×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Raporti i Frontex: Në Shqipëri po rritet prodhimi i kanabisit, u forcuan bandat

E Enjte, 23 August 2018 13:08

Agjencia e ruajtjes së kufirit dhe menaxhimit të emigracionit, “Frontex”, ka dalë me një raport, për sa i përket kultivimit të kanabisit në vendet e Ballkanit Perëndimor. “Frontex” vëren se në Shqipëri u rrit sërish kapaciteti prodhues i kanabisit dhe u forcuan grupet kriminale

Për çdo vit, “Frontex”, bën publik një raport, në lidhje me situatën e emigracionit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por kur vjen fjala për Shqipërinë, Frontex nuk mjaftohet me emigrantët, por ngre shqetësim edhe kultivimin e bimëve narkotike dhe trafikimin e drogës. Raporti i marrë në shqyrtim dhe i bërë publik dje, tregon edhe sasinë e kanabisit të kapur apo mbjellë në Shqipëri. Gjëja më shqetësuese për “Frontex”, është fakti se, në Shqipëri, ndryshe nga Mali i Zi dhe Bosnja, ka një rritje të prodhimit të kanabisit. Kjo theksohet si, rezultat i uljes së aksionit nga ana e autoriteteve policore vendase. Për “Frontex” viti 2017 dhe pjesa e parë e vitit 2018, shënon një rritje në prodhimin e kanabisit dhe transportimin e tij, në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Kujtojmë se pak ditë më parë, ishte Agjencia e Inteligjencës Amerikane  (CIA) ajo që shprehu shqetësimin për rritjen e prodhimit të kanabisit, duke e bërë Shqipërinë, një nga vendet kryesore të transitit, madje edhe për drogat e rënda.

Raporti i Frontex

Grupet lokale në Shqipëri, duket se kanë rifituar dhe zhvilluar më tej kapacitetin prodhues të kanabisit, të cilat e humbën atë rëndësi që kishin, pas operacioneve të policisë në vitin 2016. Në mënyrë të veçantë, në qoftë se gjysma e dytë e vitit 2015 dhe i tërë viti 2016, kishte më pak zbulime të kanabisit në kufijtë e Shqipërisë, e shoqëruar kjo edhe me çmime më të larta për këtë produkt, në vitin 2017 dhe 2018, mund të vërehet një ri-ngopje e tregut rajonal me këtë lloj substance narkotike. Sasi rekord të sekuestruara në kufij, me çmimet më të larta në tregun e zi, janë kapur nga policia ndërkombëtare. Fakti që klima e disa vendeve në rajon është e favorshme për kultivimin e bimëve të kanabisit, jashtë në hapësirat e mëdha të tokës, pa pasur nevojën e inkubatorëve të posaçëm, bën që, prodhimi dhe trafikimi i kësaj lloj droge shfaqet si një dobësi e pandarë për Ballkanin Perëndimor.

