Një ditë në Shkodër, në “Impression Art Galeri”

Hënë, 12 November 2018 18:09

- Kujtime dhe mbresa -

Eden Babani, Bruksel

1

Gjatë një bisede telefonike të fundvitit të shkuar, piktori shkodran, Edir Mhilli, më pati pyetur nëse mund ta ndihmoja për të hapur një ekspozitë “me do piktura” të tij impresioniste në Bruksel, duke shfrytëzuar njohjet e mia me shoqata dhe organizata shqiptare të këtushme. Mundet, i thashë, pa i shpjeguar kur dhe si. Ndërkohë, prisja të dilte nga shtypi libri im “Rrëfimet e bashkëkohësisë - përmbledhje publicistike”. Një rrugë e dy punë, mendova. Në pranverë, edhe promovimi i librit, të cilin e kishte marrë përsipër Shoqata Shqiptaro-Belge “Konitza ASBL” (asssociation sans but lucratif - shoqatë pa qëllim përfitimi), edhe ekspozita. Për sa më sipër, bisedova me zotin Genti Metaj, President i “Konitza”-s. Pasi edhe ai e gjeti interesante idenë time, i kërkova Edirit të më dërgonte paraprakisht fotografi të kuadrove që dëshironte të ekspozonte, në mënyrë që të përzgjidhnim disa syresh, sipas kushteve që ofronte salla ku do të zhvillohej veprimtaria.

Për fat të keq, sëmundja e rëndë e një të afërmi në rrethin tim të ngushtë familjar, e cila përfundoi me vdekjen e tij të hidhur, u bë shkak që promovimi i librit të mos bëhej pranverën e 2018-s. Për rrjedhojë, as ekspozita. Megjithatë, nuk hoqa dorë nga dëshira për t’u njohur për së afërmi me veprimtarinë artistike të Edirit, sado që m’ u zbeh dëshira për të promovuar librin tim. Në kushte të tilla, tetorin e shkuar vendosa të kaloja një ditë në shoqërinë e piktorit shkodran...

2

...Me emrin e Edirit, kam qenë familjarizuar që prej dyzet-e-kusur vjetësh, bash në vitin e largët 1975, kur atë e solli në jetë kushërira ime e parë, Irena. Më pas, sado që valët e jetës e prunë të shiheshim rrallë e më rrallë me time kushërirë dhe me të shoqin, Edmondin, lidhjet dhe marrëdhëniet tona familjare nuk u shkëputën kurrë, as nga ana ime, as nga e tyrja. As atëherë kur acarimi i luftë së klasave ngrinte barrikada gati të pakapërcyeshme mes të afërmish me cene në biografi. Përkundrazi, ato u shtrënguan edhe më, ndonëse për së largu. Domosdo, nuk reshti as interesimi i ndërsjellë për rritjen e fëmijëve tanë dhe për ecurinë e tyre nëpër shkolla e, më pas, në jetë. Mua për fëmijët e sime kushërire, Edirit dhe Erisit. Asaj për djemtë e mi, për Metin e për Lilin.
Dhe të mendosh se dyzet-e-kusur vjet nuk janë pak!... Dhe të kujtosh se gjithë atë kohë, familja Mhilli-Pëllumbi ishte ngulur në Shkodër me hallet e veta, kurse unë endesha si nomad, sa në Kavajë e në fshatrat e saj, aq në Tiranë a në Bruksel!...

