Ka vërtet ndonjë rrezik mbajtja e zgjedhjeve pa opozitën apo…

E mërkurë, 22 May 2019 17:15

FITIM ZEKTHI/

Në gjithë kuptimin e saj, kriza në Shqipëri është krizë organike, që ka kapur në thelb tërë funksionimin e qeverisë, të pushtetit politik, të shtetit, të ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe jetës publike. Shkaqet e krizës janë të gjera. Ato kanë kohë që veprojnë. Në zemër të krizës është paaftësia e politikanëve për të prodhuar politika për njerëzit, për të njohur dhe pranuar dobësitë, për të fituar zgjedhjet me ide dhe platformë, për të fituar me njerëz dhe propozime elektorale, për të ndarë dhe kufizuar pushtetet, për të lejuar ligjin dhe institucionet të mbajnë nën fre epshet etj..


Kriza u bë shpërthyese, pasi vitet e fundit, që prej 2013, një grupim politik si pasojë e këtyre paaftësive thirri në ndihmë dhe i bëri pjesë të ekipit të tij njerëz nga bota e krimit dhe e trafikut të drogës, njerëz me akses të fuqishëm te dhuna dhe paraja kriminale, duke e zhvendosur politikën – tërë mënyrën se si sillet ky grupim në pushtet me opozitën, me ekonominë, me zgjedhjet, me institucionet- në një terren krejt tjetër.

Kriza, ndonëse shumë e madhe dhe e rrezikshme, po trajtohet si një lojë e rëndomtë politike, si një betejë taktikash apo trukesh dhe nuk po lejon të kuptohet se çfarë pasojash ajo mund të sjellë. Kryeministri, që është në të vërtetë ideatori i kësaj zhvendosjeje të politikës në këto terrene dhe shkaktari kryesor i krizës, nuk pranon ta shohë atë si një krizë të gjithanshme. Në fakt, është në natyrën njerëzore të përpiqet të mos e pranojë dështimin, krizën, gjendjen e rëndë, aq më tepër kur përgjegjësia për të është e drejtpërdrejtë.

Njeriu e zhyt veten në një mori mekanizmash mbrojtës që refuzojnë të vërtetën dhe që përpiqen nëpërmjet fajësimit të tjetrit dhe projektimit të fajit dhe të përgjegjësisë te tjetri ta qetësojnë. Në shumë raste, refuzimi i pranimit të vërtetës bëhet shkatërrimtar për vetë personin. Duke qenë kështu, Kryeministri Rama vazhdimisht po flet për mbajtje të njëanshme të zgjedhjeve pa opozitën në qershor.

Veç Kryeministrit, i cili nuk dëshiron ta kuptojë pasojën e mbajtjes së zgjedhjeve pa opozitën, zhurmës për ta paraqitur krizën si një krizë të PD-së dhe opozitës i janë bashkuar prej kohësh edhe shumë politikanë dhe njerëz të medias, disa nga verbëria dhe disa nga pafuqia për të parë si subjekte të lira.

Kur demokracia u shfaq në Europë dhe SHBA fundshekullin e 18-të dhe fillimshekullin e 19-të, teoricienët kryesorë bënë një dallim thelbësor mes mënyrës si shihej politika, qeverisja në Greqinë dhe Romën e vjetër dhe mënyrës se si shihej qeverisja, pushteti, politika në modernitet. Pas vitesh dhe shekujsh, përvoja dramatike qeverisjesh, bota perëndimore kishte prodhuar dije, literaturë dhe fituar përvojë të madhe.

Në Greqinë dhe Romën e Vjetër, pyetja që shtohej ishte: Cila është gjëja më e lartë për të cilën është i aftë njerëzimi dhe si mund ta realizojmë këtë gjë? Ndërsa në modernistet, kjo pyetje është: Cila është gjëja më e keqe që mund t’u ndodhë njerëzve dhe si mund të shmanget ajo? Mendimtari i parë i madh që iu afrua çështjes së “të keqes së madhe që mund të ndodhë” ishte Makiaveli.

Ndryshe nga Greqia apo Roma e vjetër, që nisej nga ajo se cila ishte e mira më e madhe që mund të bënin njerëzit, Makiaveli i pa njerëzit siç ata janë. Projekti i tij politik synonte të bënte më të mirën nga ky material “defektoz”. Ai besonte se nuk mund të bëhet asgjë e drejtë me drurët e shtrembët. Ndonëse Makiaveli nuk ishte demokrat, ai ishte një nga ata që i parapriu demokracisë sepse ai kërkoi që të përshtaste, kufizonte, forca të fuqishme dhe jo të parashikueshme që burojnë nga natyra e njeriut.

