Provimet e Maturës  si “punë për t’u mbaruar” e Ministrisë së Arsimit

Premte, 01 June 2018 20:54

Nga Mirela Karabina

Provimet e maturës, proces tejet i rëndësishëm për nxënësit, finalizimi i periudhës më të gjatë të shkollimit 12 vjeçar, duket se nuk është në prioritetet e punës së ministrisë përgjegjëse për Arsimin, është proces rutinë i saj.

Nxënësit këto ditë janë njohur me periudhën më të shkurtër kohore të zhvillimit të provimeve të maturës, dy javë për pesë provime. Ajo që bie në sy është turravrapi i ministres së Arsimit për të mbaruar shpejt e shpejt një proces  të rëndësishëm, Provimet e Shtetit.

Po, pse ky nxitim? Nxënësit janë aty, mësuesit janë aty, shkolla aty është, por, mesa duket, qëllimet e Ministrisë së Arsimit nuk janë aty, janë diku gjetkë.

Dhe, për habinë e të gjithëve, ministrja e Arsimit deklaron që këtë vit qenkërkën marrë masa që provimet do u zhvilluakërkan në palestra e korridore “për arsye sigurie dhe papërgjegjshmërisë së treguar nga mësuesit në provimet e kaluara”.

Arrogancë, shpërfillje dhe aspak transparencë e ministrisë përgjegjëse për Arsimin për një proces sa të rëndësishëm aq dhe të ndjeshëm.

Fakt është se, që në krijimin e këtij procesi, Maturës Shtetërore, provimet janë zhvilluar në palestra, korridore (ku ka qenë mundësia) dhe klasa, ndërsa penalizimet kanë munguar në drejtim të shkeljes së rregullave të Maturës, duke filluar që nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Arsimit.

Pra, kujt po i drejtohet ministrja me këtë “risi” të sjellë këtë vit?

Matura Shtetërore është një sistem provimesh përfundimtare që nxënësit (18 vjeçarë) japin në fund të arsimit të mesëm të lartë. I krijuar nga Ministria e Arsimit në vitin 2006, si një sistem që do të shmangte korrupsionin, mungesën e kontrollit dhe favorizimin që kishte karakterizuar sistemin e mëparshëm, provimeve të maturës do t’i shtoheshin (krahas provimeve të detyrueshme në lëndët Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e huaj) dhe dy lëndë me zgjedhje, varur nga preferenca e nxënësve për në fakultete. Pra, në këto dy provime përcaktohej drejtimi për në universitetin e dëshiruar nga nxënësi, ndryshe nga sistemi i mëparshëm, ku pranimi në univeristete bëhej me konkurs të zhvilluar nga vetë fakulteti përkatës.

Me kosto të lartë burimesh njerëzore dhe financiare, Matura Shtetërore si një proces i krijuar me argumentin e luftës ndaj  korrupsionit dhe mungesës së kontrollit, në fakt, duket se nuk ia ka dalë dot me problemin e administrimit të tij, aktin final, provimi në shkolla.

Faktet tregojnë se administrimi i provimit është një hallkë e dobët e këtij procesi, duke lëkundër besueshmërinë ndaj tij dhe duke sjellë modelin e deformuar të Maturës Shtetërore: drejtues të lartë të Ministrisë së Arsimit që hyjnë në shkolla pa autorizim për favorizime duke dëmtuar direkt procesin; drejtues të shkollave që favorizojnë nxënës dhe administratorë që nuk ndërhyjnë dot; mësues që abuzojnë me besimin e dhënë; mësues që ndihen të pafuqishëm për të ndaluar kopjimin masiv; teza që del nga përdorimi i celularëve brenda klasave; bllokues celularësh që janë vetëm si tregues të masave të marra, por që nuk funksionojnë etj.

Prandaj, me “të drejtë” Ministria e Arsimit duket sikur “shpik” një gjë të re për të mbuluar “çorbën” e gatuar në gjithë këto vite në dëm të nxënësve, mësuesve, familjeve shqiptare dhe shoqërisë.

Bazuar në detyrimin ligjor, ministria përgjegjëse për Arsimin duhet të sqarojë dy çështje tejet të rëndësishme në lidhje me provimet e maturës.

a)Çfarë zgjidhjesh  janë bërë për të rregulluar administrimin e provimeve të  maturës me qëllim që t’i japim nxënësve procesin e merituar dhe jo fomën e deformuar të tij?

b)Pse, me futjen në zbatim, më 2015-ën, të Ligjit të Arsimit të Lartë ku Universiteti është përcaktues i kritereve dhe lëndëve përzgjedhëse për t’u pranuar, ka vazhduar e njëjta skemë e provimeve të Maturës Shtetërore, provimet me zgjedhje?

Me demagogjinë që e karakterizon dhe jotransparente në veprimet e saj, kjo Ministri na paraqet, medemek, “palestrën” si  zgjidhjen e problemit të administrimit të provimit duke larguar vëmendjen nga problemet themelore që as këtë vit, siç duken, nuk do marrin zgjidhje.

