Historia e Kosovës mes Rambos dhe Gjarprit

Premte, 08 February 2019 10:14

NGA ÇIM PEKA 

Përveç Ibrahim Rugovës, figura e të cilit qëndron qartazi shumë më lartë se e kujtdo tjetër në piedestalin e lirisë, dy janë figurat qendrore të luftës për çlirimin e Kosovës dhe në dy dekadat e fundit, pas çlirimit të saj: Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi, ose siç njihen me emrat e luftës, ‘Rambo’ dhe ‘Gjarpri’.

Ndoshta është rastësi, ndoshta edhe profeci, por aktiviteti i tyre ushtarak dhe ai politik i pas-luftës, më së miri u përshtatet këtyre dy sinonimeve.

Për të parin thuhet se kur ta jep besën, të ka dhënë jetën; ndërsa për të dytin, thuhet se kur ta ka nevojën të futet në gji, sapo të mos ketë me interes, të kafshon.

Historia e te dyve është e lidhur ngushtë me historinë e re të Kosovës. Sfidat e të dyve, po ashtu pazgjidhshmërisht me ato të Kosovës.

Tre momente përbëjnë tre sfidat e mëdha të Kosovës; po ashtu edhe tre sfidat për ‘Rambon’ dhe ‘Gjarprin’.

Sfida e parë është lufta dhe çlirimi i Kosovës.

Sfida e dytë është shtet-formimi dhe raporti me Gjykatat Ndërkombëtare

Sfida e tretë është tani, marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ti marrim me radhë.

-Sfida e Parë

Organizimi i shqiptarëve të Kosovës si brenda vendit dhe në diasporë për mbrojtjen e trojeve të tyre dhe për çlirimin e Kosovës, nuk është diçka që mund të përshkruhet bardh e zi, dhe as një lëvizje e unifikuar. Ajo lindi si nevojë reagimi ndaj heqjes së autonomisë dhe si pasojë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ishte një lëvizje spontane ku secili u mundua të kontribuonte në mënyrën e tij. Në fillim ishte FARK, e krijuar nga LDK. Me vonë dolën individë, fraksione e grupime të ndryshme. Edhe brenda formacionit të UÇK kishte rryma, grupime, dhe axhenda të ndryshme. Unifikimi i vetë UÇK-së erdhi në masë të madhe me rritjen e numrit të operacioneve ushtarake të Armatës jugosllave, me afrimin e luftës, si dhe me ndihmën e faktorëve të ndryshëm të brendshëm dhe të jashtëm.

a) Ramush Haradinaj

Pasi shërbeu shkurtimisht në Armatën Jugosllave, nuk pranoi të bënte karrierë aty dhe iku në emigracion. Në fund te viteve ’80 dhe në fillim te viteve ’90 ai jetoi dhe punoi në Zvicër, ku me shokë dhe familjarë të tij u angazhua në lëvizjen për çlirimin e Kosovës. Në Zvicër nuk u lidh me lëvizjet Marksist-Leniniste; ishte autonom nga ta, dhe historia e tij e luftës dhe e pas-luftës u ndërtua e shkëputur prej tyre. Përveç familjes se Adem Jasharit, Familja Haradinaj dhe vetë ‘Rambo’ kanë dhënë kontribut dhe sakrifica njerëzore më shumë se kushdo tjetër në Kosovë. Dy vëllezër të vrarë në luftë, vetë dhe vëllezërit e tjerë të plagosur. Ndryshe nga eksponentët e tjerë të UÇK ai nuk shkoi në Rambuje, por qëndroi në Kosovë të luftonte. Ndërkohë që lidershipi i UÇK lëvizte sa në Paris e sa në Tirane, vëllai i ‘Rambos’ dha jetën në fushën e betejës. Aktiviteti i tij është tërësisht i njohur dhe çdo moment tjetër i jetës së tij është transparent. Deri në çlirimin e Kosovës jetonte dhe vepronte në ilegalitet të plotë.

b) Hashim Thaçi

Edhe ky jetoi e studioi në Zvicër. Ndryshe nga Haradinaj, ai u lidh me LPK-në, një lëvizje Marksiste-Leniniste që operonte në Zvicër dhe disa vende të tjera. Në mos e krijuar nga Sigurimi i Shtetit të Enver Hoxhës, kjo e fundit arriti të penetrojë fuqishëm në këtë lëvizje, kryesisht për të mbajtur nën kontroll diasporën. Kurrë nuk u bë transparente mënyra e ngjitjes së tij në krye të krahit politik të UÇK-së në një moshë tepër të re për atë pozicion. Po ashtu, nuk është fort e qartë sesi arriti të bëhej kryesuesi i grupit negociator gjatë negociatave në Rambuje. Negociatat në Rambuje janë një histori më vete, por momenti i refuzimit të nënshkrimit të Marrëveshjes nga pala Kosovare që drejtohej nga Thaçi për mëse tre jave, vazhdon të mbetet i paqartë. Refuzimi la me gojë hapur anëtarët e Grupit të Kontaktit, por edhe i dha oksigjen Millosheviçit për disa javë.

Pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, Gjarpri nxitoi të shpallte veten Kryeministër të Qeverisë së Përkohshme. Ndërsa Rambo, brenda profilit të tij ushtarak ju përkushtua përpjekjeve për kthimin e ish-UÇK-së në Trupa të Mbrojtjes së Kosovës.

Sfida e dytë

Me çlirimin e Kosovës, NATO instaloi trupat e saj në të gjithë Kosovën. UÇK dështoi ose neglizhoi të kalonte lumin Ibër, dhe rrjedhimisht me instalimin e trupave franceze aty, u vendos kufiri de facto në jug të Ibrit. Ai kufi vazhdon edhe sot. OKB me rezolutën 1244 e vendosi Kosovën nën administrimin ndërkombëtar të UNMIK-ut. Me kalimin e kohës, UNMIK në bashkërendim me miqtë e Kosovës nxiten dhe filluan procesin e kalimit gradual të administrimit të Kosovës tek shqiptarët. Drejtimi i institucioneve filloi gradualisht të transferohej tek vendasit. U krijua mekanizmi ‘Standarde’ përpara ‘Statusit’ që kishte si qëllim përgatitjen e Kosovës për negociatat e ardhshme. Nën drejtimin e Marti Ahtisarit, Grupi i Kontaktit përgatiti platfomën e marrëdhënieve të ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë.

Të drejtat që ju dhanë komunitetit serb në Kosove ishin të paprecedentë në historinë e Europës dhe më gjerë. Këshilli i Sigurimit nën veton Ruse e refuzoi, por Kosova nën drejtimin e miqve të saj, vazhdoi procesin që çoi në shpalljen e pavarësisë. Më shumë se njohja nga vendet kryesore të perëndimit, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtarë në favor të Kosovës e vulosi legjitimitetin e pavaresisë së Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial ne kufijt që ka sot.

a) Ramush Haradinaj

Pas transformimit të tij nga udhëheqës ushtarak në politikan, me themelimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj mbajti një qëndrim të balancuar politik dhe vendosi të bashkëpunojë me ‘armikun’ Rugova. Si pasojë e këtij bashkëpunimi, në fund të vitit 2003 ai u zgjodh Kryeministër i Kosovës. Në shkurt të vitit 2002, elementë brenda policisë ndërkombëtare të UNMIK, filluan hetimet për ngjarje të rënda të ndodhura në Rrafshin e Dukagjinit. Qëllimi ishte goditja e Ramush Haradinaj. Prokuroria Ndërkombëtare i kreu hetimet, dhe nuk gjeti bazë për ngritjen e një padie penale ndaj Haradinajt.

Në mars të po atij viti, Prokurorja e Gjykatës për Krime lufte në Ish-Jugosllavi Carla del Ponte bëri një vizitë pa zhurmë në Kosove. Me vete kishte një dosje voluminoze të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë kundër Haradinajt për krime lufte. Dy vjet më vonë, në mars të vitit 2004 ajo ngrit padi ndaj Haradinajt. Vetëm pak muaj si Kryeministër i Kosovës, ai të nesërmen e ngritjes së padisë dha dorëheqjen nga Kryeminsitër dhe u nis për në Hagë. Duke dorëzuar vullnetarisht mbrojtjen politike që i jepte posti, ai u përball i vetëm me sfidën e dytë të jetës së tij: mbrojtjen e vetes, të UÇK-së, të luftës, dhe të Kosovës. Duke u vetëdorëzuar në Hagë, dhe duke u shpallur i pafajshëm, ai çliroi veten, UÇK-në dhe luftën nga akuzat dhe mbrojti Kosovën.

Fitorja e tij ishte fitore e Kosovës.

