ANALIZA/ “Krenaria për krimet e komunizmit si akt politik i Rilindjes. Si Baba Taku, Shaqir Bejto, Fasllia Vukaj, Fatosi i Sevo Tarifës po thonë atë që Rama e bën me…”

Tuesday, 30 Prill 2019 18:07

AGRON GJEKMARKAJ/

Shkak për të kuptuar sa jemi të pambrojtur e të gatshëm të rrëshqasim në hone pa dritë nga manipulimi ideologjik i historisë e sidomos nga krenaria për krimet e komunizmit u bë debati i ditëve të fundit! Një sërë personazhesh të lidhur me diktaturën iu vërsulën shkrimtarit të njohur Agron Tufa, drejtues i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit! Në dukje galantë, sollën përmes fjalëve shijen e barutit të thatë, që shkrehej dikur mbi armiqtë e Partisë!

Një raport vjetor i këtij Instituti, një libër me autor Çelo Hoxhën, në të cilin evidentoheshin 265 drejtues të formacioneve partizane drejtuar nga PKSH, të përfshirë në terror ndaj shqiptarëve, si dhe një kërkesë drejtuar institucioneve të shtetit për të listuar punonjësit e ish-Sigurimit famëkeq të shtetit, që punojnë ende në administratë, shpërtheu statusquo-në e hipokrizisë sociale që ekziston mes nesh! Pesëqind të tillë punuakëshin ende në Policinë e Shtetit, të tjerë në Shërbimin Informativ e kështu me radhë kudo! Teorikisht, secili prej tyre ka qenë e mbetet kandidat për kriminel dhe punë të pista!

Krenaria për krimet e etërve dhe gjyshërve vërtitet sa herë ka një përpjekje për ta emancipuar këtë shoqëri me të vërteta historike! Nipërit, ku e ku më shumë, ngaqë panë baballarët në një moment të mundur, të shuar, të fshehur, të fajshëm, mbi të cilët drejtohej gishti si krijesa të turpshme e mizore, u rritën të frustruar me përbetimin “veç mos na ardhtë dita”! Të skuqur, me temp e nerva, me syrin pishë, vini re sa herë e tundin atë gisht! Shumë syresh janë në qeveri e në të gjitha postet kyçe të këtij shteti! Mungesa e kurajës së kësaj shoqërie për t’u ndarë me të keqen dhe për të bërë katarsis të shtie frikën për mundësinë e korruptimit të saj sa herë sfida të forta do t’i qasen!

“Antikomunizmi”, përcaktimi si luftë civile e sidomos tallja me të nga Edi Rama te “Refleksionet” e tij, nuk paskësh qenë asgjë tjetër veçse një hallakatje a përshtatje në rrethana të paqarta e të pafavorshme politike për nostalgjikët e Babës! Sapo u buzëqeshi fati dhe ia behu ora, ai mblodhi nektarin e “aristokracisë” së Bllokut dhe me ta po telendis për së dyti Shqipërinë! Të zalisurit, të ndezulluarit, të roshkuarit nga etja në llapaqeneri tek shndërrohen në jeh të një epoke që e marrin nga një syshkeje si akt politik nga e përndritura “Rilindje”! Ruçi, Braçja i vogëlth, të motnuarit betejave, Baba Taku e Shaqir Bejto, Fasllia Vukaj, Fatosi i Sevo Tarifës e të tjerë tokmakë, po thonë me fjalë atë që Rama e bën me akte! Mban ky vend, mban, ehuha… sa mban e ka mbajtur çmos!

Askund në Europë nuk ka një ekzekutiv që të ketë kaq lidhje gjenetike me të shkuarën kriminale! Mënyra se si reaguan eksponentët, derivate të folklorit ideologjik e historik në këtë debat dëshmoi shumë! Një gjë bie në sy te një pjesë tejet e madhe e “inteligjencës” së lidhur me diktaturën e në shërbim të saj! Krahas urrejtjes e nostalgjisë, spikat edhe një komponent i fortë i padijes e prepotencës, të cilën e kanë argument kryesor në diskursin e tyre ideologjiko-”qytetar”! Ajo (dija e vërtetë që të hap mendjen), me gjasë, nuk u bë kurrë pjesë e traditës familjare edhe pse u vetemëruan si “inteligjenca”.

