Nga “Polici e Shtetit, në “Polici Popullore?...

Premte, 05 Prill 2019 18:35

Nga Eden Babani, Bruksel

Në pamundësi të jem përkrah dhjetëra-mijë qytetarëve protestues kundër qeverisjes së sektit “rilindës”, protestat i kam ndjekur nga larg. I kam ndjekur i përqendruar tërë sy e veshë, qysh nga protesta 16 shkurtit të shkuar, deri tek e ajo e 3 prillit. Mbresat që kam përftuar nga njëra protestë, te tjetra, janë komplekse, sa në afri, aq edhe në shtyrje njëra me tjetrën. Në kujtesë më kanë mbetur aq sa mund të mbetet nga një pafundësi ngjarjesh e pamjesh të shpërndara në eterin mediatik. Por përballjet (që të mos them “përplasjet”) e Policisë së Shtetit me protestuesit më kanë shkaktuar dhimbje edhe mua, si shumë bashkatdhetarëve të mi këtu, në Bruksel, e kudo në botë,

Për sa më sipër, mirë a keq, jam shprehur edhe publikisht.

Kam thënë se profesioni i policit është i nderuar, si pjesë e institucionit për ruajtjen e rendit dhe të së drejtës. Kam thënë se jeta e policit është orë e çast në rrezik, pasi orë e çast ai mund përleshet me të keqen. Kam thënë se familjet fisnike te ne (në Europë po se po, mbase edhe më tej), një fëmijë ia kanë pas taksur dhe ia taksin ende sot e kësaj dite rrobës ushtarake. Në këtë linjë, po sjell sot shembullin e Familjes Mbretërore të Belgjikës, e cila shpalli javën e kaluar se Princesha Elizabet, trashëgimtare e Fronit, sapo ka mbushur 18 vjetët (moshë e pjekurisë). Me këtë rast, u shpall se, përveç të tjerave, ajo do të ndjekë Akademinë Ushtarake, sikurse i ati, Mbreti Filip, dhe paraardhësit e tjerë.

Mirë a keq, jam përpjekur të hamendësoj luftën psikologjike që do të kenë përjetuar mjaft nga policët tanë përballë protestuesve. Ma do mendja se shumë syresh, - qoftë në radhët e Forcave të Rendit, të Forcave Bashkiake, të Forcave Shqiponja, të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të Forcave të “Dreqit e të Birit”, sepse s’e di sa lloj forcash policore janë e ç’ emër kanë, - duhet të jenë ndier të dyzuar gjatë kohës së protestave. Dy qenie, në të njëjtin trup. Dy qenie që qasen e shtyjnë njëra-tjetrën njëherazi. Nga njëra anë, qenia e qytetarit, sikundër protestuesi përballë, i cili mund të jetë i afërmi, miku ose fqinji. Nga ana tjetër, ajo e uniformës nën urdhër, e drejtuar  padrejtësisht kundër lirisë qytetare. Kush mund të thotë se s’do të kishte qenë edhe ai vetë si qytetar i lirë përballë një uniforme tjetër, nëse fati do të kishte qëlluar përmbys?

Teksa sjell e përcjell papra këso argumentesh herë ashtu e herë kështu, natyrshëm më lind pyetja: Mos vallë nocioni i sotëm i Policisë së Shtetit, institucion i pavarur nga politika, po zhbëhet duke ia lënë vendin nocionit të kahershëm të Policisë Popullore  të kohës së diktaturë?

Mendoj se po, ndonëse me trukime propagandistike.

Si të mos mendoj kështu, teksa shoh tipa policësh zënë krah për krah që hedhin sytë nga kamerat në mënyrë që t’i çojnë një sinjal shefit të radhës, që ky t’i shohë e t’i mbajë në evidencë, së paku për një lavdërim, nëmos për më shumë? Nuk flas për ata që e kanë tejkaluar kufirin e detyrës, si fjala vjen ai tipi, i cili e goditi protestuesin, e gjakosi dhe e kërcënoi se do ta shkelte me këmbë, siç shokët e tij do të shkelnin gjithë protestuesit  As për ata tipat e papërgjegjshëm që e tërhoqën zvarrë invalidin me paterica e me flamur në dorë. Gjesti i këtyre tipave mund të shpjegohet vetëm po t’u referohesh injorancës dhe frikës së nxitur nga paaftësia për të qenë ndryshe. Për fat të keq, në vetëdijen e tyre paraprin militantizmi partiak në raport me profesionalizmin. Paraprin urrejtja në raport me detyrën.

A mendojnë këta tipa policësh, sikundër edhe vetë shefat e tyre urdhërues të radhës, se bota rrotullohet, se “kjo botë jarane ngryset piperkë e gdhihet patlixhane”? A e mendojnë këta tipa se janë shndërruar në shërbëtorë të një qeverie të paligjshme, që mbështetet nga një shpurë fanatikësh partiakë dhe pasanikësh milionerë të lidhur me të? Sot për sot Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, - që të dy “rilindës”, që të dy kalimtarë, - u duhen kësisoj “uniformash”. U duhen injorantë të paaftë për të jetuar ndryshe. U duhen të frikësuar, që e lidhin mbijetesën me lëpirje të radhës, deri te s’ thuhet.

Shteti i së drejtës po troket te porta.

Kur them kështu, kam parasysh më së pari shporrjen nga pushteti të sektit “rilindës”, i cili i ka vjedhur zgjedhjet me paratë e krimit, njëherazi ka uzurpuar edhe të gjitha institucionet demokratike, që nga ato ligjvënëse, te ato ligjzbatuese, të drejtësisë e me radhë. Ama, kur them kështu, nuk më shkon mendja aspak vetëm te ardhja në pushtet e opozitës së sotme, çka mendoj se do të ndodhë, madje shumë shpejt. Mendja më shkon te zgjedhjet e ndershme, pa manipulimet e zgjedhjeve pararendëse. Pse jo, ato mund t’i fitojë edhe Partia Socialiste, një “parti e progresit”, siç u kujtoi deputeti Bushati socialistëve të shkuarën partisë së tyre.

Logjika ma thotë se cilado mazhorancë që do të marrë përsipër qeverisjen e vendit me rrugë të ligjshme, do t’i flakë në koshin e plehrave këta policë militantë e  injorantë, që t’i zëvendësojë me të rinj, të aftë e të kulturuar. Është koha që injorantët e sotshëm nën uniformë t’i thërrasin mendjes, sa nuk është ende tepër vonë. Përndryshe do të bëhen objekt humori dhe personazhe barsoletash, sikundër paraardhësit e tyre të Policisë Popullore.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Politikë

Çfarë do bëhet me dosjen ‘Xibraka’!

Nga Flamur Vezaj: Dosja ‘XIBRAKA’ nuk ka vetëm emrin e Olsi Ramës! Aty ka edhe plot te tjerë, te njohur e te panjohur, biznesmen, ndërtues, kriminel e krerë bandash qe veprojnë akoma...