b) Hashim Thaçi

Ndryshe nga Haradinaj, ai sundoi Kosovën për dy dekada i patrazuar. Here Kryeministër, herë zëvendës, herë ministër i Jashtëm, dhe së fundi President i Republikës, ai u shndërrua në sunduesin e Kosovës. Në janar të vitit 2011, Këshilli i Europës nën ndikimin rus, serb dhe të aleatëve të tyre politikë, miratuan raportin e Dick Marty, i cili akuzonte UÇK dhe direkt Hashim Thaçin për trafikim organesh. Që përpara raportit të Dick Marty, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha reagoi ashpër kundër akuzave te tilla, duke mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së dhe lidershipit të saj. Duke mbrojtur UÇK-në dhe Thaçin, në të vërtetë Sali Berisha po mbronte Kosovën. Krejt e kundërta ndodhi kur në vitin 2018, Hashim Thaçi akuzoi Berishën se kishte strehuar në Tiranë, Osama bin Laden. Një akuze e tillë, sado e padrejtë, nuk dëmtonte Sali Berishën, por vetë luftën e UÇK-së dhe Kosovën. Është i njohur fakti se propaganda serbo-ruse i ka mëshuar fort idesë se fundamentalizmit islamik si shtytës i luftës për çlirim të Kosovës. Ashtu siç është i njohur fakti se shumë nga këta fundamentalist morën pjesë në luftën e Bosnjës. Por jo në Kosovë. Të vendosesh Osama bin Laden në Tiranë në mes të viteve ’90, nuk bën gjë tjetër veçse i bie borive të Beogradit. Por siç ka ndodhur gjithmonë, Gjarpri gjithmonë i ka vendosur interesat e projekteve te tij politike mbi ato të Kosovës.

Sfida e tretë

Negociatat për një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë dhe hedhja e idesë se ndryshimit të kufijve si parakusht për këtë marrëveshje në verën e vitit 2018 nuk dolën papritur. Kosova dhe Serbia ka disa vite që bëjnë negociata nën drejtimin e Bashkimit Europian. Dhe këto negociata kanë pasur suksesin e tyre. Për çudi, në 2-3 vitet e fundit, këto negociata kane ngecur. Ngecja e negociatave është shoqëruara me një offensivë të fortë diplomatike të Beogradit për të ndaluar dhe kthyer mbrapsht procesin e njohjeve të Kosovës. Është shoqëruar po ashtu edhe me shtyrjen e paarsyeshme të liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian pas plotësimit të të gjitha kritereve të vendosura nga Komisioni Europian.

Kosova de facto është kthyer në një geto. Kosova sot është në pikën më të dobët e më të vështirë që nga shpallja e pavarësisë. Nëse kishte një moment të përshtatshëm për negociata finale, ishte menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare. Atëherë Kosova ishte e fortë. Kishte me vete faktorin ndërkombëtar. Kosova ishte në ofensivë. Sot është e kundërta. Ta futësh Kosovën në negociata ndërkombëtare sot, kur është në pikën më të ulët të saj, do të thotë të pranosh kapitullimin pa kushte. E në rrethana të tilla, sigurisht që çështja e kufijve dhe integriteti territorial marrin vend të parë. Dy çështje këto të mbyllura një herë e përgjithmonë me raportin e Ahtisarit, me shpalljen e pavarësisë, me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare.

a) Hashim Thaçi

Ideja e ndryshimit të kufijve është ide e kahershme e Beogradit. Se pse e mori përsipër Hashim Thaçi në vitin 2018, vetëm ai e di. Me justifikimin e një marrëveshje gjithë përfshirëse me Serbinë, duke hedhur në tryezë shkëmbimin e territoreve, Hashim Thaçi bllokoi procesin e njohjeve të Kosovës, e zhbëri pavarësinë e saj, ktheu në pikën zero të gjitha arritjet e deritanishme. Me apo pa marrëveshje, dëmi është shkaktuar tani. Kosova është futur në një lak, ku nuk del dot. Pasi u fut qëllimisht në këtë lak, tani del e thotë se nuk kemi zgjidhje tjetër veç ndryshimit të kufijve. Përndryshe nuk kemi marrëveshje, nuk kemi njohje, nuk kemi anëtarësim në OKB, NATO, e BE. Gjarprit nuk i intereson asgjëe tjetër, as ndarja, as Serbia e Madhe, as stabiliteti në rajon. Këto nuk janë punë e tij. Puna e tij është vetëm marrëveshja. Me ndarjen e Kosovës si parakusht.

b) Ramush Haradinaj

Me vendosjen e taksës për produktet serbe, ai në fakt ka vendosur kufirin aty ku është e aty ku duhet të jetë. Taksa nuk është një betejë ekonomike. Taksa është betejë politike. Betejë diplomatike. Taktikë negociuse. Taksa është kufiri i Kosovës. Ajo nuk hiqet derisa të hiqet nga tavolina ndryshimi i kufirit. Ramush Haradinaj ka një avantazh të madh. Ai nuk është i shantazhueshëm. Ka luftuar. Ka derdhur gjak. Ata faktorë të brendshëm e të jashtëm që menduan se do ta digjnin përfundimisht duke e përballur me drejtësinë, pa dashje, i dhanë ndihmën më të madhe. I dhanë mundësinë të pastrohet nga akuzat. Ja hoqën mundësinë e shantazhimit. Historia e ka thirrur Ramushin edhe një herë ti dalë zot Kosovës. Në betejën finale. Dy herët e para ja ka dalë me sukses.

Kjo është hera e tretë.

E treta e vërteta!

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...