Kush do ta pengojë ndarjen e Kosovës?

Tuesday, 28 August 2018 18:12

Nga Arben Cejku

 

Marrëveshja e Kosovës me Malin e Zi për demarkacionin, kaloi nëpër diskutime dhe tensione të mëdha publike e politike (pati zgjedhje te parakohshme), ndërsa u tha, se “për hir te liberalizimit të vizave”, vendi humbi disa hektarë tokë. Presidenti Thaçi u investua personalisht në arritjen e akordit duke përdorur një artificë presidenciale në përcjellen e dokumentit drejt Kuvendit. I gjithë ky debat i mori Kosovës dhe institucioneve të saj shumë kohë dhe energji, aq sa ajo rrezikoi të rikthehej në ciklin e krizës politike të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Por e gjithë zhurma e përcaktimit të kufirit me malazezët do të duket si një shkreptimë e lehtë, në krahasim me bubullimën, që mund të pasojë kapitullin e ri të bisedimeve Prishtinë – Beograd, që zyrtarisht rifillojnë me 7 shtator në Bruksel. Nga deklaratat publike që janë bërë prej presidentëve Thaçi e Vuçiç, është krijuar përshtypja se ata tashmë e kanë gati një Marrëveshje, por gjithë beteja është se si do ta paketojnë dhe shesin atë. 
Dalja e parë e zotit Thaçi me tezën e “korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”, u duk si një rrufe në qiell të hapur! Ai, me qëllim e tërhoqi vëmendjen tek aspirata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, për ta përdorur atë si një gjethe fiku, për të mbuluar lakuriqësinë e pazareve, që lidhen me idenë e kalimit nën Serbi të veriut të Kosovës. 
Vetë zoti Thaçi, në një komunikim të gjatë me median me 3 gusht 2018, e paralajmëroi pamundësinë e shkëmbimit të veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, por debati për këtë i shërbeu si një urë për të kaluar direkt në temën e korrigjimit të vijës kufitare në veri të Kosovës.”Nuk dua të tingëllojë aspak pesimist, por më duhet ta theksoj për hir të opinionit publik, se në rast se dështoj duke e bërë këtë përpjekje historike (bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën), unë nuk do të jem i turpëruar se kam bërë përpjekje për ta korrigjuar ketë padrejtësi historike”- tha ai.
Personalisht nuk dua ta përjashtoj si mundësi strategjinë që ka patur (dhe mbase ende e ka) Thaçi për të përfshirë Luginën e Preshevës në diskutime me Beogradin si mekanizëm mbrojtje kompensimi dhe presioni, në raport me koncensionin që pala serbe i kërkon atij në veri, si kusht për njohjen e pavarësisë. Por nga ana tjetër, duket se, siç tha dhe zoti Ali Ahmeti (Kryetar i BDI), “Thaçi nuk ka ndonjë strategji për shqiptarët e Luginës”. 
Centrifuga e negociatave e ka vënë në qendër presidentin e Kosovës dhe ai po e ndjek trajektoren e saj në gjendje të lirë, i vetmuar së brendshmi dhe i paqartë së jashtmi. Së brendshmi, ka kundër thuajse të gjithë faktorët, përfshi dhe parlamentin, ndërsa së jashtmi, në rresht me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe janë edhe shumë vende të tjera, që nuk pajtohen me idenë e proklamuar. Jo më kot, në Alpbach ai kërkoi të largojë mjergullën nga marrëveshja që po negociohet. “Shtetet e rajonit, shtetet anëtare të BE-së ose shtetet e tjera të botës nuk duhet të kundërshtojnë ose të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë mund të nënkuptojë korrigjimin e kufijve”.
Gjithësesi, kaosi që krijoi dhe debatet që hapi, e ndihmuan atë që të vijonte më tutje me shpalosjen e thelbit të Marrëveshjes, që duket se do të jetë një shkëmbim “kozmetik” i territorit të veriut të Kosovës me njohjen e pavarësisë nga ana e Serbisë dhe jo shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë. Se sa i thellë do të jetë ky “korrigjim kozmeti”, do të shihet në muajt që vijnë, por në thelb, kjo “kozmetikë” lidhet me çmimin që u dashka t’i paguajë Kosova fqinjit të vet, Serbisë për një karrige në Kombet e Bashkuara! Ky, së paku është edhe preludi i bisedimeve të reja, i ravijëzuar nga dyshja Thaçi – Vuçiç dhe me “mirëkuptimin” e disa burokratëve në Bruksel dhe rajon. 