Ndërkohë, nga një drejtim tjetër erdhi një kontribut madhor. Dekarti zgjeroi shumë bazën e sigurisë në njohje, të mënyrës si njohim dhe të çfarë njohim. Duke kërkuar një bazë sigurie përtej revelatës dhe përtej arsyes së kulluar, Dekarti gjeti një bazament edhe te vetë njohja: mendoj, pra jam. Pra, shqisat do të na japin të dhëna për çfarë mund të arrijë njerëzimi. Ndërsa Hobbes u bë vendimtar, pasi duke e parë jetën njerëzore në kushte natyrore si “të vetmuar, të tmerrshme, brutale dhe të shkurtër”, ai tha se frika më e madhe e njeriut është vdekja e dhunshme.

Prej këtu lind një shkencë e gjerë e politikës, e bazuar mbi çfarë kanë të përbashkët qeniet njerëzore -njohjen që vjen nga shqisat-një shkencë politike që vjen nga të dhënat dhe demosi. Kësisoj politika në demokraci nuk është një fushë në të cilën natyra njerëzore përsoset, nuk është një vend në të cilin njerëzit zgjidhen apo emërohen për të shprehur potencialin e tyre më të lartë. Përkundrazi, politika moderne thotë Thomas West i Claremont Institute, mbështetet mbi hamendjen se njerëzit do të sillen dhe veprojnë mbi impulset e fuqishme të natyrës së tyre defektoze.

Themeluesit e SHBA-së – sidomos njeriu më me ndikim në hartimin e Kushtetutës, James Madison – pyeste se cili ishte rezultati më i keq politik. Përgjigjja e tij ishte tirania. Për këtë arsye, ai dhe mendimtarët e tjerë të revolucionit amerikan ndërtuan një Kushtetutë, në themel të së cilës ishte ndarja e pushteteve, kontrolli dhe balanca e tyre. Për ta, formë e tiranisë që mund të lindte në një republikë ishte tirania e shumicës. Pyetjes se si mund të shmanget, Madison i përgjigjej: “duke mos pasur shumica që mund të bëhen tiranike duke qëndruar gjatë; duke reduktuar mundësitë që një shumicë e madhe të krijohet dhe të rrijë gjatë”.

Në mënyrë mjerane në Shqipëri po mbahet gjallë, po ushqehet ideja se zgjedhjet mund të mbahen dhe duhet të mbahen pa opozitën, se opozita mund të jetë një parti e krijuar rishtas, mund të jetë Kujtim Gjuzi apo Ylli Shehu, mund të jetë Partia Aleanca Kuq e Zi apo e Bamir Topit, të cilat janë regjistruar për zgjedhjet që vijnë. Kjo është antidemokratike.

Kjo nuk e sheh politikën si një fushë në të cilën njerëzit janë aty me impulset e tyre defektoze dhe duhet gjetur çdo mjet që ata të kontrollohen, që pushtetet të jenë të ndara, që qeveria të jetë nën kontroll parlamentar, që gjyqësori të bëjë kontroll dhe balancim pushtetesh, duke mos lejuar qeverinë dhe Parlamentin të marrin pushtete që nuk janë të tyret.

Sot duket e pamundur për shkak të zhurmës së qeverisë dhe gjithë atyre që e ndjekin këtë zhurmë, por tirania është shumë pranë. James Madison thoshte se tirania si formë më të shëmtuar të sajën ka atë që vjen si pasojë e “nevojës për t’iu shërbyer ligjit dhe njerëzve”. Edhe qeveria, Kryeministri dhe mbështetësit e tyre flasin për nevojë për të respektuar ligjin apo nevojë për t’iu shërbyer njerëzve. Turpshëm, ata madje e kërkojnë me ngulm këtë gjë duke harruar se tirania do të hajë të parët disa nga vetë ata. Kështu vjen dhe kështu vepron ajo gjithnjë.

Edhe sikur të ishin të bindur të gjithë se Rama do të sjellë mrekullinë, edhe sikur të ishin të bindur të gjithë se Rama është një politikan ekstremisht demokrat, nuk duhet kurrë të pranohet të mbahen zgjedhje pa opozitën. Tërë thelbi i këtij sistemi varet nga prania dhe pjesëmarrja e opozitës edhe sikur ajo të jetë e keqe dhe në krizë siç shprehet Edi Rama, Elisa Spiropali, Erion Veliaj apo Vangjush Dako. *Pedagog i Shkencave Politike

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...