Përgjatë këtyre viteve, administrimi i provimimeve të Maturës, jo vetëm nuk është përmirësuar, por ka degraduar duke shkërmoqur imazhin e shkollimit dhe edukimit, duke defomuar drejtimin e së ardhmes të nxënësve që janë mes dy pragjesh: mbarimit të arsimit të mesëm të lartë (AML), pra, dhe përfundimit të fazës së adoleshencës, dhe fillimit të një faze të re, arsimit të lartë dhe pavarësisë së tyre.

Dhe, zgjidhja këtë vit nga Ministria qenkëra palestra, një “plaçkë e vjetër” e vitit 2006 e paraqitur si “e re” në vitin 2018.

Por, një tjetër problem themelor ka  prekur Maturën Shtetërore në këto tre vite dhe nuk ka marrë zgjidhje ende, as këtë vit, duke sjellë mbivendosje institucionesh, çoroditje të nxënësve, kosto për to dhe familjet e tyre.

Me futjen në fuqi, më 2015-ën, të Ligjit të Arsimit të Lartë ku Univesiteti përcakton kriteret dhe përzgjedh lëndët sipas fakulteteve përkatëse, skema e Maturës Shtetërore vazhdoi e njëjtë, pra përsëri me provime me zgjedhje të cilat ishin të tilla për të çuar nxënësin drejt fakultetit të dëshiruar.

Pra, jokoherencë mes dy cikleve të shkollimit, ku institucioni i arsimit të lartë (pranimi në universitete në këtë rast) vepron me ligjin e ri, ndërsa arsimi i mesëm i ulët (AML, arsimi parauniversitar, pra në këtë rast provimet e maturës) vazhdon me skemën e vjetër.

Pra, si mund ta quajmë këtë?

Dhe, sot jemi përballë këtij fakti: provime me zgjedhje në Maturën Shtetërore dhe universitete që përcaktojnë vetë gruplëndët përkatëse.

Çfarë bëri kjo Ministri për të zgjidhur problemin madhor të krijuar nga ajo vetë?

Çfarë bëri për t’i krijuar mundësinë nxënësve të zhvillonin lëndën e përzgjedhur në shkollë dhe jo në pamundësi të infrastrukutës dhe burimeve njerëzore të shkojnë në zgjedhje të detyruar?

Por, mesa duket për këtë Ministri qenka e vështirë të ketë parimin bazë: qëllime të moralshme.

Nëse po, atëherë ky proces do ishte përmirësuar dhe nuk do kishte kontestime të vazhdueshme për mënyrën se si ai administrohet dhe fazës së dytë të tij, pranimit në universitete; nxënësit nuk do kishin një model të shkruar dhe një model të deformuar të zbatuar të Maturës Shtetërore.

Me vullnet dhe me dëshirën për të bërë më të mirën, ministria përgjegjëse për Arsimin duhet të kishte ndërtuar në vite strategji përmirësimi duke filluar me përmbajtjen: krijimin e sa më shumë alternativave testesh në mënyrë që të ulte rrezikun e prishjes së procesit; mësues të trajnuar dhe të përgjegjshëm; marrjen e masave rigoroze ndaj celularëve; dhe zbatimit të penalizimeve në rastet e shkeljes së rregullores së provimit.

Zbatimi i Ligjit të Arsimit të Lartë, me nxjerrjen e akteve nënligjore të munguara nga ministria përgjegjëse e Arsimit, do vendoste universitetet në rolin e tyre të kërkuar: pavarësinë instituciuionale dhe menaxhim vetë të procesit nëpërmjet lehtësimit të pranimit në universitete, duke krijuar vazhdimësinë midis dy cikleve. Ndryshimi i rregullores së Maturës Shtetërore duke iu përgjigjur ligjit të ri të arsimit të lartë do qartësonte dhe lehtëson orientimn e nxënësve drejt fakulteteve.

Por, fatkeqësisht, këto nuk po ndodhin dhe zgjidhja do të jetë, “palestra”, “korridori”, “dera” dhe ndoshta edhe “oborri”.

Qesharake deri në dhimbje.

E mbetur në këtë situatë të rëndë,  të cilën vetë ajo e ka krijuar, ministria, sigurisht, zgjidhjen do ta kërkojë tek disa degë anësore duke mos iu afruar trungut, dhe duke u larguar gjithnjë e më shumë nga rrënjët.

Por, nuk kemi të bëjmë aspak me një çështje të thjeshtë, kemi të bëjmë me drejtimin e fëmijëve, orientimin e tyre drejt së ardhmes. Dhe, kjo e ardhme e drejtuar nga shkolla, duhet të jetë e sigurtë. Prandaj dhe ministria përgjegjëse për Arsimin nuk duhet të bëjë “sikur” dhe ta konsiderojë këtë proces si “rutinë”, por, me detyrimin institucional ajo duhet të ndërtojë strategji zgjidhjeje për të vendosur këtë proces në rrugë të drejtë për forcimin e rolit të shkollës në drejtimin e qartë të nxënësve drejt së ardhmes. Këtë duhet të kishte bërë gjithë këto vite ministria përgjegjëse për Arsimin.

Modelin e deformuar që ajo ofron sot, do mbajë  “vulën e zezë” të ministrisë përgjegjëse për Arsimin: ndërtimin dhe orientimin e një shoqërie të deformuar që në gjenezë.

Dhe, fatkeqësisht, me politikat qeverisëse  kjo po ndodh.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...