Ngushëllime zotit Veliaj!

Diel, 07 July 2019 12:05

Nga Edmond Tupja

Po, me dhimbje e mirëkuptim po marr guximin e sinqertë t’i paraqes zotit Veliaj ngushëllimet e mia me  rastin e ripërtëritjes së mandatit të tij në postin e nderuar të kryebashkiakut të Tiranës pas votimeve të 30 qershorit.

I paraqes, pra, këto  ngushëllime aq më tepër që nuk u realizua ajo gjë, për të  cilën astrologia jonë e famshme, Mukades Uma, ma  kishte mbushur mendjen, para katër vitesh, deri në atë pikë sa të deklaroja publikisht në faqet e kësaj gazete se zotin Veliaj e priste e ardhmja e një Kryeministri; madje, kisha vënë bast që, po të realizohej parashikimi im, ai, zoti Veliaj, si Kryeministër, do të më shtronte një drekë ose darkë historike (me “o” dhe jo me ndonjë zanore tjetër në vend të saj) te restoranti “Fouquet’s”, thuajse më luksozi i Champs-Elisées-ve të Parisit (sigurisht që edhe biletën vajtje-kthim Tiranë-Paris-Tiranë do të ma paguante ai me kënaqësinë më të dëlirë).

Mirëpo, ja që basti im u shfuqizua me rivotimin e zotit Veliaj si kryebashkiak i kryeqytetit dhe për këtë fajin dhe përgjegjësinë e ka… e ka… po, po, e ka dhe e mban plotësisht zoti Rama, i cili nuk pranoi t’i bënte qejfin as opozitës, madje as pjesës më të madhe të shqiptarëve, që kërkonin largimin e tij me të vetmen, por të famshmen parullë “Rama, ik!”.

E thënë ndryshe, po qe se zoti Rama do të kishte dhënë dorëheqjen, me një siguri thuajse matematike, zoti Veliaj do të ishte caktuar Kryeministër i qeverisë qoftë provizore, qoftë, pas zgjedhjeve të parakohshme, përfundimtare për një periudhë katërvjeçare. Sidoqoftë, nën peshën e rëndë të mosrealizimit të parashikimit tim krejt dashamirës e admirues, po përballem me një peng mbytës apo, më saktë, një brerje të padurueshme ndërgjegjeje, aq sa, për ta shlyer “fajin tim”, kam vendosur t’i jap disa ide zotit Veliaj lidhur me zhvillimin dhe lulëzimin përherë e më pranveror të Tiranës:

Së pari, meqë në Shqipëri dhe, veçanërisht, në malësitë e Tiranës nuk ka thuajse fare burime ujërash të pijshme, duhet vazhduar me ritme të përshpejtuara betonizimi i kryeqytetit, duke i pakësuar hapësirat e blerta, sepse të ujitësh çdo fije bari të tyre është tmerrësisht e kushtueshme e do të na duhej të importonim ujë pareshtur, si rrjedhojë duhen bindur shqiptarët në përgjithësi dhe tiranasit në veçanti që është më e shëndetshme të pish e të përdorësh sa më pak ujë; falë këtij kursimi kulmor vetëkuptohet që neve nuk ka ç’na duhet uji për 24 orë rresht, prandaj Bashkia nuk ka pse ta vrasë mendjen në këtë drejtim, aq më tepër që depozitat e panumërta të ujit majë pallateve e bëjnë, të soditura nga qielli ose nga toka, shumë tërheqëse Tiranën për turistët e huaj si të vetmin kryeqytet afrikan të Europës.

Së dyti, si pasojë e arsyetimin të mësipërm, tiranasit duhet të pështyjnë sa më pak që të mos dehidratohen, çka kërkon marrjen e masave drastike kundër atyre që pështyjnë ditë e natë rrugëve dhe shesheve, të cilët do të ishte mirë të dënoheshin me gjoba. Kjo gjë, përveç faktit që kryeqyteti do të ishte më i pastër, do të mundësonte hapje vendesh të reja pune për përgjues që do t’i identifikonin pështyrësit, për roje para pështymoreve që do të vendoseshin me shumicë rrugëve e shesheve të Tiranës, për mirëmbajtësit e pështymoreve në fjalë etj., etj.