Mbështetësit e tezës së “korrigjimit të kufijve / shkëmbimit të territoreve”, po përpiqen ta paraqesin atë si një “kreativitet”. Në fakt, kjo tezë u hap dhe u mbyll me ish-Kryeministrin serb, Zoran Gjingjiç. Kjo platformë është rimarrë (riporositur) nga Presidenti Vuçiç dhe i është përcjellë opinionit publik vendas e ndërkombëtar si një risi e ardhur nga Nenad Vasiç i Institutit të Politikës Ndërkombëtare dhe Ekonomike (IIPE), një think-tank serb pro-qeveritar dhe nga Qendra e Studimeve Euro-Atlantike (CEAS), nje tjeter think – tank serb, që mbështet politikën euro-atlantike të vendit si një opozitë kundër influencës ruse. 
Në thelbin e dy raporteve që janë shpërndarë, njëri në Mars 2018 dhe tjetri në mes të korrikut, promovohen idetë “kreative” që ndihmojnë debatin e brendshëm serb për gjetjen e një rrugëdaljeje nga status quoja e dialogut me Prishtinën. Aleksandër Vuçiç u kërkoi serbëve të tij që të përgaditen për një “kompromis të dhimbshëm”, në raport me fazën finale të dialogut me Kosovën. Kjo, natyrisht nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pra, ai i fton ata të pranojnë një fakt që ekziston që nga viti 1999 dhe sidomos pas vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, u deklarua në favor të aktit te shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës. Por për të “ruajtur fytyrën e zotit Vuçiç” (siç thotë CEAS), i cili duhet të panojë pavarësinë e Kosovës (de jure), si shkëmbim i duhet dhënë atij Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku dhe Leposaviçi. 
Si në këto “propozime kreative”, ashtu edhe nga presidentët Thaçi e Vuçiç, u kërkua që të mos ketë trysni nga jashtë, sepse siç thanë ata, Serbia e Kosova kanë kapacitet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre, duke synuar një pajtim dhe marrëveshje historike. 
Që Serbia ka kapacitete të negociojë dhe të dominojë dialogun, këtë nuk e vë në dyshim, por që edhe Kosova ka të njëjtën fuqi negociuese, këtë pak e besoj. Serbia, pavarësisht se sa të drejtë ka në pretendimet e saj ndaj Kosovës, ka treguar fuqi më shumë se Kosova në tre drejtime; së pari, në ndërtimin e një kohezioni të brendshëm, së dyti ka udhëhequr debatin me ide, teza, oferta dhe zgidhje që synojnë kompromis dhe, e treta, ka përmisuar ndjeshëm raportet me Uashingtonin, duke kompleksuar vetë Kosovën, e cila ende nuk po arrin ta gjejë fillin me administratën e re Trump. Ndoshta këtu e ka pikënisjen paniku që ka zënë Presidentin Thaçi, i cili nxiton për të marrë njohjen e pavarësisë nga Serbia, pavarësisht kostos së cënimit të sovranitetit dhe integritetit të vendit të tij. 
Kosova ishte dhe mbetet projeksion i një zgjidhjeje gjeopolitike të vendeve demokratike perëndimore, të cilat e çliruan atë dhe ja njohën pavarësinë. Asnjë nga këto vende, përfshi edhe SHBA, nuk i kanë vënë kushte Kosovës për të ndryshuar kursin e bisedimeve me Serbinë. Kosova ka bërë një rrugë të gjatë nën protektoratin dhe mbështetjen miqësore të këtyre vendeve dhe nuk ka kuptim që, krejt pa pritur t’u kërkohet atyre të largohen, meqë një ditë të bukur, ujku dhe qingji duan të bisedojnë vetëm!
Me zbulimin e platformës së negociatave të radhës mes Prishtinës dhe Beogradit, Presidenti Thaçi e ka ndihmuar opinionin në Kosovë dhe miqve të saj; ka shpalosur rrezikun real që i kanoset sovranitetit dhe integritetit të Kosovës në bisedimet e radhës dhe, për më tepër, rrezikun e precedentit që do të krijonte një “korrigjim” kaq shumë “kreativ” për kufijt e stabilitetit të rajonit tonë. Nga kjo pikënisje, them se vigjilenca e Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar do vijë duke u rritur dhe në tryezën e Brukselit, nuk besoj se do të jenë vetëm Vuçiç e Thaçi. 