* * *
Ediri u mëkua, u rrit dhe u kultivua si artist në një mjedis familjar artistësh. Atij nuk i mungoi asnjë çast përkujdesja prindërore, si udhërrëfyese drejt botës së artit e të kulturës, qoftë nga ana e së ëmës, pianistes së talentuar Irena Pëllumbi. Qoftë nga ana e të atit, Edmond Mhilli, regjisor i njohur i Estradës Profesioniste të Shkodrës. Por, ndryshe nga prindërit, - thua se i nxitur nga dëshira për t’i shtuar një tjetër hallkë traditës artistike të familjes - Ediri iu përkushtua artit të pikturës, ndonëse të mesmen e përfundoi në shkollën e muzikës “Preng Jakova” në Shkodër, nëndrejtoreshë e së cilës ishte për një periudhë kohe e ëma.
* * *
Me shembjen e sistemit monopartiak afro pesëdhjetëvjeçar dhe me fitoren e pluralizmit politik dhe të shtetit demokratik, ndërsa shpërbëheshin institucionet kulturore të para-viteve ’90, Shkodra artdashëse po e ndjente më shumë se kurrë nevojën e veprimtarive artistike, bashkudhëtare të përhershme të jetës së saj mijëravjeçare. Asohere, një me institucionet kulturore, po treteshin si kripa në ujë edhe grupet artistike, ato vokale, koret, orkestra simfonike etj., të cilat ishin si ishin të ndrydhura brendapërbrenda kornizës së realizmit socialist, të paktën e mbanin gjallë jetën artistike të qytetit të lashtë, ndonëse në kufijtë e mbijetesës për shkak të ideologjisë dhe të censurës së kohës. Kësisoj, në kuadër të Shtëpisë së Kulturës, me drejtor Edmond Mhillin, dhe me mbështetjen e pakursyer të kryetarit të atëhershëm të Bashkisë së Shkodrës, Filip Guraziu, - ish i përndjekur politik, demokrat dhe artdashës - Irena krijoi më 1992 kuartetin për muzikë dhome “Martin Gjokaj”, duke qenë njëherësh edhe nismëtare dhe organizatore, edhe drejtuese artistike, edhe instrumentiste (pianiste).
Vite më vonë, në gusht të 2002-së, sërish me nismën e Irena Pëllumbit–Mhilli, u krijua shoqata “Impression”, të cilën ajo e kryesoi deri në vitin 2009, kur ia kaloi për drejtim të birit. Ndërkohë, Ediri e pati hapur një atelie pikture të përkohshme në një mjedis të familjes Çobaj, në të njëjtën rrugë ku, disa vite më vonë, përuroi “Impression - Art Galeri”, me mbështetjen e artdashësve shkodranë dhe me ndihmën morale dhe ekonomike të pronarëve të mjedisit, – pjesëtarë të familjes së njohur Lacaj, - të cilëve u është tepër mirënjohës.
* * *
Ediri kujton se mësimet e para për vizatim, i mori nën mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e piktorit Angjelin Dodmasej, - mik i prindërve të tij, - qysh në moshën trevjeçare e deri në atë përtej adoleshencës, kur kaloi në Akademinë e Arteve, në Tiranë. Impulset e fuqishme artistike që e hodhën në krahët e artit impresionist, i mori nga impresionistët-pionierë shkodranë: Profesor Danish Jukniu, Ismail Lulani dhe Franc Ashiku. Ndërkohë, nga ç’ kam mësuar në biseda të rastësishme me artdashës dhe dashamirë të Edirit, unë do të shtoja se, edhe sot e gjithë ditën, ndjesitë dhe nuhatja e piktorit shkodran për të arritur majat e përsosmërisë ndjekin të njëjtën kurbë ngjitëse, njësoj si dikur, dyzet vjet të shkuar, teksa hidhte hapat e parë në fushën e arteve figurative. Kësisoj, ndonëse në moshën dyzetvjeçare dhe ndoshta në kulmin e pjekurisë artistike, kohët e fundit, ka ndjekur dhe ndjek kurse impresioniste bashkëkohore me pagesë përmes internetit në “Virtual Art Academy”, nën udhëheqjen e profesor Barry Jon.
Përvojën dhe njohuritë teorike e praktike të përfituara gjatë një kohe “bajagi të gjatë”, - siç thotë në dialekt piktori tashmë i burrëruar, - po e përçon drejt brezit më të ri të artistëve shkodranë të arteve figurative, të cilët, sipas një plan-programi të detajuar, frekuentojnë studion “Impression Art Galeri”, ku kanë mundësinë edhe të trajtohen teorikisht, edhe të stërviten me penel në dorë. Ndërkohë, ai ka krijuar lidhje me
shoqata te tjera, të huaja ose të vendit, dhe, - siç ia ka ënda të shprehet, - mirëpret bashkëpunim për veprimtari të mëtejshme në fusha të ndryshme të artit figurativ.

Në kontekstin e mësipërm, Ediri ka tregtuar disa nga veprat e tij në mjaft vende të Europës, në SHBA, në Kanada etj...
3
...Mua dhe time shoqe, Fatbardhën, Ediri na priti në terminalin e autobusit ndërqytetës Tiranë-Shkodër. Nuk ishim parë prej së paku njëzetedy vitesh, qysh se ne u mërguam në Belgjikë. Ndoshta edhe më shumë. Kushedi?... Ai, tashmë, i burrëruar, kurse ne në moshë të tretë, vallë a do ta njihnim njëri-tjetrin? Aq më tepër që gjindja, e cila priste dhe përcillte, ishte aq e dendur te shkallaret e autobusit, sa duheshin bërryla për të çarë e për të bërë përpara. Aq më tepër që atë ditë tetori, moti ishte një behar i dytë dhe rrethrrotullimi te sheshi përpara Teatrit “Migjeni” ishte plot e përplot.
Por, gjaku i të parëve... Ishin impulset e trashëgimisë sonë fisnore që na shtynë në mënyrë instinktive drejt njëri-tjetrit. Së pari një përshëndetje me sy e me duar mbi kryet e gjindjes, pastaj buzëqeshje dhe përqafime...
Në “Impression Art – Galeri”, na priste i ati, Edmondi, tashmë në prag të moshës së tretë, ama menaxher i drejtpërdrejtë dhe i papërtuar i Shoqatës, nën drejtimin e të birit. Mondin, nuk e nxinte vendi teksa koha e pritjes i ngjante pambarim dhe teksa lëvizte poshtë e lart trotuarit me do miq të tij. Aq më tepër që atë paradite mungonte në Galeri edhe nusja e të birit, Gjystina, e cila na priste në shtëpi bashkë me të vjehrrën. Dhe ja... Sërish, përqafime. Sërish emocione në ngjitje, ndoshta edhe ndonjë pikë loti, që, secili prej nesh, të moshuarve, mundohej ta fshihte.

Me Irenën dhe Gjystinën, - bijë e familjes Zefi nga Jubani, - u takuam pas një a dy orësh. E para, si zonjë shtëpie, na priti te porta me dorë në zemër. Pas saj, e reja me përparëse, dukej se po merrej me përgatitjet e mikpritjes. Si me qenë dy motra a dy shoqe amvisa të përkryera, ato ishin përkujdesur që gjithçka atë ditë të kalonte sa më bukur.

Dhe s’ kishte sesi të ndodhte ndryshe. Irena, bijë e së ndjerës tezes sime, Metkës (Mejmenetit), dhe e devolliut Fuat Pëllumbi, nikoqirë e mikpritës si ata të dy. Gjystina, si amvisë e një shijeje tjetër, asaj shkodrane e bashkëkohore.

 

Modifikuar më Hënë, 12 November 2018 18:25
Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...