Çfarë tregoi protesta surprizë e opozitës?

Hënë, 27 May 2019 09:55

Ervis Iljazaj

Protesta e së shtunës e opozitës së bashkuar ngjalli çudi të madhe për nga mënyra se si u zhvillua, tërësisht paqësore, duke mos u hedhur as edhe një gur në drejtim të policisë apo institucioneve, ndryshe nga herët e tjera.

Sigurisht që një protestë e tillë, mbase surprizë për pjesën më të madhe të opinionit publik, mund të ketë lënë të mërzitur një pjesë të popullit opozitar, ose pjesën më radikale të tij, duke menduar një dobësim të vendosmërisë për të vazhduar më tej në betejën për kauzën që opozita ka ngritur që nga djegia e mandateve.

Në fakt, protesta e së shtunës ishte fuqia e heshtjes e protestuesve, që kishin dalë pa dyshim të shumtë në numër. Sepse të kuptohemi, fuqia e masës së madhe në heshtje, është tregues i ndërgjegjësimit të forcës më shumë sesa çfarëdo lloj zhurme tjetër.

Në këtë kuptim, nga ajo lloj proteste, që për nga natyra e saj ishte deri diku surprizë, mund të nxirren disa konkluzione dhe jo parashikime. Sepse, për nga konteksti dhe dinamika e politikës shqiptare, parashikimet janë pothuajse të pamundura.

Në radhë të parë, protesta e së shtunës tregoi qartë se opozita nuk krijohet në laborator, por ajo ndërtohet vetëm nëpërmjet përfaqësimit të qytetarëve. Çdo përpjekje për të krijuar një opozitë qartazi ka dështuar. Dhe vetë kryeministri Rama tashmë e ka të qartë se i vetmi kundërshtar që ka dhe që duhet mundur është Lulzim Basha. Shumë zëra publik e panë vendimin e opozitës për djegien e mandateve si një rrezik, i cili do ta çonte Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim drejt shkrirjes dhe daljes nga sistemi politik. Në fakt ashtu ishte, duke qenë se djegia e mandateve ishte një akt i paprecedentë dhe i rëndë. Por protesta e së shtunës tregoi qartë se kjo gjë nuk ka ndodhur. Madje, edhe pse në një periudhë të gjatë kohore, opozita ia ka dalë të mbajë gjallë frymën e protestës. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse kauzat e saj në thelb janë të drejta dhe këtë tashmë e pranojnë të gjithë.

Në radhë të dytë, protesta e së shtunës ishte një “armëpushim” midis palëve. Kjo u duk qartë që nga deklaratat e Bashës dhe Kryemadhit, si nga reagimet e palës tjetër. Një gjuhë më e shtruar me gjithë tonalitetet e rastit, që janë normale në një miting politik të tillë. Në mënyrën se si ishte konceptuar protesta dhe si u zhvillua më tej, nuk mund të mos mendosh se diçka, sado e vogël ka filluar të lëvizë midis opozitës dhe qeverisë. Ka një lloj reflektimi, sigurisht nga ana e kryeministrit Rama për situatën, që u pasua nga kjo lloj proteste. Nëse deri më tani Rama nuk e kishte kthyer kokën për asnjë çast nga protesta e opozitës, duke krijuar idenë se asgjë nuk ka ndodhur, tashmë është i paevitueshëm edhe për atë kundërshtari politik, që përbën pothuajse gjysmën e shqiptarëve.

Në radhë të tretë, protesta e së shtunës ishte një ftesë, ndoshta një pritje për mbërritjen e ndërkombëtarëve. Disa zëra të huaj, edhe pse pak, kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar midis palëve politike në Shqipëri. Në këtë kuptim, “armëpushimi” i së shtunës nuk kish se si të mos ndodhte. Asnjë nga ndërkombëtarët nuk do të ishte i gatshëm, qoftë edhe thjesht të tentonte të ndërmjetësonte në një klimë të tensionuar. Sepse, të kuptohemi, duam apo s’duan ne, politika shqiptare tashmë është trepolare. Ndërkombëtarët mund të kritikohen, të gjykohen, por kurrsesi nuk mund të përjashtohen.

Dhe së fundmi, megjithëse protesta e së shtunës na tregoi një kontekst totalisht të ndryshëm, asgjë nuk është e sigurt se ai do të vazhdojë. Java që vjen, ndoshta do të jetë vendimtare për politikën shqiptare. Duke qenë se çdo gjë mund të ndryshojë, “armëpushimi” i së shtunës mund të jetë përfundimtar, ose fatkeqësisht për fatet e vendit, i përkohshëm. gazetaliberale

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...