Kosova duhet të ketë kujdes nga opsionet e ngutshme me pasoja afatgjate

Premte, 31 August 2018 08:56

Nga Augustin Palokaj

Serbia duket se e ka arritur një qëllim në qasjen e saj: të krijojë përshtypje se pavarësia e Kosovës, pa pajtimin e Beogradit, ka qenë zgjidhje e gabueshme, e paqëndrueshme dhe jopërfundimtare. Tash po gjen mbështetje edhe nga pjesë të administratës së presidentit Trump të obsesionuar për të dëshmuar se secili veprim i të gjitha administratave të mëparshme amerikane ka qenë gabim dhe tash duhet të përmirësohet. Edhe porositë e kundërshtarit të pavarësisë së Kosovës, Bolton, se nuk duhet penguar marrëveshjen për “korrigjime të kufijve” shkon në këtë drejtim. Këto janë pasojat e mëdha të dialogut në Bruksel i cili, pos dëmeve të tjera, ka krijuar ndasi edhe në Kosovë, edhe në qëndrimet e pjesës perëndimore të bashkësisë ndërkombëtare, e cila e ka koordinuar ecjen e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Para disa muajsh Holanda dhe Belgjika kanë arritur një marrëveshje historike për korrigjimin e vijës kufitare. Me këtë e kanë zgjidhur një kontest territorial të gjatë më shumë se 100 vjet dhe e kanë zgjidhur edhe një problem praktik. Fjala është për një pjesë të bregut të lumit Maas. Lumi gjatë viteve ndryshon pak rrjedhën e tij. Kështu ka ndodhur që një pjesë e një ane të lumit të gjendet në territor të Belgjikës, ani pse autoritetet e Mbretërisë Belge kanë mundur të shkonin në atë pjesë vetëm me barka dhe ka qenë e pamundur të shkonin pa kaluar nëpër territorin e shtetit fqinjë. Holanda nuk ka pasur të drejtë të ushtrojë pushtetin në atë copë të bregut të lumit Maas. Në këtë mënyrë disa hektarë toke janë bërë tokë e askujt dhe shpesh ka pasur edhe incidente. Belgjika ka vendosur në fund, pas shumë vjet negociatash, t’ia falë atë pjesë Holandës e Holana diku më larg ia ka falur një copë toke Belgjikës dhe kështu është bërë korrigjimi i vijës kufitare. Në asnjërën pjesë nuk jeton askush. Pra vërtet është bërë korrigjim i kufijve pa pasoja për njerëz që kanë mundur ta gjenin veten brenda dite të jenë banorë të një shteti tjetër. Nuk është e lehtë të ndryshohen kufijtë askund. As në shtetet të cilat nuk kanë asnjë konflikt mes vete e madje as në pjesë të territorit ku flitet e njëjta gjuhë dhe ku populli nuk ka armiqësi. Por kur është e logjikshme dhe ka gatishmëri të zgjidhen problemet praktike,atëherë gjenden edhe zgjidhje për të modifikuar vijën kufitare.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tash flet për “korrigjim të kufirit” mes Kosovës dhe Serbisë. Prapë është e vështirë të besohet se ai e ka seriozisht. Prapë ekziston një mundësi që ai të ketë nisur këtë aventurë me qëllim të parandalimit te skenarit të ndarjes së Kosovës. Sepse Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga skenari i ndarjes dhe në realitet në masë të madhe e ka bërë ndarjen duke e mbajtur për vite veriun e Kosovës nën kontroll de facto të Serbisë dhe pa mundësinë e Kosovës që të ushtrojë pushtetin në atë pjesë. Mund të ketë ndodhur që Kosova, e posaçërisht Thaçi, i cili është personazhi kryesor nga ana e Kosovës në dialogun e Brukselit me Serbinë, të vetëdijshëm se veriu do të ketë një autonomi të madhe, pothuajse sikur Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë, ta shesin këtë si sukses të Kosovës, sepse nuk e lejua ndarja.
E “korrigjimi i kufijve” mund të jetë vetëm pjesë e kësaj loje. Sepse ky “korrigjim i kufijve” në mënyrën sikur e ka paraqitur presidenti Thaçi, në realitet do të ishte shkëmbim i territoreve me elemente të pastrimit etnik, qoftë edhe me marrëveshje. Sepse nuk është fjala për një breg lumi të pabanuar sikur në rastin e Holandës dhe Belgjikës, por për disa komuna me dhjetëra mijëra banorë. Realizimi i kësaj ideje medoemos do të sillte deri tek lëvizja e popullsisë në baza etnike. Nisja e realizimit të një ideje të tillë, qoftë edhe me marrëveshje, do të shënonte nisjen e debateve se ku do të jenë kufijtë e rinj, cilat komuna, qyteza apo fshatra do të përfshihen, sa banorë të cilës etni ka cili vendbanim. Pra kurrsesi nuk do të mundë të ishte “zgjidhje përfundimtare”, por nisje e një kaosi të ri me pasoja për Kosovën dhe tërë rajonin.