Droga kërcënon kufijtë

Për sa i përket trafikimit të paligjshëm të drogës në rajon, kanabisi mbeti substanca më e përdorur, pasi shumica e saj, është rritur në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe është trafikuar brenda vetë rajonit, ose në më të shumtën e rasteve, ajo është përdorur për qëllime përfitimi në vendet e Bashkimit Evropian. Informacioni i marrë në shqyrtim tregon se, mbi 23 tonë, e kësaj lloj droge është zbuluar në Shqipëri, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë. Të dhëna këto për vitin 2017. Gjithashtu, të dhënat e marra në shqyrtim (vitit 2018) flasin për një rritje të prodhimit të kanabisit. Gjatë vitit të kaluar u regjistrua një rritje në lidhje me këtë fenomen. Në të njëjtat vende janë raportuar edhe zbulime të heroinës, por në përgjithësi sasitë e sekuestruara ishin të vogla, afërsisht 35 kg. Droga të tjera të tilla si, kokaina, apo edhe amfetamina, janë kapur në këto tre vende, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, por sasitë e zbuluara në kufij ishin të vogla. Klima e butë e Shqipërisë, e cila është e izoluar dhe rurale, e koordinuar së bashku me grupet me përvojë, të cilët janë të përfshirë në kontrabandën e drogës, kanë kontribuar, gjithashtu, për ta bërë Shqipërinë një nga vendet kryesore të prodhimit të kanabisit. Shqipëria ka fituar statusin, për një kohë të gjatë të vendit me prodhimtarinë dhe me sasinë më të lartë të kanabisit në rajon. Në tremujorin e parë të vitit 2016, autoritetet shqiptare kryen operacione komplekse, të cilat synonin ndërprerjen e kultivimit dhe përpunimin e kanabisit dhe drogave të tjera, në zonat e Gjirokastrës dhe Dukagjinit. Si rezultat, kapaciteti i prodhimit të grupeve lokale u zvogëlua dhe së bashku me të, zbulimi i drogave të dërguara jashtë Shqipërisë u tkurr disi. Gjerësisht, shumica e kanabisit të zbuluar në kufijtë e Shqipërisë, në vitin 2016, të cilat janë raportuar më parë nga ana e “Frontex”, ishin më të vogla. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit 2016 dhe 2017, si pasojë e uljes së kontrollit policor, grupet kriminale, duket se në mënyrë të qëndrueshme kanë rifituar aftësitë e tyre për kultivimin e kanabisit. Kjo luhatje në aftësitë prodhuese, ndikoi në çmimin e kanabisit në tregun e zi. Në mënyrë të veçantë, prodhim i kanabisit në vitet 2014-2016, u dëmtua ndjeshëm nga veprimet policore në Shqipëri dhe Malin e Zi, një vend i rëndësishëm tranziti, ku çmimi për një kilogram kanabisi shkoi nga afërsisht 500 euro në vitin 2013, në rreth 1 000 euro në vitin 2015, duke sinjalizuar mungesën në treg. Në vitin 2016-2017 vëzhgimi i çmimit të një kilogrami kanabis, ra nga 400 euro në 350 euro. Kjo nënkuptonte që grupet kriminale e kishin thelluar aktivitetin e tyre kriminal, duke shkaktuar një rritje të kanabisit nëpër tregjet evropiane, pavarësisht sasisë së madhe të kanabisit të sekuestruar nga ana e autoriteteve të këtyre vendeve. E njëjta situatë është e vlefshëm edhe për Shqipërinë, ku “Frontex” vëren një ulje të aktivitetit kriminal në fillim të vitit 2016 dhe një rritje në vitin 2017. Për sa i përket situatës në tremujorin e parë të vitit 2018, Frontex pritet që të japë të dhëna në muajt në vazhdim.

Frontex: Armët në Ballkan mund t’i gjesh kudo

Raporti i marrë në shqyrtim nga ana e “Frontex”, thekson edhe përdorimin e armëve të zjarrit në Ballkanin Perëndimor. Serbia është shteti që ka numrin më të lartë të armëve, të cilat nuk janë të ligjshme. Shqipëria renditet e katërta, mbas Serbisë, Bosnjes dhe Kosovës. Duhet theksuar se Bosnja është një vend problematik me ndarje etnike dhe si rrjedhojë, armët janë më të përhapura. E njëjta situatë është edhe në Kosovë, ku aroma e luftës është akoma e freskët, kërcënimi serb është prezent, detyrimisht edhe armët do të jenë më të përhapura. Ndërsa për Shqipërinë, përdorimi në shkallë të gjerë i armëve u ka ardhur në ndihmë trafikantëve dhe krimit të organizuar. Ligji për armët pa leje është ashpërsuar në Shqipëri. Në vitin 2015, qeveria shqiptare nxori një urdhër, për mbledhjen e të gjitha armëve pa leje, por ky ligji, sipas të cilit fitoje amnisti nëse e dorëzoje armën, ka dalë jashtë funksionit, pasi nuk ka sjellë rezultatet e pritshme. Vrasjet e fundit e kanë kthyer në nul këtë ligj. Raporti i “Frotnex” thekson se: “Në vitin 2017, forcat e policisë kufitare të gjashtë vendeve rajonale, të Ballkanit Perëndimor vazhduan të zbulonin armë dhe municion, gjatë aktiviteteve të tyre për kontrollin e kufijve. Në nivel rajonal raportimi liston 360 armë, 15 granata, 25 339 kuti me municion, 3 kilogramë materiale shpërthyese, 12 kilogramë me prekursorë shpërthyes dhe dy detonatorë, të gjitha zbulohen në 209 raste kërkimi, nga ana e autoriteteve të “Frontex”. Krahasuar me vitin 2016, numri i municioneve të kapura u rrit me 51%, numri i armëve të zjarrit u rrit me gjashtë fish.

