BIRN: Kërkesa për shkarkimin e Malajt cënon pavarësinë e Bankës së Shqipërisë

Tuesday, 16 July 2019 22:09

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkon të shkarkojë Arben Malajn si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH, por procedura duket e pambështetur në ligj dhe mund të përbëjë një presion të papërshtatshëm të parlamentit ndaj një institucioni të pavarur.

Socialistët bënë të ditur në një shkresë dërguar kryetarit të Kuvendit se dëshirojnë të shkarkojnë Malajn nga pozicioni i tij për shkak të qëndrimeve të tij kritike ndaj qeverisë, por propozimi shihet si një presion i papërshtatshëm nga ana e një force politike mbi një institucion që duhet të jetë politikisht i pavarur.

Pyetur nga BIRN, Arben Malaj, i cili më herët ka qenë ministër financash për socialistët dhe deputet i kësaj partie, tha se ai nuk do të bëjë kompromis me të vërtetën pavarësisht qëndrimit të ish-kolegëve të tij socialistë ndërsa shtoi se nuk dëshiron të komentojë më tutje për të mos dëmtuar institucionin e Bankës së Shqipërisë.

Gjithsesi, nisma e grupit parlamentar socialist, e publikuar në media, duket se nuk mbështetet në ligj pasi ligji për Bankën e Shqipërisë është konceptuar për të ruajtur pavarësinë e këtij institucioni nga parlamenti.

Banka e Shqipërisë i tha BIRN se Këshilli Mbikëqyrës nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me rastin dhe se nuk kanë ndonjë informacion shtesë për të dhënë.

Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar Socialist, nuk iu përgjigj një pyetjeje të BIRN mbi bazën ligjore të propozimit për shkarkim.

Ndërkohë, Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës ekonomike Monitor, i tha BIRN se nisma e socialistëve duket se përbën një ndërhyrje direkte në pavarësinë e Bankës së Shqipërisë.

“E shoh si një sulm të hapur ndaj fjalës së lirë,” tha Liperi.

Socialisti kritik ndaj Ramës

Malaj është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në vitin 2016 për një mandat zëvendësues ndërsa u rizgjodh për një mandat të plotë shtatëvjeçar nga votat e socialistëve në dhjetor 2018. Më herët malaj ka qenë ministër dhe deputet i Partisë Socialiste ndërsa për një periudhë kohe drejtoi një grupim brenda socialistëve të njohur si “Lëvizja e Mendimit Ndryshe”, e cila përpiqej për demokraci të brendshme në këtë parti. Ai garoi si deputet i pavarur në Vlorë në vitin 2013 por u zgjodh në Këshillin Mbikëqyrës të BSH nga vetë socialistët më 2016 dhe 2018.

Megjithatë Malaj ka qenë kritik ndaj qeverisë “Rama” si dhe në veçanti, ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë Erion Veliajn, të cilin në mënyrë të përsëritur e akuzon për arrogancë dhe babëzi, veçanërisht në lidhje me fushatat kundër të varfërve që shesin rrugëve të Tiranës.

Letra e grupit të deputetëve socialistë nuk e fsheh faktin se janë pikërisht këto komente të Malajt që i kanë shtyrë ata të kërkojnë shkarkimin e tij.

“Në vlerësim të sjelljes në raport me publikun, mund të konkludohet se z. Arben Malaj në cilësinë e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, në asnjë nga daljet publike nuk ka trajtuar çështje që mund t’i shërbejnë publikut për edukimin e tij ose për informimin e publikut për veprimtari të këshillit mbikëqyrës,” shkruhet në shkresën e socialistëve. “Temat e trajtuara prej tij në faljet publike, janë të një natyre thellësisht politike,” vijon më tej shkresa.

Socialistët thonë se i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë të veprojë, por kjo e fundit nuk ka vepruar. Dokumenti pranon se procedura ligjore për shkarkimin e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të BSH duhet të niset nga Këshilli Mbikëqyrës, por për shkak se ky i fundit nuk ka vepruar, atëhere argumentojnë se një nismë të tillë duhet ta ndërmarrë kuvendi.

Një zyrtar i Bankës së Shqipërisë i tha BIRN se banka nuk ka ndonjë informacion më shumë nga sa është publikuar në media mbi këtë çështje dhe se Këshilli Mbikëqyrës nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim në këtë drejtim.

Cënim i pavarësisë së BSH

Banka e Shqipërisë është një institucion i konceptuar që në fillesat e veta për të pasur pavarësi të plotë nga qeveria dhe kuvendi, pavarësisht se guvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen nga kuvendi. Konkretisht, procedura për shkarkimin e Guvernatorit ose anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës në rast të shkeljes së etikës, niset nga vetë këshilli mbikëqyrës para se të miratohet nga parlamenti. Arsyeja për një rregullim të tillë ligjor është se Banka e Shqipërisë, si një institucion që ruan stabilitetin e çmimeve, nuk duhet të jetë e cënueshme nga qeveria apo nga parlamenti, pra nga pushteti politik, sepse përndryshe nuk kryen dot funksionin e vet bazë.

Për rrjedhojë, BSH është një institucion ku llogaridhënia i është besuar kontrollit të brendshëm dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk ka rol mbikëqyrës në të.

Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës ekonomike Monitor, i tha BIRN: “Duke pasur parasysh që Malaj është një nga zërar më realistë dhe kritikë në vend, këtë përpjekje e shoh si një ndërhyrje direkte në cënimin e pavarësisë së bankës qendore në vend”.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Media

“Markat, ndikimi kryesisht nga Perëndimi”

Flet Era Xhabafti, zv.menaxhere e përgjithshme e kompanisë “Mini Invest Albania”   Ndonëse pandemia ka ndikuar në kërkesën për më shumë komoditet, kërkesat janë që edhe rehatia të jetë me marka. Kështu shprehet...