Origjina nomade baritore e mbështjellë me jakobinizëm e dogma nuk e la kurrë librin, gjuhën dhe stilin t’ua latojnë mendimet, të cilat i nxjerrin si plumbin nga dyfeku drejtuar armikut! Sulmet, fyerjet, kërcënimet dhe tezat folklorike të historiografisë komuniste ndaj Agron Tufës janë një lakmus, se sa e fortë mbetet forca prapavepruese e së keqes! Themi folklor sepse historia u zëvendësua me mitologji luftërash të zmadhuara ose të pabëra, heronjsh të paqenë idealizmi të munguar! Sakrificën e dëshmorëve të vërtetë e vodhën dhe e përdhunuar për 46 vite me radhë! Po e bëjnë edhe tani! Se fundmi, Taulant Balla i propozoi Presidentit të Republikës që të dekorojë Organizatën e Veteranëve me medaljen “Nderi i Kombit”! E para, veteranë të gjallë pothuaj s’ka më, se koha i ka sharruar të gjithë, sado që në filmat socrealistë nuk i këpuste as plumbi i nemcës! Megjithëse Presidenti ngjan mjaft i ushqyer kulturalisht me mite të rreme, përsa i përket Luftës së Dytë Botërore, kemi arsye të besojmë se nuk do të shkojë deri këtu! E thjeshtë fare, shumica e veteranëve u bënë menjëherë pas Luftës instrumente të frikshme të diktaturës! Në Sigurimin e Shtetit, në Ushtri e Polici, në Parti e administratë ata humbën çdo segment idealizmi dhe atdhedashurie! Ata, me hir apo pahir, u bënë pjesëmarrës në krime që të rrëqethin ende! Emrin “vrasës” nuk janë të paktë ata që e kanë fituar me gjestet e tyre.

Gënjeshtrat më të mëdha na u vërtitën mbi shqisa si parabola të shenjta, të gjitha së bashku për të legjitimuar një pushtet tiranik! Tani kuptojmë se ata që kanë vrarë, janë gati të vrasin përsëri. Ata që e kanë ndarë këtë vend në përparimtarë e reaksionarë, në jug e veri, janë gati ta ndajnë përsëri. Ata që e morën pushtetin, duke shkelur mbi kufoma shqiptarësh dhe izoluar vendin nga Europa, boll që ta sundojnë vetë me tribalizëm, janë gati të legjitimojnë çdo gjë!

Më ka mbetur në mendje se si vite me parë, sapo Edi Rama kishte ardhur në pushtet, një nga gardalinat pranë Kryeministrit e në prezencë të tij, pikërisht në Pallatin Mbretëror të Tiranës, tha që “Ahmet Zogu fshatar ishte, po këtë pallat e ka bërë mirë”! U zgërdhinë i madh e i vogël atypari në një gargaritje servilizmi se qeshi vetë nipi i shoferit të Mbretit! Ishte tronditëse tek shihje se si nipërit e atyre që erdhën në Tiranë si “fitimtarë” në vilat e rrëmbyera, futën edhe dhitë e sjella nga gërxhet qukeshin fshatar Mbretin Zog! Etika shqiptare s’ka më tavane se ato do të na zinin përposh! Dhia u ka ngrënë tekstet etike e shoqërore!

Na u shfaq ky term përsëri përmes një përpjekjeje të mundimshme për të mos atashuar edhe fjalën verior që nënkuptohej, duke u marrë me Tufën! Ky është fenomeni më i neveritshëm dhe kërcënues i ndasive, njëkohësisht, jo për Agron Tufën se me gjithë pezmin e tij nuk mendoj se i hyn ferrë në këmbë, por për pseudointeligjencën neoenveriste, që mendon se ka tagër të kërcënojë e, mbi të gjitha, të përvetësojë të drejtën e vetë historinë! Ata kult kanë Enver Hoxhën dhe sistemin e tij sepse u dha mundësinë të ndihen “qytetarë”, “intelektualë”, “diplomatë”, “elitë” kur në fakt janë ca teveqelë të fjalës, të cilëve gabimisht si profesion, po qëllimshëm, në dorë iu dhanë pendën në vend të kamxhikut të birucave që ndërtuan etërit! Gjithsesi, ata nuk zhgënjejnë, por kthehen në origjinë sa herë dikush u përmend krimet, etërit dhe gjyshërit, tanimë në ferr, duke ngjyer pendën me zell në gjakun e mijërave viktimave që patën kurajën të ndiheshin njerëz kur të tjerët u kthyen në kafshë pune dhe mjete transporti për etërit e këtyre tipave!

Në këtë moment, kjo histori është akt politik mobilizimi përballë pushtetit që ndihet i kërcënuar! Përligjja e krimit është sfida e radhës!

Marrë nga panorama.com.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...