Pavarësisht se Presidenca Trump po ballafaqohet me sfidat e brendshme dhe ndërkombëtare, politika e jashtme dhe ajo e siigurisë e SHBA, nuk kanë asnjë nxitim dhe presion që të lejojnë rajone si Ballkani Perendimor, që të hyjnë kaq lehtë në aventura të tilla, ku ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimet me territore dhe popullsi të kthehen në një model stabiliteti (!). Precedenti i korrigjimit të kufirit me Kosovën do të ishte një kartë e fortë në duart e Serbisë, por edhe të Rusisë, për të bërë korrigjime “kozmetike”, që mund të përkthehen në marrje (pushtim) rajonesh si Krimea…Të gjitha rastet që përmend Thaçi, kanë qenë mirëkuptime dhe marrëveshje mes shtetesh sovrane, ndërkohë që ai ulet në tryezë me një shtet që nuk e njeh si të barabartë, por si ish-krahinë autonome. 
Duhej që Beogradi, së pari të njihte pavarësinë e Kosovës dhe më pas, dy shtetet fqinje të diskutojnë për demarkacionin. Mos të harrojmë se në 2009 Maqedonia dhe Kosova patën vështirësi në demarkacionin në një pikë afër Kumanovës, për shkak të delimitimit që kalonte në mes pronave të disa shqiptarëve. Ndaj, nuk ka asnjë garanci që Kosovës do t’i njihet pavarësia nga Serbia në fund të një procesi që mund të zgjasë me dekada! Njohja në fillim, dhe pastaj dialog mes të barabartësh! Ky do të ishte një fillim serioz për të gjitha palët.
Kosova, e cila nuk e ka emergjencë njohjen nga ana e Serbisë, pikërisht për disa rrethana që janë krijuar rreth saj, duhet të fitojë kohë dhe nuk duhet të nxitojë! 
Atë që bëri Serbia deri tani, duhet ta bëjë Kosova, derisa të rimarrë vëmendjen e duhur amerikane dhe të konsolidojë pozicionet që ka patur deri tani, falë mbështetjes ndërkombëtare. Presidenti dhe Kryeministri, të cilët kanë reflektuar qëndrime të kundërta për korrigjimin e kufijve (si dikur në kohën e demarkacionit me Malin e Zi), duhet të ulen së bashku me partitë politike dhe parlamentare, për të rritur fuqinë e negociimit me Beogradin dhe jo për të përdorur këto negociata për kapital politik. Po ashtu, Presidenti, në vijim të deklaratës së tij,duhet të jetë më konkret, më i drejtpërdrejtë me shtetasit e tij dhe, para se t’i ftojë ata në referendum për të pranuar apo refuzuar Marrëveshjen Beograd – Prishtinë, duhet t’u japë atyre transparencë për hapat që bëhen. 
Paketa Ahtisari, që kornizoi pavarësinë dhe kushtetushmërinë e Kosovës, erdhi si rezultat i negociatave të vështira Beograd – Prishtinë, që u zhvilluan me mbështetjen ndërkombëtare dhe me prezencën konsensuale të përfaqësuesve të Kosovës. Ajo paketë nuk qe një karramele për Kosovën, por megjithatë, falë unitetit të klasës politike të asaj kohe dhe vullnetit për shtetbërje, u kapërcyen shumë vështirësi dhe Kosova bëri progresin e duhur. Elita politike e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe shembujt e mirë për të arritur një konsensus, jo theshtë për të parin e delegacionit, por për të parën e çështjeve që do të diskujë delegacioni dhe, në rastin konkret kryeçështja që thuhet se do të diskutohet është kompromisi për humbjen e një pjese të territorit, në këmbim të njohjes de juro që duhet të bëjë një vend fqinj. 
Uniteti i brendshëm në Kosovë është një emergjencë kombëtare dhe një nga shtyllat që do të mbrojë arritjet e deritanishmë të Kosovës. Presidenti dhe Kryeministri duhet të ftojnë në tryezën e dialogut të gjithë faktorët dhe kjo tryezë duhet të krijojë consensus për hapat e mëtejshëm. Në të kundërt, kriza e brendshme politike, do të pengojë edhe vetë dialogun. 
Në planin ndërkombëtar, Kosova duhej të kish përshëndetur deklaratën e Kancelares Merkel dhe qëndrimet e Britanisë së Madhe, që janë kundër ndarjes së Kosovës, ashtu sikundër diplomacia e Kosovës dhe Shqipërisë, duhet të gjejnë kanale komunikimi me administratën e re Trump, jo thjeshtë për Kosovën por edhe për hir të stabilitetit të rajonit. Më parë se të jenë SHBA, Gjermania, Anglia, NATO etj, pengesë për ndarjen e Kosovës, duhet të jetë vetë Kosova dhe institucionet e saj, duke penguar çdo faktor që synon gërryerjen e sovranitetit, integritetit dhe kushtetutshmërisë së vendit! 
Arben Çejku

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...