Policë barkderra

E Enjte, 25 July 2019 19:57

Nga Eden BABANI

Bruksel

“Barku i policëve, sikur janë të gjithë me barrë”.

Ky është komenti i orës 13.11 i ditës së djeshme (24/07/2019)  i njeriut ashtu të quajtur “Emri”, - njëri ndër komentuesit e shumtë  në Syri.net, - teksa policë nga të gjitha llojet e policive që ekzistojnë në Shqipëri, përfshi edhe ndonjë private, ishin renditur e kishin rrethuar sheshin para Teatrit Kombëtar, si me qenë Tienanmeni i masakrës së famshme të 4 korrikut 1989, ku u vranë e u shkelën nga tanket e Li Pengut (Kryeministri i atëhershëm i Kinës) qindra protestues e u plagosën mijëra të tjerë.

Teksa ndiqja pamjet e protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, edhe mua më ra në sy e njëjta gjë. Barqe të fryra, që vareshin përmbi rripat e pantallonave, përballë protestuesish të hijshëm. Neritan Liçaj, - le të sjell një shembull, - përballë katër, pesë a më shumë barkderrash, që mezi mbaheshin mëkëmbë atë paradite të nxehtë nën uniformat dhe pajisjet e rënda.

Për hir të së vërtetës, duhet thënë se nuk ishin të gjithë ashtu, barkderra. Ama shëmtia e tyre, mbizotëronte skenën. E bënte atë të pështirë.

Barkderrat, - pa asnjë meritë për me qenë policë përveç barkut dhe idiotësisë, - as që e mendojnë se do të vijë dita që plëndësat e tyre të pëlcasin... puf!...

“Ky shkollëpak dhe trurrënuar së bashku me policinë, që sillet kafshërisht, nga dje janë dhe do mbeten fytyrat më të urryera dhe të neveritshme të një Shqipërie që ndryshe nga ata është fisnike me ideale, zemërgjerë dhe e mençur”, - shkruante dje me të drejtë Petrit Vasili në një status. – Të gjithë ata komandantë policie, gangsterë dhe perversë, që urdhëruan turpin me të zi të policisë në 29 vjet pluralizëm, janë të gjithë të evidentuar dhe ndëshkimi i tyre do të jetë shumë i rreptë dhe shembullor”.

Citova vetëm kaq, nga statusi i sipërpërmendur, duke sjellë në kujtesë një rrugaç me tatuazh në dorë që godiste intelektualin e përkryer Edmond Budina. Aktorin dhe regjisorin e njohur botërisht e ndërkombëtarisht. Atdhetarin dhe njeriun e madh, përkundër sahanlëpirësve gishto-të-vegjël të tipit “kadare”.

Për sa më sipër, shpresoj që në një tjetër shkrim, të sjell kriteret dhe kërkesat që një X a Y person të pranohet e të aderojë në radhët e policisë, në një vend Perëndimor e me demokraci të përparuar siç është Belgjika. Nuk është aq e thjeshtë, sa të jesh vetëm idiot, militant e barkderr.

* * *

Duke iu rikthyer objektit të këtij shkrimi, domethënë barkerrësisë, ma ka ënda të përsëris se një ditë plëndësat e do barkderrave do të pëlcasin... puf! dhe do të qelbin dynjanë.

Viteve të diktaturës komuniste, përjetova në Kryezi (një fshat i malësisë Pezë –Kavajë),  një ngjarje që më ndjell të pështirë sot e kësaj dite.

Për motive politike, isha transferuar, nga gjimnazi i Kavajës, në shkollën tetëvjeçare të Kryeziut. Ne, arsimtarët, mezi prisnim të lëpinim ndonjë brinjë nga bagëtitë kockë e lëkurë që therte kooperativa bujqësore. Të uritur, ç’ pyet! Si të gjithë fshatarët e atyre zonave, si gjithë njerëzit anekënd Shqipërisë. 

Një ditë prej ditësh, - nuk mbaj mend me ç’ rast feste, - do të thereshin disa kokë shterpash. Pesë a gjashtë kooperativistë në rolin e kasapëve përgatiteshin të fillonin therjen te sheshi i koçekëve të misrit. Kishin varur çengela nëpër degë ullinjsh dhe mbrehnin thikat. Ndërkohë, rreth e qark ishte mbledhur gjithë fshati, në pritje që mishi të shkonte në magazinë, që magazinier Kurti ta bënte hyrje e pastaj dalje së andejmi dhe të përfundonte në mensë te Fahria, për shitje. “Racionet” ishin përcaktuar paraprakisht për familje, sipas frymëve. Edhe për ne, arsimtarët. Megjithatë, askush nuk shkulej nga sheshi i koçekëve. As qentë, që, si duket, kishin nuhatur erën e gjakut. Madje, as qeni i xha Tahirit, Lyshi, më i privilegjuari i qenve të fshatit, ngase ish-kryetari i këshillit të parë të Kryeziut, që më1942, - domethënë xha Tahiri, - e merrte me vete në mensë e çoku i hidhte ndonjë kore buke nën tryezën e drunjtë e të rëndë.

Më në fund, filloi therja. Gjaku mori teposhtë kodrës, teksa qentë e ndiqnin e hungëronin duke iu kërcënuar njëri-tjetrit.

Sakaq, filloi edhe rrjepja. U hodhën tej lëkurët në pritje që Kurti t’i bënte hyrje në magazinë. Erdhi edhe radha e të përbrendshmeve. Aty për aty u shpua një plëndës... Puf! Një i dytë ndoqi të parin. Puf! Puf! Puf!... Bajgat qelbën dynjanë.

Ruana Zot, nga plasja e plëndësave të barkderrave! Plëndësat e tyre s’kanë bajga por...

Modifikuar më E Enjte, 25 July 2019 20:01
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...