Dy shtete “fëmijë” në Europë

E mërkurë, 17 July 2019 16:01

Nga QEMAL SAKAJEVA

1.

Çfarë i ka ndodhur Bashkimit Europian si shtet federal, nuk i ka ngjarë  Kosovës si shtet shumëetnik. BE u ndëshkua pamëshirshëm nga Brexit, thuajse në mes të procesit shtetformues. BE përjeton së brendshmi, - dhe nga vetvetja, - thënien  hamletiane “Të rrosh, a të mos rrosh”. Kosova së brendshmi nuk përjeton  dilemën “Të jem e pavarur, a të mos jem”.

2.

Ka dy shtete  “fëmijë” në  Europë. I pari është Bashkimi Europian. E ka nisur themelimin në vitin 1952, dhe ka vijuar kësisoj:  zgjerimi i parë më 1973, zgjerimi i dytë më 1981, zgjerimi i tretë më 1986, zgjerimi i katërt më 1995, zgjerimi i pestë më 2004, zgjerimi i gjashtë më 2007, zgjerimi i shtatë më 2013, ndërsa zgjerimi i tetë, sipas dokumentit më të fundit të Komisionit Europian pritet të ndodhë më 2025, por presidenti i Francës Emmanuel Macron nuk e çon as në mendje zgjerimin me vende të Ballkanit Perëndimor, duke e shtyrë në afat tejet të papërcaktuar.  E dyta është Republika e Kosovës. E çliruar në 12 qershor të vitit 1999 dhe e pavarësuar më 17 shkurt  2008. BE, me proces ende të papërfunduar, është në vështrësi  të zgjerimit, madje deri edhe ekzistenciale. Kosova e  pavarur, shtet  i vogël i sapodalë nga pushtimi dhe kolonializmi i egër serb, përpiqet të përmbyllë njohjen ndërkombëtare.

Qysh në krye të herës, personalite shqiptare dhe joshqiptare, patën gjykuar se pavarësia ishte zgjidhja dhe kompromisi maksimal i Kosovës në raport me gjithë shqiptarët, dhe me aleatët e mëdhenj SHBA e BE. Presidenti Rugova, qysh më herët, por  edhe kur ndërkombëtarët punonin  për përcaktimin e satusit të Kosovës, pati deklaruar: “Pavarësia është kompromisi i shqiptarëve”. Pako  Ahtisaarit u pranua menjëherë nga Prishtina, mjafton që ajo kishte si zgjidhje pavarësinë.  Beogradi, përveç që refuzoi  ta merrte si dokument, e cilësoi si paçavure.  Kosova u vendos në protektorat dërkombëtar me Rezolutën 1244 të OKB,  u instalua administrata e UNMIK,  siguria u garantua nga forca të KFOR, çdo tre muaj raportohej në Këshillin e Sigurimit, filloi të vepronte  EULEX, shteti i ri u  njoh botërisht nga 114 vende. 

Përtej institucioneve të dobëta, mungesës së eksperiencës qeverisëse dhe korrupsionit ndëshkues,  Kosova përballet  me brutalitetin e Serbisë edhe në kohë paqe, dhe të vendeve të ndryshme të botës, me Rusinë në krye, që ende nuk e kanë njohur.  Ndër to bie në sy për keq, sidomos qendrimi  i pesë  vendeve  të BE - Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro.  Ajo që e ka shoqëruar Kosovën në mënyrën më të ashpër janë pengesat e gjithëfarëllojshme të Serbisë. Ato pengesa nuk janë mposhtur e as kapërcyer ende,  pavarësisht zbatimit  në mënyrë shembullore nga Kosova të Pakos Ahtisaari. Këndvështrimi është i kundërt: Kosova kërkon normalizim të marrëdhënieve dhe si domosdoshmëri në përmbyllje të bisedimeve të vijë njohja nga  Serbia, ndërsa Beogradi pranon normalizim të marrëdhënieve për hir të anëtarësimit në BE, por përsërit se “kurrë nuk do të njohim pavarësinë e Kosovës”. Kryeministrja Ana Brnabiç, në një konferencë për shtyp pati bërë palë për çështjen edhe Brukselin, kur  deklaroi se “...është thënë në mënyrë të qartë nga Presidenti Tajani, dhe kjo është se Serbia nuk do të duhet të njohë Kosovën për t’u bashkuar me BE”. 

