është më i ulët sesa numri i 6 nga 10 vitet e fundit. Zjarret duhen shuar, kjo s’ka diskutim, gjendja është gjithsesi e rëndë, por jo më e rëndë sesa e sezoneve të tjera. Mobilizimi i tanishëm mbarëbotëror po shoqërohet me tone patetike dhe me akuza të papranueshme ndaj presidentit brazilian, a thua se nga çasti në çast pylli tropikal brazilian do të zhduket.

Në fakt, në fundvitet ’90 dhe deri në gjysëm të dekadës së parë të këtij shekulli, shpyllëzimi pat ecur me ritme shumë më të shpejta. Më pas, ky ritëm u ngadalësua me rreth 70 % për t’u rritur vetëm pak këto vitet e fundit. Sot për sot, 80 % e Amazonës është akoma aty, bile mund të shtoj se 50 % e të gjithë hapësirës është e mbrojtur me ligj nga shpyllëzimi.

Po si për shumë ngjarje që ndodhin “larg”, është rrëfimi ai që ndikon drejtpërdrejt atë që e lexon apo dëgjon lajmet mbi zjarret në Amerikën e Jugut. Në këtë pikë, mediat zmadhojnë, thjeshtojnë, dhe kur u vjen rasti, e sulmojnë armikun sovranist atje, pa u shqetësuar aspak për të verifikuar të dhënat. Ja një shembull: BBC ia atribuonte tymin që mbulon qytetin e San Paolos zjarreve, duke harruar se në fakt qyteti ndodhet 3500 km larg këtyre pyjeve e se në të vërtetë, që nga Paraguaji e deri në brigjet e Atlantikut, pranë qytetit San Paolo, ajo çka po prodhon tym ëshët djegia e bykut të drithërave bujqësore.

Po në ligjëratën tonë s’ka vend aspak për negacionizëm, zjarret janë aty dhe qasja e Bolsonaros s’e ka lehtësuar aspak zgjidhjen e problemit. Veçse fiksimi ambientalist është një arratisje nga problemi, një kurth ku po bien jo vetëm vip-at e rrjeteve sociale. Ka dy ditë rresht që Osservatore Romano, gazeta e Atit të Shenjtë ia kushton ballinën e saj Amazonës, duke i dhënë mesazhin botës së shëndeti i pyllit tropikal është gjëja më e madhe që po e shqetëson sot Papën, kur në fakt në meshën e të dielës ai veç sa e ceku këtë temë. Por të mos harrojmë, se për disa, krizat ambientale janë një rrobë që u shkon aq shumë, sa s’durojnë dot pa i veshur.   

Modifikuar më E mërkurë, 28 August 2019 13:28
Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...