Në terren kjo do të dukej e dhimbshme për njerëzit, edhe pse dikujt në ndonjë qytet evropian apo amerikan do t’i dukej si një zgjidhje e logjikshme.
Serbia duket se e ka arritur një qëllim në qasjen e saj: të krijojë përshtypje se pavarësia e Kosovës, pa pajtimin e Beogradit, ka qenë zgjidhje e gabueshme, e paqëndrueshme dhe jopërfundimtare. Tash po gjen mbështetje edhe nga pjesë të administratës së presidentit Trump të obsesionuar për të dëshmuar se secili veprim i të gjitha administratave të mëparshme amerikane ka qenë gabim dhe tash duhet të përmirësohet. Edhe porositë e kundërshtarit të pavarësisë së Kosovës, Bolton, se nuk duhet penguar marrëveshjen për “korrigjime të kufijve” shkon në këtë drejtim. Këto janë pasojat e mëdha të dialogut në Bruksel i cili, pos dëmeve të tjera, ka krijuar ndasi edhe në Kosovë, edhe në qëndrimet e pjesës perëndimore të bashkësisë ndërkombëtare, e cila e ka koordinuar ecjen e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Kosova duhet të ketë kujdes, sepse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk flet për zgjidhje me Kosovën, por “me shqiptarët”. E presidenti i Kosovës, Thaçi, edhe pse është president i Kosovës, nuk mund të mendojë se e ka mandatin e të gjithë shqiptarëve. E këtë nuk e ka as kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të dy përfaqësojnë në këtë moment dy shtete. Në anën tjetër, përfaqësuesit e Serbisë vazhdojnë të injorojnë dhe nënçmojnë përfaqësuesit e Kosovës duke thënë se nuk kanë çfarë të bisedojnë me ta por me mbështetësit e fortë të tyre. Duke pranuar të hyjë në këtë lojë, Kosova vetëm po i jep argument Serbisë.
E rrezikshme për Kosovën është edhe kaosi që është krijuar në skenën politike ndërkombëtare nga administrata e presidentit Trump. Ajo nuk është më administratë e cila angazhohet për liri dhe demokraci nëpër botë. Ai është një president i cili kritikon liderët e botës demokratike dhe i çmon diktatorët. Dhe ajo administratë ka vënë në pikëpyetje aleancat tradicionale perëndimore. Trumpi është i izoluar në Grupin G-7. Ai ka dalë nga Marrëveshja për Iranin dhe nga Marrëveshja për ndryshimet klimatike. Kosova mund të jetë vetëm një rast tjetër ku tash SHBA-ja mund të ketë qëndrim ndryshe nga vendet tjera të ish- Grupit të Kontaktit, ku gjithmonë vendet perëndimore (SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia) kanë pasur qëndrim unik. Pikërisht për të ruajtur këtë qëndrim unik është zgjatur edhe aq shumë procesi i pavarësimit të Kosovës. Këto shtete kanë pasur qëndrim të përbashkët edhe në rastin e Bosnjë-Hercegovinës. Pra, fjala është për një qëndrim në vazhdimësi që nga fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë e deri tek pavarësimi i Kosovës. E pikë qendrore e këtij qëndrimi ka qenë se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve. Edhe në argumentimet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë shumë mbështetës të pavarësisë së Kosovës kanë përdorur faktin se edhe Kosova, sikur edhe shtetet e tjera në territorin e ish-Jugosllavisë, janë bërë shtete në kufijtë që i kanë pasur si njësi federative të ish-shtetit të Jugosllavisë. Pra, kanë hedhur po ashtu pohimet e Serbisë se me pavarësimin e Kosovës janë ndryshuar kufijtë dhe është thyer parimi.