Ndërkohë për vitin 2017, u regjistrua vetëm një armë e konvertuar, pa detonatorë dhe pa granata. Për të dhënë një vlerësim në perspektivë, duhet theksuar se vëllimi i zbulimeve të armëve të zjarrit për vitet 2016 dhe 2017, mbetën relativisht të ulëta duke pasur parasysh gjatësinë totale të kufijve në rajon. Serbia vazhdoi të renditet e para, në termat e zbulimeve të armëve dhe pjesëve të municioneve, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, dhe ish-Republikën Jugosllave e Maqedonisë. Në përgjithësi, numri i zbulimeve të raportuara, brenda zonës së përgjithshme të përgjegjësisë së forcave të policisë kufitare rajonale, është e konsiderueshme. Frontex ka vazhduar të zbulojë në përgjithësi, sasi të vogla të armëve të zjarrit dhe municionit, kryesisht të marra për përdorim personal. Zbulimet përfshinin armët e zjarrit me leje të përdorura në rrethana të paligjshme, p.sh. gjuetia pa leje ose jashtë sezonit, municionet e harruara në valixhe gjatë udhëtimit përtej kufijve etj., si dhe armë të paligjshme. Një numër i rasteve që përfshijnë transportimin e sasive relativisht të mëdha të armëve, janë zbuluar gjatë vitit 2017, duke treguar mundësinë e një dimensioni ndërkufitar të fenomenit. Megjithatë, shumica e këtyre zbulimeve ndodhën në hyrje të rajonit, duke treguar se ekziston një kërkesë për armët, nga ana e vende të tjera, jashtë Ballkanit Perëndimor. Numri i lartë i parashikuar i armëve të zjarrit në rajon, pas konflikteve të kaluara dhe kulturës së armëve, mbeten disa nga shtytësit kryesorë për rritjen, kontrollin dhe menaxhimin e lëndëve narkotike. Për grupet kriminale është goxha e lehtë që të ruajnë plantacionet e tyre të kanabisit. Armët në Ballkanin Perëndimor mund t’i gjesh kudo dhe ngado. Për më tepër, fitimet e mundshme të cilat vijnë nga trafikimi i paligjshëm i armëve, do të jenë një nxitje kryesore për grupet kriminale, që të angazhohen në shitjen e armëve të zjarrit dhe shpërndarjen e tyre në rajonet fqinje dhe në vendet e Bashkimit Evropian. Duke pasur parasysh ndikimin e mundshëm në fushën e sigurisë, si rrjedhojë e posedimit të paligjshëm të armëve të zjarrit, monitorimi i ngushtë i situatës në rajon është i nevojshëm”- thekson Frontex.

