Tjetër veprim antikushtetues: KLGJ do të zgjedhë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë pa veting

Hënë, 08 July 2019 19:49

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Më 5 korrik, Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi se kishte miratuar rregulloret për përzgjedhjen e tre kandidatëve jo gjyqtarë që do të jenë pjesë e Gjykatës së Lartë. Ky proces do të nisë sapo vendimi të botohet në Fletoren Zyrtare.

Megjithatë, procesi për përzgjedhjen e 14 kandidatëve të tjerë të GJL që do të vinë nga rradhët e gjyqtarëve do të jetë i ngrirë.

Për më tepër, duket se KLGJ do të kufizojë sërish procesin e vetingut për kandidatët.

Më 23 maj 2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj) miratoi vendimin Nr. 75, “Për procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve dhe për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”.

Vendimi rregullon, ndër të tjera, procedurën e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. Pak javë më parë, Exit.al ishte media e parë që botoi një opinion ligjor të EURALIUS-it, hartuar nga kandidati për në Gjykatën Kushtetuese Klodian Rado, që sugjeronte përdorimin e komandimeve të “përkohëshme” të gjyqtarëve nga nivelet e ulta për të plotësuar vendet bosh në Gjykatën e Lartë, në mënyrë që të zgjidhet një Gjykatë e re Kushtetuese.

Presidenti Ilir Meta para pak ditësh kundërshtoi fuqimisht këtë rrugë veprimi, duke e quajtur atë “antikushtetuese”.

Megjithatë, edhe nëse “sugjerimi” i EURALIUS-it nuk do të zbatohet, vendimi i KLGj-së Nr. 75 e dëmton plotësisht integritetin e procesit të vetingut.

Vendimi lejon KLGj-në të caktojë një afat prej tre muajsh për Komisionin e Pavarur të Kualifikimeve (KPK) për të kryer vetingun e çdo kandidati për Gjykatën e Lartë.

Nëse kalon afati prej 3 muajsh, KLGj do të marrë vetë përsipër vlerësimin e gjyqtarëve, bazuar në dispozitat e të ashtuquajturit “Ligj mbi Statusin” e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Me fjalë të tjera, përveç rasteve kur KPK-ja bën vetingun e kandidatëve për në GjL brenda tre muajve nga kërkesa e KLGj-së, ata nuk do të përballen fare me procesin e vetingut.

Për më tepër, vendimi i KLGj-së nuk përmend fare “vendim përfundimtar” të vetingut apo vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cila është institucioni më i lartë i verifikimit.

“Pjesa X, seksioni B(2): Kandidatët që i nënshtrohen procedurës së rivlerësimit kalimtar sipas Ligjit Nr. 84/2016 dhe janë në procedurë e sipër rivlerësimi ose për të cilët kjo procedurë nuk ka filluar ende, nuk i nënshtrohen procedurës së verifikimit të pasurisë dhe të figurës nga Këshilli, sipas përcaktimeve të pikave 2 deri në 7, të nenit 32, të Ligjit për Statusin. Vendimi i Këshillit për kualifikimin ose jo për këta kandidatë do të mbështetet në vendimin e dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në këtë rast, Këshilli i kërkon Komisionit të Pavarur të Kualifikimit trajtimin me përparësi të procedurës së rivlerësimit për këta kandidatë.

Nëse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk i përgjigjet kërkesës së Këshillit ose nuk përfundon procedurat e rivlerësimit për këta kandidatë brenda 3 muajve nga momenti i paraqitjes së kërkesës, këta kandidatë i nënshtrohen procedurës së verifikimit të pasurisë dhe të figurës sipas përcaktimeve të pikave 2 deri në 7, të nenit 32, të Ligjit për Statusin.”

Këto rregulla nuk e bëjnë të qartë nëse një gjyqtar i zgjedhur në Gjykatën e Lartë do të duhet të japë dorëheqjen, nëse ata shkarkohen me një vendim përfundimtar të institucioneve të vetingut, pasi ata të jenë “verifikuar” nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas dispozitave të Ligjit të Statusit.

Këto rregulla do të mund të krijojnë situata në të cilat gjyqtarët do të vlerësohen dy herë: një herë nga institucionet e vetingut dhe një herë nga KLGJ-ja, çfarë është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe Ligjit të Vetingut. KLGJ mund të kryejë vetëm procedurat e vlerësimit të përcaktuara në Ligjin për Statusin pasi të gjithë magjistratët të jenë vetuar në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin e Vetingut.

Çfarë do të ndodhë nëse një gjykatës përfundimisht do të shkarkohet nga KPA, ndërkohë që mund të jetë konfirmuar nga KLGj? Cili vendim do të ketë prioritet? Dhe çfarë do të thoshte kjo për cilësinë e “vetingut” të KLGJ-së?

Duke miratuar këtë rregullore, KLGj ka turbulluar edhe më shumë ujërat e një procesi tashmë shumë të paqartë, i cili sigurisht do të shkaktojë shumë probleme në të ardhmen.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...