Pranimi që tash të bisedohet për ndryshim kufijsh, qoftë edhe përmes marrëveshjes apo përmes “korrigjimit”, është pranim që të thyhet parimi i mosndryshimit të kufijve. Është edhe një goditje për qëndrimet e shprehura të mbështetësve të Kosovës se me pavarësimin e Kosovës janë përmbyllur proceset e vendosjes së kufijve në Ballkan.
Dikush mund të thotë se kundër ndryshimit të kufijve nuk janë as amerikanët, pa mbështetësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës. Por nuk është lehtë të besohet se qëndrimi amerikan mund të përkufizohet me një deklaratë të këshilltarit për siguri kombëtare, Bolton. Ai është amerikan, është edhe zyrtar i lartë i Administratës së presidentit Trump, por nuk ka qenë mbështetës i pavarësisë së Kosovës. Pikërisht qëndrimet e tij po i shfrytëzon këto ditë ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, për të porositur shqiptarët se “kanë ndryshuar gjërat në politikën ndërkombëtare” dhe se tash situata është më e favorshme për Serbinë. Kjo tregon se sa vite i ka humbur Kosova pa nevojë duke u fokusuar në një dialog të lehtë dhe të dëmshëm në Bruksel, i cili nisi menjëherë pasi Kosova mori argumentin më të fortë ligjor ndërkombëtar për pavarësinë e saj.
Tash po nis një aventurë e re, e cila mund të ketë pasoja të rënda afatgjate për Kosovën dhe për rajonin. Me administratën e Trumpit, e cila mund të ndryshojë qëndrimet brenda ditës, me një lidership politik të hutuar në BE, me një politikë agresive të Rusisë, politika ndërkombëtare vërtet është ndryshuar dhe rrethanat nuk janë të favorshme që Kosova të hyjë në ndonjë aventurë të tillë. Të gjithë këta politikanë që janë sot në Bruksel a Uashington mund të mos jenë aty nesër. E pasojat do t’i ndien Kosova dhe rajoni. Koha.net

Modifikuar më Premte, 31 August 2018 09:05
Login to post comments

Lajmet e fundit

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Politikë

Gëzim Sadikaj: Si perfaqesues i banoreve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.

Nga Gezim Sadikaj: Si perfaqsues i banorve qe protestuan kunder grabitjes se shtepive dhe prones nga pushteti.Shebull tipik i kesaj masakre eshte dhe familja Billa prej 20 antaresh!Mervet Billa dhe Izet...

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

Globi

Sulmet e NATO-s mbi Beograd 25 vite më parë/ Analiza: Ja pse nuk mund të krahasohet situata e Kosovës me Ukrainën sot

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë. Krahasimi me Ukrainën është i gabuar.   Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më...

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

Ekonomi

Rritja e kostove dhe ulja e fitimeve, bizneset në Shqipëri nuk po investojnë më! Analiza: Po ushqehemi me importe!

    Rritja e kostove, frenimi i konsumit, ulja e fitimeve ka bërë që bizneset të reduktojnë investimet në makineri e pajisje. Ulja e konkurrueshmërisë nga bizneset vendase po i lëshon gjithnjë e...