Qeveria populiste në Itali ka lajmëruar strategjinë e re për politikat financiare, të quajtur “iniciativa e guximshme dhe e përgjegjshme”, gjë që pritet ende të pranohet nga Bashkimi Europian dhe tregjet. Italia ka prezantuar objektivat përfundimtare të buxhetit për vitet e ardhshme, duke i dhënë fund spekulimeve mbi planet e shpenzimeve. Qeveria uli projeksionet për ekonominë dhe pranoi shpenzimet më të larta, pavarësisht kritikave nga Europa. Kabineti e bëri të qartë se shpenzimet nuk do të përfshijnë vetëm masa sociale, por edhe investime.
“Manovra e buxhetit që Qeveria po përgatitet të nisë është e guximshme dhe e përgjegjshme, që përqendrohet te rritja dhe mirëqenia e qytetarëve”, tha ministri i Financave Giovanni Tria, në një letër ndaj Komisionit Europian. Këtë javë, Roma zyrtare uli objektivat e rritjes ekonomike për këtë vit në 1.2%, nga 1.5% që vlerësonte më parë. Megjithatë, për shkak të investimeve publike dhe private dhe uljes së barrës tatimore për sipërmarrjet e vogla e të mesme, rritja ekonomike pritet në 1.5% për 2019-ën, 1.6% në 2020-ën dhe 1.4% pas 2 vitesh.
Projeksionet për ekonominë sollën rënien e bursave italiane dhe rritën interesat e titujve të borxhit. Investitorët shqetësohen se objektivi i rritjes në 1% dhe rritja e shpenzimeve do të rrezikojnë vendin. Italia ka borxhin e dytë më të madhe në Europë dhe në këto kushte, mund të shfaqet një krizë për ekonominë e 3 më të madhe të Eurozonës. Për vitin 2019, qeveria konfirmoi deficitin në 2.4% të PBB, por uli normën në 2.1% dhe 1.8% në dy vitet e ardhshme.