77 arkitektë i dërgojnë letër krerëve të shtetit: Pezulloni ligjin, Teatri duhet të restaurohet

Tuesday, 03 July 2018 21:35

77 arkitektë e urbanistë i kanë dërguar një letër Presidentit Ilir Meta, kryeministrit Rama, kreut të Kuvendit Ruçi dhe kryetarit të Bashkisë Veliajt ku shprehin shqetësimin e tyrepër shpërfilljen.

Në letër ata kanë shkruar për mospërfilljen e specialistëve të fushës dhe mosrespektimin e procedurave në vendimmarrjen politike për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.

“Theksojmë se deri më sot nuk kemi parë asnjë studim, asnjë dokument profesional që argumenton se ndërtesat kanë dëmtime strukturore. Nuk ka asnjë dokument që provon se mangësitë funksionale apo të mbrojtjes nga zjarri janë të pariparueshme. Nuk ka asnjë preventiv që e nxjerr koston e rikonstruktimit 10 milion euro. I vetmi dokument zyrtar, raporti i Institutit të Ndërtimit i marsit 2018, argumenton se ndërtesa ka shenja degradimi, si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes në vite”, thuhet ndër të tjerash në letrën e arkitektëve dhe urbanistëve.

Ata shprehin bindjen se TK dhe TKE mund të restaurohen më së miri, madje duke u rikthyer në gjendjen fillestare të ndërtimit, me të njëjtat materiale dhe teknikë ndërtimi.

“Ne kërkojmë që projekt-ligji që parashikon shembjen e TK dhe TKE të pezullohet dhe të hapet konkurs publik ndërkombëtar për ide mbi restaurimin dhe rikonstruktimin e pjesshëm të TK dhe TKE. Jemi të bindur se zgjidhja që do të dalë nga ky konkurs do të jetë më e leverdishme për financat e shtetit dhe, më e rëndësishmja, do të shpëtojnë një monument me rëndësi të jashtëzakonshme kulturore dhe historike”, shkruhet në letrën e arkitektëve.

Letra e plotë:

LETËR E HAPUR

Tiranë, më 3 korrik 2018

Drejtuar: SHTZ Ilir Meta

President i Republikës

SHTZ Edi Rama

Kryeministër

SHTZ Gramoz Ruçi

Kryetar i Kuvendit

SHTZ Erion Veliaj

Kryetar i Bashkisë Tiranë

Ne, arkitektët, konstruktorët, restauratorët dhe urbanistët nënshkrues të kësaj letre, shprehim shqetësimin tonë të thellë për shpërfilljen e mendimit të specialistëve të fushës dhe mosrespektimin e procedurave në vendimmarrjen politike për shembjen e ndërtesave historike të Teatrit Kombëtar (TK) dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental (TKE) dhe zëvendësimin e tyre me një ndërtesë të re.

Qysh me shpalljen e këtij plani nga Qeveria, Unioni i Arkitekteve (AUA), Shoqata e Arkitektëve (SHASH), Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë dhe shoqata ndërtuesish (emrat e te cilave do te radhiten me poshte, tek firmat) kanë bërë deklarata zyrtare kundër tij dhe në mbështetje të rikonstruktimit apo restaurimit, zgjidhje që duhet të dalë nga tryeza publike specialistësh. Gjatë tre muajve, specialistë të shumë kanë bërë deklarime publike në media, duke dhënë argumentat e tyre kundër shembjes, por ato kanë rënë në vesh të shurdhët. Në dëgjesat e kryera ne jemi lënë jashtë qëllimisht…

Theksojmë se deri më sot nuk kemi parë asnjë studim, asnjë dokument profesional që argumenton se ndërtesat kanë dëmtime strukturore. Nuk ka asnjë dokument që provon se mangësitë funksionale apo të mbrojtjes nga zjarri janë të pariparueshme. Nuk ka asnjë preventiv që e nxjerr koston e rikonstruktimit 10 milion euro. I vetmi dokument zyrtar, raporti i Institutit të Ndërtimit i marsit 2018, argumenton se ndërtesa ka shenja degradimi, si pasojë e mungesës së mirëmbatjes në vite. Ndërsa përsa i përket pretendimit si panelet me fibra druri dhe çimento (populiti) përbën rrezik të shtuar zjarri, ky pretendim është i pasaktë. Këto panele janë materiale me aftësi shumë të mira për izolimin akustik dhe termik dhe kanë rezistencë shumë të lartë ndaj zjarrit. Në këto kushte, vendimi për shembjen e TK, e sidomos të TKE për të cilin nuk ka asnjë rresht të shkruar, është krejtësisht i paligjshëm dhe absurd.

Ne mbështesim letrën e Docomomo International që e cileson këtë objekt trashëgimi moderniste të Shqiperise dhe Europës. Njëkohesisht, mendojmë se transparenca siguron një vendimmarrje më të mirë për vetë teatrin, por edhe për urbanistikën e Tiranës.

Ne shprehim bindjen tonë të thellë se TK dhe TKE mund të restaurohen më së miri, madje duke u rikthyer në gjendjen fillestare të ndërtimit, me të njëjtat materiale dhe teknikë ndërtimi.

Ne kërkojmë që projekt-ligji që parashikon shembjen e TK dhe TKE të pezullohet dhe të hapet konkurs publik ndërkombëtar për ide mbi restaurimin dhe rikonstruktimin e pjesshëm të TK dhe TKE. Jemi të bindur se zgjidhja që do të dalë nga ky konkurs do të jetë më e leverdishme për financat e shtetit dhe, më e rëndësishmja, do të shpëtojnë një monument me rëndësi të jashtëzakonshme kulturore dhe historike.

Mbetemi në pritje të reagimit tuaj qytetar dhe atdhetar.

Vijon lista e nënshkruesve.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...