Kronika satirike/”Nga Kryeministri që bëri rezil RAI-n për drogën deri te çaushët me çallma në mbrojtje të babës Erdogan.

Tuesday, 13 August 2019 13:15

Nga Agron-Gjekmarkaj

Në momentin kur kronika e verës po bëhej gati të ulte qepenin me yrysh pas dy sprovash, për t’u kthyer te temat e përveçme të tipit “ç’të bëjmë?”, “Qysh do t’i vejë halli atmes?”, me gjuhën nji pash jashtë, nga rendja dhe zhegu, i cili sikur del nga gojë e kuçedrës, ia behën ngjarje e personazhe që me çdo kusht donin të hynin brenda.

Disa kërcënonin: O na e hapni derën, ose bëmë namin e zi, të tjerë luteshin sa me të këputë shpirtin, ndonjë joshte me lajka që i pranon dhe mbreti. Këtyre të fundit u japim gazetën falas dhe nga dy kile domate fushe për respekt.

Ato kërkonin një autor trim si Oso Kuka. Në muret e Kronikës me litarë, shkallë, duke u kacavirrur mureve të saj sheh politikanë, personazhe VIP, që vendi ynë i ka më me shumice se fiqtë shinzë. Ndodhira që të lënë shêj, vend tek na rrethojnë e ta bëjnë syrin çakërr. Motoja jonë është: Kurrë dorëzim, vetëm selektim e përzgjedhje, por na e thyen zemrën. Përsëri hapëm derën. Të pataksur po kundronim çmos në sheshin e mbushur plot të Kronikës, i cili ngjante me një kamp refugjatësh. Në bedena nga larg mund të vihen re brekët plot arna të vatanit, që nderen me patos epik e më pas qëndisen plot ojna lirike, të lagura me lot nostalgjie.

Kryeministri ambicioz e trazovaç siç është, zë gjithmonë kryet e vendit, pastaj vijnë kardashlerët, jeniçerët, akixhinjet, spahinjtë, sejmenët, qehajallarët, brejtësit dhe gaztorët e tij. Ai na u lut posaçërisht. Vetëm kronikën tha lexoj, pasi pllaquritem në ujërat e Jonit e më pas shoh si noton Gramozi.

Emisioni i televizionit “Rai 3”, “Narkotika”, i realizuar nga gazetarët më të mirë investigativë të këtij rrjeti me famë, në Itali rezultoi ndër më të shikuarit. Si të shushatur ndiqnin ekranin letinjt ç’bëhej përballë. Aty, prokurorë kokoroshë të antimafias e të tjerë, njerëz të ligjit dhe analizës, flisnin ndër të tjera për kopshtin shkëmbor të Ballkanit, d.m.th Shqipërinë të mbjellë si tokë pjellore për drogën dhe transportin e saj prej aty. Nënë, o nënë sa ibret dilte vendi ynë! Si batak fëlliqësish. U sa e pështirë perceptohet qeveria pas asaj lemerie të tillë, ku diçka gjithë kohës të pulsonte në stomak si lavjerrës. Ne që jetojmë në këtë anë që kemi parë ara e fusha me kanabis, avionë që mbesin kënetave, s’e kemi të vështirë të besojmë që “Narkotika” pohon të vërtetat tona tragjike.

Pikërisht kriminalizimin dhe shndërrimin në mafiozë të shoqërisë sonë, ku pushteti shndërrohet në kamerier ‘lepe peqe’ të krimit. U nxeh Kryeministri, po keq fare ama, me tëmtha që i rrihnin si motor traktori me zinxhirë. Terbiet e rezil e bëri “Rain”, siç bëri dikur hienat e “Italia Unos”, “Bild”- in, VOA-n e të tjera media botërore. Pas tij doli si rrfe zhgjetare ministri i Brendshëm me një traktat, që edhe Elisa ka dy vjet që nuk këndon a shkruan më të tillë. Së paku ajo lëshon romuze me “Baba Xhiken” e mbështetur te tabani popullor dhe hokat e rilindjes. Nuk u hyn të thellave me referenca etike. Vetëm “Zëri i popullit” në vitin 1982 kishte bërë një fletërrufe të tillë kundër Papa Vojtiles! Kush e mendonte që njeriu u ngatërruaka zi zog ndër leqe kur lexon ministrat e Ramës. Nuk kuptohet fare kur flet Sandri, në ka folur Elisa, Besa, Genti, Ermonela, Klotilda, Nepi apo anasjelltas.

Kjo quhet demokraci e gjuhës, në kohën kur të gjithë ata kanë lirishprehjet, me kusht që t’u mungojnë mendimet.

Bash në këtë moment, gënjeshtra është aleati i vetëm i pushtetit. Filozofi kinez Tao thoshte: Gënjeni o njerëz, gënjeni sa të mundeni si dreqër, se vetëm gënjeshtra është e vërtetë! Kinezët zgjodhën xhajë Konfucin gjithsesi, që gënjeshtrën e kishte zët.