Së treti, për rastin kur pështyrësit do të vazhdonin në klandestinitet të plotë veprën e tyre kriminale të ndotjes përmes pështymës, do të përuroheshin laboratorë të pajisur më së miri ku do të punësoheshin specialistë analizash ADN-je për të gjetur pështyrësit anonimë të maskuar apo që dalin e pështyjnë natën për inat të sukseseve që do të korrë zoti Veliaj me draprin e gojëtarisë së tij gjatë katër vjetëve të ardhshme.

Së katërti, për sa u përket qytetarëve të shkujdesur ose të pavëmendshëm, të cilët pështyjnë pa e pasur mendjen, sepse pështyrja e pavullnetshme u është bërë refleks prej vitesh të tëra, mendoj se nuk do të ishte e udhës që ata të gjobiteshin që herën e parë kur kapen në flagrancë duke pështyrë përtokë apo mureve, por atyre mund t’u vihen byzylykë elektronikë, falë të cilëve do të mbikëqyreshin në distancë.

Gjithsesi, idealja do të ishte që pështyrësve të pandreqshëm t’u instalohej kirurgjikisht te gjëndrat e pështymës një çip, i cili do t’u shkaktonte atyre një ndjesi të padurueshme sa herë që do të gatiteshin të pështynin ose që do t’ua atrofizonte njëherë e mirë gjëndrat në fjalë.

Së pesti, pastërtia e jashtëzakonshme e kryeqytetit tonë do të maksimalizohej sikur Bashkia të dënonte me gjoba gjitha ata tiranas e tiranase që shëtisin qentë e tyre pa i pajisur me pampersa në mënyrë që jashtëqitja e tyre të mos i bezdisë turistët, të cilët, fill pas integrimit tonë në Bashkimin Europian, do të derdhen valë-valë në Tiranën tonë legjendare me kryebashkiak po aq legjendar, Erion Veliajn.

Së gjashti, për gjithë zotërinjtë e moshës së tretë dhe sidomos, kryesisht e në veçanti për ata që kanë probleme me prostatën, i sugjeroj modestisht zotit kryebashkiak, të tregohet zemërgjerë e kuletëhapur në mënyrë që të shtohet në Tiranë numri i WC-ve publike me gjysmë pagese ose private me pagesë të plotë të pajisura jo vetëm me minimumin e instalimeve përkatëse, por edhe me televizorë, internet, karikues celularësh dhe, pse jo, shpërndarës automatikë tabletash afrodiziakë me bazë bimore e me çmim krejt të arsyeshëm, në mënyrë që përdoruesit e tyre të moshuar të lehtësohen ndonjëherë në vetmi si Onani i Biblës!

Së shtati, meqë në stinën e nxehtë të verës, për shkak edhe të ngrohjes globale, shqiptarët u shmangen rrezeve përvëluese të diellit duke ecur hijeve, i sugjeroj zotit Veliaj, këtij mjeshtri të paparë të taksave më origjinale në Europë e ndoshta në botë, të krijojë dy taksa të re, atë të hijes dhe atë të ajrit.

Të hijes, sepse hijet më të freskëta në Tiranë i lëshojnë kullat krenarisht të përbindshme, me të cilat zoti kryebashkiak po na e modernizon kryeqytetin tonë deri dje mesjetar e anadollak!

Të ajrit, sepse, po shtohet rrezikshëm popullsia e Tiranës si me ata që braktisin përgjithmonë fshatin, ashtu edhe me azilkërkuesit shqiptarë që po nisin të na i kthejnë vendet e Bashkimit Europian, prandaj është krejt e logjikshme që konsumatorët e ajrit kryeqytetas të paguajnë, ashtu si ata të ujit e të hijes, taksë për mirëmbajtjen e ajrit të Tiranës sot për sot, por nesër edhe të mbarë Shqipërisë!

Së fundi, duke e falënderuar zotin Erion Veliaj për vëmendjen dashamirëse, me të cilën sapo ka mbaruar së lexuari rubrikën time të sotme, i premtoj atij së do të takohem shumë shpejt me astrologen Mukades Uma për të parë se për kur e parashikon ajo caktimin e tij si Kryeministër në mënyrë që ai të më shtrojë atë drekën ose darkën historike (me “o” dhe jo me ndonjë zanore tjetër në vend të saj) te “Fouquet’s”-i, restoranti thuajse më luksoz i Champs-Elisées-ve të Parisit!

Modifikuar më Diel, 07 July 2019 17:44
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...