Aktivistja pro çështjes kombëtare Elida Jorgoni është mbajtur në komisariatin e Këlcyrës për 2 orë e gjysmë për shkak se kërkonte të protestonte për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Gjatë ditës së sotme në Bularat, njësia administrative Dropull (Gjirokastër) po zhvillohej një ceremoni përkujtimore të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke.
Edhe pse ishte kërkuar leje në polici për këtë protestë brenda afateve ligjore, policia nuk e ka lejuar kryetaren e ‘Foleja e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare’ për të protestuar, për shkak se siç tregoi ajo në një lidhje telefonike për ‘Fax News’ kishin marrë urdhër nga lart.
Jorgoni u shpreh në protestë do të kërkohej reciprocitet në marrëdhëniet mers dy vendeve, në mënyrë që siç vijnë grekët për të nderuar ushtarët e tyrem edhe shqiptarët të shkojnë në Çamëri për të vizituar varret e të parëve të tyre.
‘Protesta për të kërkuar reciprocitet. Nuk e di arsyen, është i padrejtë arrestimi im se ishte vënë në dijeni dhe komisariati i Përmetit dhe Këlcyrës. Unë shoqërohem dhe mbahem 2 orë e gjysë në komisariatin e Policisë’, tha Jorgoni pasi ishte liruar.
‘Më thanë që kemi urdhër nga lart, nuk kemi problem me ty por kemi urdhër në polici’, shtoi ajo, duke vënë edhe njëherë në pah të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë që shkelen nga Greqia.
‘Protesta ishte për të drejtat tona të mohuara nga fqinji jugor. Ashtu si ata që vijnë dhe ne duhet të nderojmë figurat tona kombëtare atje ku i masakruan në Çamëri, unë jamë nën-grata nga shteti grek’, tha aktivistja.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe PDIU:
Ndalohen patriotët shqiptarë të protestojnë dhe u hapet rrugë provokimit me armë të esktremistëve të Agimit të Artë
Policia nuk u jep leje patriotëve shqiptarë që të protestojnë për fyerjet që u bëhet të gjithë shqiptarëve me varrezat greke në Këlcyrë dhe bërjen e tyre vend pelegrinazhi për esktremistët grek të vorio-epirit. Patriotët shqiptarë si Elida Jorgoni kanë të gjithë të drejtën për të protestuar dhe ndalohen e arrestohen padrejtësisht nga Policia.
PDIU dënon këtë veprim të Rilindasve të rinj, të cilët po lëvizin nga vendprehjet e tyre Rilindasit e vjetër.
Si është e mundur që disa shqiptarë patriot, të ndalohen të protestojnë në territorin e tyre në Këlcyrë, ndërkohë që në Gjirokastër lejohet që një ekstremist i Agimit të Artë, Konstatinos Kacifas, të qëllojë Policinë e Shtetit.
Është e papranueshme që një ekstremist i Agimit të Artë që të jetë i pranishëm në territorin shqiptar në ceremoninë e varrezave për ushtarët grek dhe më pas ky ekstremist, qëllon Policinë Shqiptare.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet bën thirrje që ekstremisti i Agimit të Artë të arrestohet nga Policia.