“Emigrim” shtetesh?!

Hënë, 23 July 2018 18:32

Rusia e do Bashkimin Europian si Bashkim Sovjetik në shpërbërje

Nga Qemal SAKAJEVA

Emigrim njerëzish ka pasur gjithmonë,  madje s’janë ndërprerë as zhvendosje popullatash të tëra.  Dhe kurrë nuk do të  mund të ndalen. Historia i ka shënuar këto dhe shkaqet e tyre.  Por kaosin e hershëm, i ngjashëm me të sotmin, e përcjellin edhe gojëdhëna të lashta  si kjo: Një turmë njerëzish  ecnin nga jugu drejt veriut, ndërsa një grup tjetër zbriste nga veriu për në jug. Ata u takuan diku gjatë shtegtimit të tyre të kundërt, dhe pyetën njëri - tjetrin:

-Për ku kështu?

-Për në veri. Na kanë thënë  se atje është më mirë.

-Po ju, për ku?

-Për në jug.  Kemi dëgjuar se atje është më mirë.

Gati-gati si në kohërat tona të pasigurisë, kur “nuk dihet se ku është më mirë”. Madje as në shkallë vendesh, përderisa jetojmë  kur ndodhin ose rrezikojnë të ndodhin  edhe “emigrime” shtetesh.

Ishte një periudhë e gjatë para pak viteve,  që fjala Grexit e formuar nga bashkimi i fjalës “Greek” ose “Greece” me fjalën  angleze “Exit”, domethënë Greece Exit = Greek exodus = Greek exit from the EU, që në shqip ka të njëjtin kuptim si dhe në anglisht - dalje e Greqisë nga Bashkimi Europian -  e krijuar nga Ebrahim Rahbari i Citigroup, e publikuar së pari në një letër me autorë Rahbarin dhe shefin e Citi, ekonomistin William Buiter, pra ky fjalëformim mbisundoi  politikën e BE-së, përmbyti mediat e gjithë botës, përfshiu specialistë të njohur. Kjo fjalë origjinale e krijuar në shkurt të vitit 2012, sipas gjuhëtarëve është ndër  më të rrallat fjalë, tashmë e futur në fjalorët e mëdhenj të gjuhës angleze, të cilës i dihet data e saktë e krijimit dhe etimologjia e saj. Por,  në kulmin e rrezikut  nga Grexit,  Greqia nuk  kërkonte të dilte nga Bashkimi Europian.  Athina i ndryshoi qeveritë përmes zgjedhjeve dhe çdo qeveri  vetëm  lypte para pa numërim për të përballuar borxhin gjigand,  nga që qeveritë e ndryshme njëra  pas tjetrës i kishin bërë financat e shtetit “rrush e kumbulla”.  Zëra të rëndësishëm nga  nivele të larta të BE-së, të gjendur para malit grek të borxheve, shpreheshin me zemërim kundër  shpenzimeve të shfrenuara nga elitat greke, duke thënë edhe më të fundit : Le të dalë!  Zëra të tjerë këmbëngulnin për ndihmë me hua qindra miliardshe, sepse Grexit do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e BE-së, domethënë  mund të ndodhte një reaksion reversibël, domethënë  i  dykahshëm, siç quhet në kimi. Ndërsa në politikë në formën e integrimit të shteteve  (projekti  gjigand i Europës së pas Luftës së Dytë Botërore)  dhe ç’integrimit  të  shteteve për arsye të ndryshme, deri edhe për keqadministrim të financave. Rasti  grek  u bë shembulli më  klasik dhe  përcolli frikë ndër anëtarë të pasur të BE-së, përfshi Britaninë e Madhe,  të cilët i administrojnë  mirë  financat e tyre.

Kjo dhimbje kreje shumë e fortë për Bashkimin Europian, e shkaktuar  në  skajin më jugor të tij, pak më vonë u  transferua m’u në veriun e vet në formën e Brexit = British exit from the EU, domethënë dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, gjuhësisht diçka krejt simetrike me Grexit, por për shkaqe krejt të tjera, dhe me pasoja tronditëse. Nëse për Greqinë kishte zëra kritikë të fuqishëm, që edhe thoshin “le të dalë!” (pra të emigrojë jashtë BE-së),  për Britaninë e Madhe  shqiptohej  me drithërimë vetëm lutja  “mos dil!” (domethënë mos emigro nga BE).