Mirëpo është e habitshme më përtej se kaq: edhe pse Kosova e pranoi Pakon Ahtisaari si zgjidhje dhe e zbatoi pikë për pikë, madje në formimin e komunave me shumicë serbe e tejkaloi  dukshëm numrin e përcaktuar; edhe pse të drejtat e pakicës serbe gjenden në çatinë e gjithë vendeve të Europës; edhe pse pavarësia është njohur  nga  mbi 114 vende të rruzullit; edhe pse bisedon me Serbinë dhe ka bërë lëshime të mëdha siç është krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe për 100 000 serbë mes  2 milionë shqiptarëve; edhe pse Serbia mban nën kontroll veriun e Mitrovicës përmes pakicës serbe me 30 000 banorë; edhe pse manastiret janë me statusin extra - territor; me gjithë këto, e të tjera si këto, Beogradi mbetet pengues agresiv për  zhvillimin normal të Kosovës, madje po këmbëngul ethshëm  për ndarjen e saj, dhe këtë e cilëson kompromis serb! Serbia ushtron fuqi destruktive brenda shtetit të Kosovës, i cili është në proces të vështirë konsolidimi.

Por, është e sigurtë që, BE nuk do të mund ta detyrojë Serbinë për asgjë ndaj Kosovës pasi të futet brenda dyerve të Brukselit, siç nuk e ka detyruar dot edhe deri më tani, le të përmendim vetëm sanksionet ndaj Rusisë. Dikur thuhej me humor, se SHBA ka një shtet “të vetin” në BE, - Anglinë. Pas pak vitesh do të thuhet pa fije humori: Rusia ka shtetin e vet në BE, - Serbinë.  Pranimi i Serbisë në BE, pa u kushtëzuar me njohjen e Kosovës,  tingëllon si ndjesë për luftën kundër saj. Por do të mbetet përherë një ngërç  me pasoja: me Rusinë nga pas, Serbia do të guxojë të kundërshtojë Brukselin sa herë t’u duhet interesave ruse, ndërsa me Serbinë brenda BE, Brukseli nuk do të ketë nga pas Beogradin për t’iu trimëruar Moskës.  

4.

BE, si i tërë, ende nuk e njeh Kosovën “ ishullore” deri atje sa nuk gëzon as të drejtën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj. Kurse Serbia mbetet shkaktari më i madh i jashtëm i problemeve penguese në kohë paqe. E drejta duhet të jetë ndryshe: Kosova e ka kryer kompromisin; ajo të trajtohet e barabartë me Serbinë; normalizimi merr kuptim dhe bëhet funksional me njohje të ndërsjellë; të dy vendet të anëtarësohen në të njëjtën kohë në BE. Ndërsa ndarja e Kosovës me 30 mijë serbë nuk duhet çuar as nëpër mend, dhe nga askush,  ndërkombëtar apo serbë, edhe sepse: kësisoj, rreth 500 mijë shqiptarë përse të mos i vinin thikën Maqedonisë?! Po mbi 100 000 shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit?! Po shqiptarët e Malit të Zi?! Po çamët  në Greqi?!

Bashkimi Europian, i papërfunduar si proces, vuan vetë së brendshmi e jo së jashtëmi, edhe pse Presidenti Donald Tramp, gjatë fushatës elektorale  e mbështeti Brexit dhe shpërbërjen e BE. Kosova e pavarur vuan së jashtëmi nga Serbia, Rusia dhe 5 shtete të BE.  Trysnitë ndërkombëtare, pengesat dhe ndalimet e shumta ndaj Kosovës, le t’i  cilësojmë me tri fjalë diplomatike të huazuar nga Perëndimi: “Përse gjithë kjo forcë e tepruar lejohet ndaj shtetit “fëmijë”?! Problemi është Serbia.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...