Rilindja e vrasësve politikë

Tuesday, 21 May 2019 16:32

Nga Andi Bushati

Dy ditë më parë, gazeta e së majtës “Dita” botoi një dokument shumë domethënës, që rrënonte propagandën e socialistëve për 21 janarin. Sipas saj, Agron Malaj, ish-gardisti i grupit të zjarrit, tani kandidat i rilindjes për bashkinë e Matit, ka qenë tejet i përfshirë në krimin shtetëror të tetë viteve më parë. Ndryshe nga sa pretendoi kryeministri në një konferencë shtypi, se Malaj nuk kishte përgjegjësi ligjore, se nuk qe i përfshirë në krim dhe se ai ka dhënë informata të vlefshme për atë ditë, dokumenti i gazetës fliste për të kundërtën.

Aty ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë që Malaj jo vetëm se qe rreshtuar në anën e gabuar të barrikadës, por ende pa u tharë mirë gjaku i të vrarëve ishte shpërblyer me katër paga mujore, një për çdo viktimë, nga drejtuesi i zinxhirit kriminal. Madje, madje, shpërblimi i tij qe nga më bujarët në atë listë të gjatë.

Po pse njeriu që qëlloi pa iu dridhur syri drejt e mbi trupa, ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, duhej ta shpërblente gardistin e konvertuar në socialist? Për çfarë shërbimi? Se ishte treguar i zellshëm në shpërndarjen e përgjakshme të manifestimit opozitar? Se kishte fshehur gjurmët më pas bashkë me ata që fshinë serverin, zhdukën gëzhojat dhe ndërruan shulat?

A është rastësi që masa e parave që ai mori në dorë është e njëjtë me atë të Ndrea Prendit, Alfred Ahmetcenajt, që gjuajti plot 117 plumba atë ditë, apo e Agim Llupos, që u kap nga kamerat duke qëlluar nga ajo dritarja qorre e kryeministrisë.

Çfarëdo broçkullash justifikuese të nxjerrë nga goja shefi i qeverisë, përgjegjësia e kandidatit të tij për kryebashkiak nuk mund të anashkalohet.

Edhe sikur Malaj të mos ketë mbi supe asnjë faj, edhe sikur për angazhimin e tij të mos meritojë asnjë ditë burg, ai ka përsipër një njollë të madhe morale. Si para edhe pas krimit ai qëndroi në anën e vrasësve. Gjaku i të vrarëve për të u shndërrua në kartmonedha 5 mijë lekëshe.

Do të majftonte vetëm kjo që ai të mos pranohej as si anëtar i thjeshtë në partinë që “mbron” kujtimin e të viktimave, e jo më pastaj të ishte një nga të përzgjedhurit e saj për 61 njësitë administrative vendore.

Dhe këtu problemi e tejkalon fatin personal të një gardisti të shndërruar në rilindas. Sepse rasti i tij është konfirmimi i një rregulli për amnistimin e të gjithë atyre që i qëndruan në krah Berishës pas krimit makabër.

A nuk u bë koalicioni i 1 prillit me Ilir Metën që i quajti viktimat kokëpalarë?
A nuk morën pjesë në qeverinë e parë të rilindjes plot pesë ministra që kishin mbrojtur si të tillë komplotin e grushtit të shtetit?
A nuk është televizioni që bën sot apologjinë e Ramës, ai që vërtetonte tezën se të vrarët ishin qëlluar nga turma?
A nuk gjenden mbrëmjeve në tryezën e kryeministrit të njëjtët oligarkë që e shfrytëzuan fillimin e fundit të Berishës për t’u pasuruar dhe më shumë për veten e tyre?

Në këtë kuptim, as rehabilitimi i Agron Malajt nuk përbën ndonjë surprizë. Ngjitja e tij e ngadaltë në hierarkinë e pushtetit, fillimisht si drejtor i OSSHE-së, pastaj si kryetar i PS-së në rrethin ku do të bëhet kryebashkiak, ka ecur paralel me zhbërjen e ndjeshmërisë ndaj asaj që ndodhi në 2011.

Rasti i tij nuk është thjesht promovimi i një njeriu të pushkës apo të krimit, sipas modeleve të Roshit, Ndokës, Prengës e me radhë. Këtë herë, në zgjedhjet lokale pa garë, PS-ja nuk ka nevojë për të fortë dhe banditë që t’i japin vota.

Prandaj katapultimi i Malajt përbën një rast historik. Ai është një sinjal se ndjeshmëria ndaj krimit politik duhet zbutur; një mesazh se riprodhimi i kloneve berishiste nuk duhet të ngjallë të njëjtën frikë; një paralajmërim se hendeku mes të keqes dhe dënimit të saj nuk ka pse të jetë aq i pakapërcyeshëm sa ç’propagandohej.

Ndryshe, nuk ka sesi shpjegohet që PS-ja të propozojë si model të shoqërisë së sotme një njeri që u shpërblye me para në dorë për krimin e 21 janarit, vetëm nëse do të relativizojë peshën e vrasjeve në emër të pushtetit, vetëm nëse do të rilindë ata që janë të gatshëm ta bëjnë këtë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...