Por ikja ndodhi. Brexit u bë një precedent i paimagjinueshëm me frymën përcjellëse. Britania e Madhe, edhe pse  gjendet m’u në veri të Europës,  një vend  ishullor i rrethuar me detra dhe oqean, edhe vala e pandalur e emigrantëve duket se e ndikoi së tepërmi mendimin e votuesve për të dalë nga BE, jo vetëm për nga numri i tyre i jashtëzakonshëm e i paparashikuar, por edhe nga frikësimi që kanë përcjellë shtete anëtare dhe jo anëtare të Bashkimit  Europian. Studiuesit Ron Hassner dhe Jason Witenberg  shkruajnë se, nga 51 kufij të fortifikuar,  të ndërtuar  ndërmjet  vendeve që pas përfundit të Luftës së Dytë Botërore, rreth gjysma e tyre janë  ngritur mes  viteve 2000-2014. Bota është mbushur plot me gjerdhe:  gardhi ekzistues Meksikë-SHBA (po ngrihet muri gjigant, zotim elektoral i Presidentit Tramp), muri  Izrael - West Bank,  gardhi Arabi Saudite - Jemen, gardhi  Hungari - Serbi, gardhi Kroaci - Serbi, gardhi që Austria mendoi të ndërtonte në kufi me Italinë, gardhi Maqedoni - Greqi, gardhi Bullgari - Turqi.  Revista angleze “The Economist” shkruante që, “Europa do të ketë më shumë barriera fizike në kufijtë e vet kombëtarë se sa pati gjatë Luftës së Ftohtë”.  Gjithë kjo pamundësi dhe frikë ka krijuar mendimi se Bashkimi Europian nuk është i integruar sa duhet përderisa nuk ka fuqinë për t’u vetmbrojtur.  Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE, siç ka thënë Michael Kuntest, drejtor i Infratest - dimap, “Europa do të bëhej më “jugore”.  Këtë ide, në mënyrë të pavarur, e ka theksuar më ashpër Gunttram Wolff nga Qendra Kërkimore Bruegel në Bruksel, duke thënë që, “ Ne do të mbetemi vetëm me të gjitha shtetet e Mesdheut që përfitojnë të shpenzojnë para dhe me preferencën e tyre për rishpërndarje, dhe neve do të në duhet të paguajmë për ta. Kjo është frika e madhe”.

Përkundër  Britanisë së Madhe që “emigroi” nga  BE (ish-kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson  pati thënë para publikut  se “ BE është një hiç”),  6  vendet e  Ballkanit perëndimor  përpiqen të futen në BE, e nuk munden.

E gjithë kjo zhvendosje  shtetesh  ngjan  paksa  si  në rrëfimin e hershëm  të  lëvizjes  së  popullatave.  Por për  vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi në BE  mbetet qëllimi më  i madh, gjithësesi  me diferenca të dukshme mes tyre: shqiptarët, të Shqipërisë dhe të Kosovës, mezi presin të anëtarësohen; Mali i Zi e ka përcaktuar  qartësisht  prirjen  kah  Bashkimi Europian, duke flakur tej ndikimin serb dhe rus;  Maqedonia  është e  vonuara e madhe për shkak të nacionalizmit maqedonas; Serbia është një vend që kërkon të ketë “dyshtetësi”,  të mbajë pasaportën e Rusisë dhe të përfitojë  pasaportë  të  BE-së;  ndërsa  Bosnjë-Hercegovina  sillet  të  jetë e kushtëzuar me çfarë i thuhet  Republikës Srpska nga Beogradi.

Agresiviteti  i Rusisë nuk vjen nga armatimi i saj, por nga mendimi politik rus se,  Bashkimi Europia nuk është i fuqishëm  me shtete që duan  të futen e s’futen dot  dhe shteti i rëndësishëm – Anglia, që iku e nuk e ndalën dot të ikë!

Rusia  do ta donte Bashkimin Europian si një Bashkim Sovjetik në shpërbërje.

Modifikuar më Hënë, 23 July 2018 18:33
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...