Haradinaj i rezistoi lojërave të ndyra të Thaçit e Ramës, por Gjermania ende pa plan

Diel, 05 May 2019 09:46

Ishte një kohë kur ministri i Jashtëm gjerman vinte në Beograd e Prishtinë dhe thoshte: kufijtë në Europën Juglindore janë përfundimtar, nuk preken më, ta dini të gjithë, serbë, shqiptarë sidomos. Ishte një kohë kur kancelarja gjermane Angela Merkel vinte në Beograd dhe thoshte: Serbia duhet të lëvizë në drejtim të njohjes së Kosovës. Kështu ka qenë para gati një dekade.

Nga Enver Robelli


Pastaj kancelarja dhe ekipi i saj ranë në gjumë të thellë, të entuziazmuar me liderin e ri serb Aleksandër Vuçiq, i cili kishte aktruar mirë në Berlin, duke thënë se po e lexonte Max Weberin, babanë e etikës protestante të punës. Merkel është rritur në një familje protestante.

Ndërsa gjermanët rrinin anash, kryediplomatja e BE-së Federica Mogherini u dha dritë të gjelbër presidentit serb dhe atij kosovar të bisedonin për ndarjen e Kosovës. Në fakt Mogherhini vetëm e futi në negociata një kërkesë të ngahershme serbe, ndërsa presidenti kosovar, i ndodhur në shumë halle që e kanë burimin te Raporti i Këshillit të Europës për krimet e luftës të disa krerëve të UÇK-së, pranoi të hidhet në aventurën e radhës. Madje u trimërua kur mori përkrahje edhe nga disa diplomatë të administratës së Donald Trumpit.

Ku ishte Gjermania, ku ishte kancelarja Angela Merkel, ku ishte ministri i Jashtëm gjerman kur filluan këto negociata për ndarjen e Kosovës? Askund nuk ishin. Kur vizatimi i hartave mori formë konkrete, u organizua shpejt e shpejt Samiti i Berlinit. Meqë Gjermania nuk bën pothuaj asgjë në politikën ndërkombëtare pa u konsultuar me Francën, Samiti u organizua nga Angela Merkel dhe nga Emmanuel Macron. Presidenti francez ka qenë pjesë e debateve për «shkëmbimin e territoreve». Para Samitit Parisi tha se zgjidhja e konfliktit mes Kosovës e Serbisë nuk mund të imponohet nga jashtë. Në kërkim të zgjidhjes nuk duhet të ketë «tabu» – ky ka qenë qëndrimi i Francës. Nën presionin gjerman Macron u dorëzua, duke bërë disa skena qesharake në Berlin, siç ishte kërkesa ndaj kryeministrit të Kosovës për heqjen e tarifave ndaj prodhimeve serbe.

Samiti i Berlinit nuk prodhoi diçka konkrete për shkak se BE është e përçarë, për shkak se Merkel ka fjetur gjatë dhe për shkak se Macron, i ndikuar nga zyrtarë me karrierë të gjatë spiunazhi në Ballkan, pranoi të flasë për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Ky Samit prodhoi një skandal të radhës: pezulloni taksat, ne ua heqim vizat – ky ishte mesazhi i Merkel dhe Macron ndaj kryeministrit të Kosovës. Kjo nuk është politikë serioze, është pazar i pistë. Pse të ndërlidhet heqja e vizave me dialogun me Serbinë? A nuk ishte e ndërlidhur heqja e vizave me demarkacionin e famshëm me Malin e Zi, të cilin Ramush Haradinaj e luftoi si opozitar dhe e gëlltiti si kryeministër.

Kancelarja gjermane Angela Merkel me të drejtë i frikësohet ndryshimit të kufijve në Ballkan, por nuk ka një ide se si ta zgjidh kontestin mes Kosovës e Serbisë për shkak se nuk është e gatshme të përdorë krejt ndikimin politik për t’ia bërë të qartë presidentit serb: asnjë milimetër integrim në BE pa e pranuar Kosovën! Pasi Samiti i Berlinit nuk prodhoi diçka konkrete, u vendos të mbahet një Samit tjetër. Në Paris. Tipike për Angela Merkelin. Kur nuk e zgjidh një problem, atëherë shtyje për Samitin tjetër.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po përpiqet të krijojë përshtypjen se në Berlin ia ka kthyer sovranitetin Kosovës. Do të ishte mirë po të ishte kështu. Sigurisht Haradinaj ka meritat e veta që i ka rezistuar lojërave të ndyra të Hashim Thaçit e Edi Ramës, por në këtë betejë Haradinaj nuk ka qenë i vetëm – ishte gati tërë opinioni publik në Kosovë kundër eksperimenteve me territorin e Kosovës.

