A është "shkishëruar" Sandër Lleshaj?!

E mërkurë, 15 May 2019 21:45

 

Ka kaluar pa shumë nam deklarata e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për situatën aktuale në vendin tonë dhe aty ku është trajtuar mediatikisht, është parë shumë cekët dhe e fragmentarizuar, duke e projektuar dënimin e dhunës gjatë protestës vetëm tek protestuesit.

Në fakt, në këtë deklaratë lexohet qartë se ka një “zhveshje” apo “shkishërim”  të Sandër Lleshajt nga përkatësia katolike. Jo se Sandër Lleshaj  preket  nga kjo, se ai s’është katolik praktikant sipas kanoneve kishtare, porse ka ndodhur që veprimtarisë së tij t’i përngjitet përkatësia historike dhe familjare e të qenit katolik tradite.

Ideatori i shpërdorimit të katolicizmit përmes Sandër Lleshajt është Edi Rama,i cili ka ndjekur të njëjtën formulë me “kosovarizmin” e  Gent  Cakajt. Më shqeto, duam s’duam, sulmet ndaj Sandër Lleshajt kanalizohen dhe kullojnë edhe tek profili i tij si katolik tradite dhe më shumë sesa sulme ndaj  personit Sandër Lleshaj,  marrin trajtën e urrejtjes vehabiste -komuniste “ndaj kaurëve dhe katolikëve”. Pra, ky përdorim si bedel i Sandrit, pavarësisht se s’meriton të quhet as Judë në dispozicion, ka si qëllim, ndër të tjera, që anatemimet ndaj tij të bëjnë rikoshetë tek katolicizmi dhe jo tek keqqeverisja e Ramës.

Në deklaratën e Konferencës Ipshekvore të Shqipërisë janë gdhendur “tre urdhëresa”  kundër Sandër Lleshajt, më saktë një “shkishërim” se veprimtaria e Sandër Lleshaj nuk i përket “sjelljes së krishterë” të një katoliku. Më konkretisht, Kisha shprehet se “...me vendosmëri i themi JO DHUNËS, qoftë kur vjen nga protestuesit e qoftë kur është shprehje arbitrare e institucioneve.”. Në këtë fjali dallohet qartazi se kur vjen puna tek denoncimi ndaj dhunës, Kisha e ngre tonin në një shkallë sipërore përmes fjalës “arbitrare” kur flet për dhunën e institucioneve, që natyrshëm i drejtohet Ministrisë së Brendshme dhe vet Ministrit.

Enumeracioni i kësaj “ndërhyrjeje hyjnore” pëson një tjetër rritje duke e ngushtuar më tej rrezen e marrësit të këtij kumti kishtar, gati-gati deklarata e Kishës merr formë nominale ndaj Sandër Lleshajt përmes fjalisë “ ... ku institucionet e njerëzit që i kryesojnë ato, respektojnë popullin e ligjet dhe punojnë për të gjithë e jo vetëm për pak njerëz”. Bash pjesa e fundit, cit. punojnë për të gjithë e jo për pak njerëz, janë “kambanat” apo “zjarri në shkurre” i mesazhit që përbën shtyllën e Deklaratës së Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

Si për të bërë dallimin mes Sandër Lleshaj dhe katolikut, që nga Gjeneral i shqiptarëve u bë ushtar i Ramës, duke spiunuar si Juda, Kisha tregohet e vëmendshme për të nxjerr në pah vijën e sjelljes së katolikëve ose asaj që quhet “sjellje e krishterë”, përmes fjalisë se “Ne, duke u bazuar në doktrinën shoqërore të Kishës dhe në traditën e Kishës Katolike në Shqipëri, do të jemi gjithmonë në anën e njerëzve të thjeshtë dhe të jetës së përditshme që duan të jetojnë të qetë, të çliruar nga sundimi i dhunës, i korrupsionit, i kriminalitetit, i papunësisë e i detyrimit të largimit nga vendi për kushte më të mirë”. Pra në një farë mënyrë, mes rreshtave i çon një kumt Lleshajt dhe është detyrë e cilido katolik, pavarësisht pozicionit të punës që të jetë gjithmonë në anën e njerëzve të thjeshtë dhe kundër ligësisë dhe shëmbëlltyrave  demonike si krimi dhe korrupsioni.

“Shkishërimi” ndonëse një koncept kishtar, merr  një trajtë edhe më të “egër në kontekstin shqiptar. Në Kanunin e Lek Dukagjini, kush shkishërohej s’meritonte fjalën njeri, madje shoqërohej me leçitje nga fshati, pra dëbimin nga jeta komunitare njerëzore, e jo vetëm brenda bashkësisë fetare.

Kësodore, Sandër Lleshaj është thjesht Sandër Lleshaj, jo një mëkatar sepse mëkatari kërkon shëlbim, por prototipi i atyre eunukëve të së keqes ose një shpirt i humbur në ferrin që Rama ka ngritur në Shqipëri. Aq i ndërkallur është në punët e zeza të Ramës, saqë nëse do i bëhet ndonjë ekzorcizëm, në vend të shpirtit të keq do i dalë gazi lotsjellës.  

Modifikuar më E mërkurë, 15 May 2019 21:48
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...