Nejse, “Rai treshit” i thyen dhëmbë e dhëmballë, duke mohuar çdo akuzë, duke e bërë me turp e marre, aq sa gazetarët për të zezën e vet kurdisën “Narkotiken”, nuk dalin më në rrugë dhe nëse e bëjnë, gjithë frikë, duke këqyrur anash si ilegalët, mos i shajnë italianët të ndezulluar e nevrikë pas leximit që i bënë Ramës e Sandrit. Se andej nga Italia, të dyve u ka peshë fjala. Çmohet si uji i pakët llaf i tyre plot yndyrë e nur.

Në sheshin e Kronikës shkëlqen portreti i Rakip Sulit, që hyri triumfues në Bashkinë e Kamzës, duke bërë fërtele drynin dhe vullnetin popullor. Në këtë rrezatim bashkoheshin karabojë e flokëve, djersa, gëzimi dhe emocionet! Ndjekësit gjind që e duan shtetin, ligjin dhe demokracinë më fort se jetën, brohorisnin emrin e tij si të kishin përballë Robesbierin, Dantonin e La Fajetin.

30 qershori prodhoi ekipin e bravëthyesve, që si sulmuesit e Xhinxhis Khanit kanë uri të madhe për pushtet, zyra, para e zotnillëk. Ky i fundit nuk blihet as me lekë e nuk fitohet as me kërcënime. Se me këtë parim, Kryeministri do të ishte komandanti i legjionit të nderit të të gjithë zotnilerëve të globit, të cilëve herë pas here do t’u lëshonte thirrjen: Zotnij të të gjithë botës, bashkohuni e më admironi si Ornela Vorpsi.

Andej nga kodrat e Liqenit, Arbian Mazniku, një prej qatipëve të ligjit për arsimin e lartë, me daulle në dorë si çaush me çallme mbi krye e brandavekë ndër këmbë, i printe një urdie që përkujtonte askeritë e rënë shahitë për të mbrojtur Babën Erdogan. Kot e kërkojnë fajin te të tjerët, kjo pështirosje servilizmi është përmbushur me vullnetin e Kryevezirit Edi Rama.

Në sekretarinë e Kronikës vijnë çdo ditë lajmës, te cilët njoftojnë se “lëvizja” “Basha ik” është sponsorizim mediatik e politik i Edi Ramës! Ne të kronikës nuk kemi qenë indulgjentë me Bashën, mjafton t’u hedhësh një sy simotrave të verave të shkuara. Paq kritikohet aty për paktin me Ramën, listën e tij pa sharmë e shije, largimet nga partia, zgjedhjet me Selamin, oborrin me kopukë e ca të tjera sende. Asnjë pendesë s’ka për to, ku i dihet, në kroniken e verës tjetër kushedi çfarë na rezervon fati e çdo themi për të, mbase më keq, mbase më mirë, por fakti që Rama bëhet regjisor i nismës së re, i bie që Basha po bën gjërat e duhura sot. E angazhuar në këtë farsë është e gjithë rajaja e tij propagandistike dhe ndoca të mërzitur nga PD-ja, të cilët e shohin ardhjen e kësaj force në pushtet si fund të perspektivës së tyre politike. Basha është në kohë ta gjejë gjuhën edhe me ta, pse jo! Ata të ndryshojnë thirrje nga “Basha ik” në “Rama ik”.

Të rrish pa pushtet në këtë letyrllëk që na ka pushtuar, është njëfarë purifikimi. Basha këtë e ka bërë. Ai e ka zhveshur partinë e tij nga këto ngarkesa, ndonjë cinik mendon se e ka bërë më tepër seç duhet, madje.

Kësisoj, ai ka mundësi ta rindërtojë atë, (PD) me fytyrë dhe frymë tjetër, megjithëse këtij kapërcimi ylberik ka 6 vjet që i druhet si djalli temjanit. Nuk mjaftojnë vetëm protestat, madje doli që ato nuk mjaftojnë fare se ndërkombëtarët s’të lënë, ose të jenë të tilla që t’u heqin edhe atyre fjalën nga goja. E për sa kohë që s’bën dot të pamundurën, duhet të bëjë të mundurën. Një PD që frymëzon 85 % të bojkotuesve. Rama, i cili sot ka pushtetin absolut, ka humbur popullin në mënyrë absolute! Shtypi dhe zërat pranë Kryeministrit mërziten pse opozita nuk bën revoltë të brendshme! Mërzi e drejtë, kur shohin që vetëm ndaj Kryeministrit ka revoltë secili sipas mënyrës së tij. Nashi për nashi, kronika ju bën selam! Më vonë shomë e bëjmë, se varet çfarë fsheh gushti nën gunë. Nëse na kritikoni për mungese serioziteti, duhet ta dini se ai fshihet tek ideja, jo te forma.

Modifikuar më E mërkurë, 14 August 2019 08:55
Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...