Maqedonia heq pseudonimin, Greqia i vë mbiemër

Hënë, 18 June 2018 18:09

Maqedonia e Veriut, si leku shqiptar:  Grekët do t’i thonë “lekë të rinj”. Maqedonasit “lekë të vjetër”.

 Nga QEMAL SAKAJEVA

Kur dy shtete, për një çështje në konflikt arrijnë në zgjidhje, ato duartrokiten pa u qortuar, ngjashëm si në thënien e njohur: “Fituesi nuk gjykohet!”

Shembulli më i fundit janë Maqedonia dhe Greqia, të cilat u përgëzuan e u mbështetën botërisht, me t’u njoftuar se Shkupi dhe Athina arritën kompromisin për daljen nga bllokimi i gjatë, duke i shtuar emrit të vendit një  mbiemër, dhe nën shkrimin e marrëveshjes në Prespë, më 17 qershor 2018.

Me këtë gjetje,të pranuar nga të dy palët, përfundimisht:

Maqedonia  heq pseudonimin FYROM, i vënë nga OKB  -  Former Yugosllav  Republic of Macedonia, anglisht;  Поранешна Југословенска Република Македонија/Poranešna Jugoslovenska Republika Makedonija  - ПЈРМ, maqedonisht; Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë  - IRJM, shqip.

Greqia i vë mbiemër -  Maqedonia e Veriut, me gjithë rrjedhimet që pasojnë ndryshimin. 

Para 27 vitesh, saktësisht  më 1991, grindja mes dy shteteve fqinjë, për emrin Maqedoni dhe Yllin shumëcepësh  të Vergines në flamurin e shtetit të sapopavarësuar, pati mbërritur  në zyrat e OKB si diçka qesharake. Pas 27 vjetësh, mënyra e gjetjes, duke i shtuar emrit të shtetit vetëm mbiemër (orientimi  gjeografik), të bën të thuash: Për çfarë janë grindur? Pse aq i gjatë bllokimi?!

Brenda një çerek shekulli qenë forcuar theksimet e kundërta: Shkupi  nuk pranoi të ndryshonte emrin e vendit, qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski  e mbushi Maqedoninë me simbolin e Aleksandrit të Madh.

Greqia, edhe pse i normalizoi marrëdhëniet me Maqedoninë, u bë edhe më e  pamëshirshme në bllokimin e saj, pa dhënë asnjë shenjë  tërheqjeje.

I dërguari personal i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Methju Nimic (Matthew Nimetz), për gjithë këtë kohë të gjatë nuk arriti dot t’i afrojë palët për ndryshimin e emrit.

Politika greke ka këmbëngulur që emërtimi i  vendit fqinj të ndryshonte me themel, domethënë  deri aty sa, edhe nëse do të ishte  i  përbërë,  emri Maqedoni kurrsesi të mos ishte pjesë e tij.

Politika maqedonase  ka këmbëngulur gjithmonë që, nëse s’ka rrugë tjetër veç domosdoshmërisë për ta ndryshuar, emri  Maqedoni të jetë patjetër në thelb të zgjidhjes me kompromis, sepse  kështu e njohin  vendin 104 shtete të botës.

Të dy palët, kryeministri Zoran Zaev i Maqedonisë dhe kryeministri Aleksis Cipras i Greqisë,  mbrojtën interesat e tyre kombëtare, secili me gjysmën - Shkupi duke ruajtur emrin Maqedoni, Athina duke i detyruar mbiemër.

Maqedonia  ka humbur kohë shumë të gjatë, aq sa më vonë atje edhe mund të thuhet: “Pse nuk e shtuam  “e veriut” qyshkur? Ky mbiemër nuk  i heq thelbit asgjë?!”

Greqia nuk e fshiu dot emrin  Maqedoni  as për 27 vjet, ndaj, dikur, atje edhe mund të thonë: “Po për çfarë bllokuam një çerek shekulli?! Maqenoni ishte, Maqedoni mbeti?!”

Mbetja e emrit Maqedoni në emrin e  kompozuar me mbiemër, grekëve do t’u dhembë përherë si një dhëmballë të cilës dentisti ia ka hequr kurorën, por rrënjët i kanë mbetur në thellësi të nofullës. Nëpër shumë breza do të sillet paradoksi i madh, mes zyrtares dhe jozyrtares, mes të brendshmes dhe ndërkombëtares, domethënë ndryshe do të jetë emri i shkruar në dokumente dhe ndryshe emri i folur nga populli. E gjithë përpjekja  politike, diplomatike e gjuhësore do të çojë në një dukuri të mëpasme, le të themi, ngjashëm  me ndryshimin e lekut shqiptar në vitin 1964. Atëherë raporti i vlerës së lekut u caktua 1 me 10, domethënë kartmonedhës 100 lekëshe iu hoq një  zero dhe kartmonedha e re u bë 10 lekë. Ky veprim arithmetikor qe fare i pangatërruar për mbajtësit dhe përdoruesit e lekut. Kjo bëri që shqiptarët, edhe pas 54 vjetësh, domethenë dy breza njerëzorë njëri pas tjetrit, ndërsa në dorë mbajnë kartmonedhë të “lekëve të rinj”, me gojë vlerën ia thonë me  “lekë të vjetër”.  

Nëse Athina do ta mbështjellë pakënaqësinë me elegancë, mërzitja e  Shkupit do të jetë e ambalazhuar me një gëzim të fshehur. Maqedonasit, ashtu siç kurrë nuk pëlqyen të thirren e vetëthirren  me emrin FYROM, gjithmonë do të pëlqejnë, do të kërkojnë, do të vetëthirren me emrat Maqedoni, maqedonas dhe maqedonisht.

Njëlloj si në rastin e lekut shqiptar me vlerë të ndryshuar: 

Grekët do të lexojnë siç shkruhet në hartë  - Maqedonia e Veriut (domethënë “lekë të rinj’).

Maqedonasit do të thotë siç flitet në popull - thjeshtë Maqedonia (domethënë “lekë të vjetër”). 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...