Frontex: Emigracioni u zvogëlua, por duhet kontroll

Çështja e emigracionit të paligjshëm, është ajo që ka lënë disi më të kënaqur, “Frontex”. Shifrat e paraqitura nga ajo janë disi më optimiste. “Frontex”, thekson, se, “Një varg masash përgjigjesh, duke filluar nga rritja e koordinuar e kontrolleve kufitare, nga vendet më të prekura, deri tek veprimet e politikave të mbështetura nga BE-ja, të paraqitura në fund të vitit 2015 dhe të ruajtur gjatë vitit 2016 dhe 2017, kontribuuan në një reduktim të dukshëm të vëllimit të rrjedhave të migracionit, e vëzhguar kjo në Ballkanin Perëndimor. Në përgjithësi, në rrugën e Ballkanit Perëndimor, numri i kalimeve kufitare të paligjshme nga emigrantët jo rajonalë, midis pikave të kalimit kufitar (PKK), ka rënë në vitin 2017, deri në 19 000, pra një numër i ulët, po ta krahasojmë me vitin 2016, ku numri arriti në 260 000 njerëz. Tendenca në rënie, e vërejtur gjatë nëntë muajve të fundit të vitit 2016, u pasqyrua në vitin 2017. Çdo tremujor i vitit 2017 shënoi shifra më të ulëta, pasi presioni migrator mbeti relativisht i qëndrueshëm dhe u kthye në nivele të menaxhueshme. Mbyllja e korridorit tranzit të Ballkanit Perëndimor në, vitin 2016, ishte një hap i rëndësishëm drejt trajtimit të krizës së migracionit dhe sjelljes së trysnisë në nivele të menaxhueshme. Për sa i përket kontrolleve të zgjeruara kufitare, masa të veçanta u zbatuan në pikat kyçe të tranzitit në Mesdheun Lindor, në pikat hyrëse kryesore, në kufijtë e përbashkët jugorë të vendeve të rajonit me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe në pikat kryesore të daljes në veri të rajonit, sidomos në vendet anëtare të BE-së, në kufijtë e përbashkët me Serbinë.

Në kufijtë e përbashkët jugorë midis rajonit dhe shteteve anëtare të BE-së, Maqedonisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Serbisë, u mbajtën masat e zakonshme, pra me rivendosjet e tyre të brendshme dhe me mbështetjen ndërkombëtare, në kuadër të ndërhyrjeve të financuara nga Komisioni Evropian, në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbi ose OJF-të e ndryshme, të koordinuara nga Frontex, në Bullgari dhe Greqi. Në veri të rajonit, Hungaria përforcoi kontrollet kufitare duke riimponuar praninë e policisë, duke ngritur pengesa teknike, duke ripërcaktuar gjithashtu procedurat e punës. Rumania gjithashtu zbatoi një sërë masash, të cilat synonin pengimin e migracionit nga Serbia, ndër të cilat shtoi aftësitë e saj të zbulimit përmes rivendosjes së stafit dhe pajisjeve, nga njësitë e tjera të policisë kufitare ose strukturat e tjera të zbatimit të ligjit në vend. Kroacia gjithashtu vazhdoi të jepte resurse për të ruajtur kontrollet e zgjeruara në kufirin e saj të përbashkët me Serbinë. Për sa i përket përgjigjeve të politikave, deklarata e BE-së dhe Turqisë, mbi menaxhimin e migracionit të parregullt, së bashku me zbatimin e qasjes së “Hotspot-eve” “Zonave të nxehta”, në ishujt e Egjeut grek, uli rrjedhën e migracionit nga Turqia, duke u penguar lëvizja e mëtejshme drejt Ballkanit Perëndimor. Meqenëse masat e kufizuara të koordinuara u ruajtën në Detin Egje, në jug dhe në veri të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe në vendet e destinacionit, rrjedha jo-rajonale e emigrantëve të parregullt u zvogëlua dhe u stabilizua ndjeshëm, gjatë gjithë vitit 2017. Megjithatë kufizimet e zgjeruara, pati në një numër emigrantësh të bllokuar në vende të ndryshme përgjatë rrugës (dmth. në Ishujt Egje, në kontinentin grek, në Bullgari dhe në Serbi). Këta persona mbajtën nën kontroll nga autoritetet kufitare, pasi ata tentuan në mënyrë të përsëritur të kalonin ilegalisht. Duke pasur parasysh se ekzistojnë kushtet themelore për një rritje të shpejtë të presionit të migracionit (p.sh. grupi i madh i emigrantëve të mundshëm në rajonet fqinje ose brenda Ballkanit Perëndimor, shenjat e kërkimit të vazhdueshëm për alternativat e udhëtimit, përgjatë rrugëve të tjera si Shqipëria-Korridori i Malit të Zi-Bosnje dhe Hercegovinë-Kroaci), bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe masat e koordinuara të reagimit, mbeten të një rëndësie vendimtare”, përfundon analizën “Frontex”. Shekulli

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...