Megjithatë, çka mund të pritet nga Samiti i Parisit? Merkel dhe Macron mund të jenë edhe më të dobët pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian. A do të kenë peshë të duhur politike, a do të kenë interes, mundësi që t’i kthehen Kosovës dhe si do t’i kthehen? Me kërkesa për t’i dhënë asociacionit të komunave serbe kompetenca ekzekutive?

Për të kuptuar si është puna me kancelaren Merkel, duhet lexuar pak analistët gjermanë që kanë qasje të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike në Berlin. Në numrin e fundit «Die Zeit» shkruan se qeveria gjermane lëviz në tri thyerje të mëdha. Së pari: Perëndimi siç e njohim nuk ekziston më. Shtetet që janë pjesë e Perëndimit nuk po marshojnë më në krye të historisë botërore, por të dëshpëruara po kërkojnë stabilitet dhe orientim në një botë që po u rrëshqet nga dora. Së dyti: modeli i mirëqenies në vendet industriale po i prek kufijtë ekologjikë. Së treti: Gjermania gjendet në fund të erës së Merkelit. Sipas «Die Zeit» nuk po funksionon më raporti mes Merkelit dhe shefes së re të CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer. Në Berlin kanë filluar spekulimet se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve për parlamentin europian? Konflikti me SHBA-të dhe vendet e Europës Lindore me Gjermaninë për shkak të gazsjellësit rus Nord Stream 2 pritet të thellohet. Shumë njerëz në parti duan që Merkel në muajt e ardhshëm të tregojë se kur do të largohet, ndonëse ka mandat deri në vitin 2021. Në fushatën e tanishme për zgjedhjet për Parlamentin Europian Merkel nuk shihet pothuaj fare. Kjo ngjall zemërim në mesin e ekipit të Annegret Kramp-Karrenbauer.

Jo vetëm në mesin e administratës së Trumpit ekziston një padurim ndaj Gjermanisë. Edhe në mesin e partnerëve të tjerë në NATO dëgjohen ankesa. Gjermanët nuk pranojnë të luajnë rol të rëndësishëm në politikën botërore duke u arsyetuar se këtë nuk mund ta bëjnë për shkak të historisë së tyre të errët. Por këtë e besojnë pak protagonistë të politikës botërore. Të luash rol në politikën botërore, domethënë të marrësh mbi vete edhe rreziqe, siç i ka marrë dhe Amerika dhe jo rrallë edhe ka dështuar, por prapë pa provuar. «A e keni të qartë sa i keq është imazhi juaj?» – kështu e kishte pyetur një koleg gjeneralin gjerman Horst-Heinrich Brauss, i cili deri në korrik të vitit të kaluar ka qenë asistent i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.

Ndonëse është obliguar që dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto të ndajë për mbrojtjen, Gjermania është larg nga ky cak. Kërkesa amerikane është kjo: pas Luftës së Dytë Botërore Gjermania ka përfituar nga mbrojtja e NATO-s, tani Gjermania duhet t’i mbrojë popujt e Europës Lindore nga Rusia agresive.

Merkel do të mund ta bënte këtë duke filluar nga Kosova. Duke ia bërë të qartë Serbisë se ka ardhur fundi i lojërave të ndyra: merr para nga BE dhe adhuro Rusinë. Në vend të apeleve moraliste se Kosova e Serbia të marrin shembull pajtimin mes Francës e Gjermanisë, Merkel duhet të ketë një ide. Krahasimi i konfliktit serbo-kosovar me Gjermaninë e Francën nuk qëndron. Gjermania më 1945 është pushtuar dhe denacifikuar. Serbia nuk është denacifikuar, kryeministrja e Serbisë shkon në Berlin dhe i thotë Deutsche Welles se Srebrenica nuk ka qenë gjenocid – dhe të gjithë politikanët dhe të gjitha mediat gjermane heshtin. Ndërsa Gjermania është shtyrë të merret me të kaluarën, Serbia, para syve të BE-së, po merret me revizionizëm të historisë, me lartësimin e kriminelëve të luftës, me nxitje të urrejtjes. Të gjithë popujt tjerë në Ballkan janë proeuropianë, shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë i prijnë listës, ndërsa shumica e serbëve urrejnë BE-në dhe e shohin Vladimir Putinin si profet.

Ka disa vjet që politikanët gjermanë në mënyrë rituale thonë se Gjermania duhet të marrë më shumë përgjegjësi. A e ka realizuar Berlini këtë premtim? Jo, thotë gjenerali Horst-Heinrich Brauss. Edhe në rastin e Kosovës vlen kjo: me apele moraliste nga Gjermania konflikti nuk zgjidhet. Këtë duhet ta kuptojnë edhe ata që në Prishtinë fluturojnë nga gëzimi se në Berlin iu kthye sovraniteti Kosovës./DP

*Titulli origjinal: Qasja e Gjermanisë ndaj Kosovës: pa plan, por me shumë leksione morale

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...