Kur pati ardhur Shenjtorja

Saturday, 03 August 2019 17:13

40 vjet më parë, Nënë Terezës iu dha Çmimi Nobel i Paqes

Nga Qemal Sakajeva

 Cila ishte Nënë Tereza?

Kisha lexuar një lajm për të, në gazetën sovjetike “Za rubjezhom”, kur ende shtypi sovjetik vinte në redaksinë e “Zëri i Rinisë”. Në atë organ botoheshin artikuj, intervista dhe lajme marrë nga shtypi botëror, kryesisht nën këndvështrimin e interesave sovjetike, që nuk binin ndesh me politikën e Bashkimit Sovjetik. Nga emri Tereza dhe padija ime, mendoja se ajo duhet të qe italiane, spanjolle ose nga ndonjë vend i Amerikës së Jugut. Kjo hamendje lindte nga arsyetimi mbi besimin fetar katolik dhe emrin latin.

Por  marre e s’ka më keq për regjimin diktatorial të censurës idiote, propagandës së mërzitshme e ndalimeve të çmendura, që intelektualë e njerëz të thjeshtë nuk dinin as kaq:

Që Nënë Tereza ishte shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu.

Që Nënë Tereza ishte me origjinë nga qyteti i Prizrenit, e lindur në Shkup më 27 gusht 1910.

Që thirrej Nënë Tereza e Kalkutës, sepse qe bërë Nëna e skamnorëve, e të vuajturve, e të sëmurëve të botës.

Që Nënë Tereza, një ditë përpara se të merrte Çmimin Nobel të Paqes, e takoi në Oslo mbretin e Norvegjisë, Ottavo V, të cilit i tha: “Madhëri, do të vini sot në ceremoninë për Çmimin Nobel?”

Mbreti iu përgjigj:“Do të vija me dëshirë, por unë jam gjithëmonë në qendër të vëmendjes së popullit dhe nuk dua sot të ndodhë kjo”. Nënë Tereza ia ktheu: “Jo, madhëri, jo. Në qendër s’jemi as ju, as unë. Është Zoti”.

Që presidenti i Komitetit të Çmimit Nobel i Paqes, Dr. John Sannes, i dorëzoi Nënë Terezës çmimin e madh, në Oslo, më 10 shtator 1979.

Që Nënë Terezës i ishin dhënë çmime e medalje të larta nga vende të ndryshme.

Që për Nënë Terezën janë botuar libra e artikuj të shumtë, ndërsa në Shqipëri nuk qe lejuar të zhgarravitej as një lajm i vetëm a të përmendej emri i saj.

Që Nënë Tereza ka thënë se, “jam shqiptare, varret e nënës dhe motrës i kam në Tiranë”, por nuk u lejua të vizitonte Atdheun, të vendoste një tufë lule për të afërmit më të dashur.

Që Nënë Tereza renditet ndër 100 personalitetet më të mëdha të shekullit të 20-të.

Por nuk mund të ndalohej më. Në gusht të vitit 1989 shkeli në dheun e vendit të vet. Ikja e saj e hershme pati kthim shumë të vonë. Çështja ishte tronditëse, por e rrokshme: Nëna, që besonte vetëm te Zoti, nuk duhej të lejohej të vinte këtu, ku me kushtetutën e vitit 1974, ishte shpallur ndalimi i besimit në Zot. Atdheu i saj ishte vetshpallur “vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë”.

Por Nënë Tereza u kthye në çastin e duhur. Nevojitej të ngjallej jeta e popullit që kishte përshkuar Golgothën, që qe kryqëzuar si Jezu Krishti dhe ditën e tretë u ngjall. Si përkim me mrekullinë, ringjallja nisi nga Vorreza e Rrmajit, siç ka saktësuar Dom Simon Jubani, në librin e tij, “Burgjet e mia”.

Takova sekretaren e kolegjiumit të gazetës “Bashkimi”, Luçije Doçi dhe fotoreporterin Petrit Sheqeri. U thash të shkonin te hotel “Dajti”, t’i merrnin një intervistë dhe fotografi Nënë Terezës, që kishte ardhur përsëdyti. Ishte mirë që intervistën ta bënte Luçija, si sekretare kolegjiumi, si gazetare e njohur, si femër, por edhe se ishte e lindur katolike, pavarësisht që për shkaqe fort të ditura, mund të ndjehej ateiste. Intervista me titull “Atdheun e doni më shumë po të doni njëri-tjetrin”, u faqos dukshëm në faqen e parë dhe të tretë, bashkë me një fotografi të Nënë Terëzës, me buzëqeshjen e saj njerëzore, në numrin e 6 dhjetorit 1990. Pyetjes së gazetares se, cilat do të ishin këshillat e saj për shqiptarët, Nënë Tereza veçmas dalloi dy: “Atdheun e doni më shumë po të doni njëri-tjetrin” dhe “Këtu, në Tiranë, kam varrin e nënës e të motrës. Kam mall, por edhe dashuri për ju. Dashuria është diçka shumë e bukur. Ajo sjell unitet e paqë në zemrat tona. Duajeni njeri-tjetrin, siç ju dua unë, Nënë Tereza”.

Në qytetin e Shkodrës intervista qe prerë me gërshërë nga gazeta dhe u ngjit në vende të dukshme, për të rënë më mirë në sy. Por nuk qe e thënë të mos cenohej gëzimi. Profesori, ose shoku Sofo Lazri, u shfaq tepër qortues në telefon:

-Pse i more intervistë Terezës (nuk tha Nënë), - foli rreptë.

-Nënë Tereza është shqiptare dhe është e ftuar nga shteti shqiptar, - iu përgjigja.

-E ka ftuar shteti shqiptar apo e ka ftuar gazeta “Bashkimi” dhe kryeredaktori i saj? - kundërpërdori Profesori argumentin e sjellë, për të ndarë pronësinë mbi të drejtën nisur nga ftesa.

-Natyrisht, shteti shqiptar.

-Atëherë pse nuk e pyete shtetin shqiptar që ka bërë ftesën, nëse jepte a nuk jepte leje për të botuar intervistë me të? Po ajo, Luçija, pse shkoi, nëse vajti vetë, dhe pse u dërgua, nëse e urdhërove? Apo do të tregojë se është katolike? Do të ketë masa të rënda për këto që bëni në “Bashkimi”,- përfundoi Profesori duke mbyllur telefonin.

Asnjë dyshim: Nënë Tereza ishte e ftuara e paftuar. Diktatura e pranoi djallëzisht vizitën e saj, për ta përdorur për përballimin e trysnisë ndërkombëtare për ndryshime të domosdoshme, të cilat duhet të përfshinin, patjetër, edhe lirinë e besimit në Zot. Ardhja e saj e parë u cilësua “vizitë private”, dhe dy ishin nivelet më të larta të protokollit të pritjes: Kryetarja e Frontit Demokratik Nexhmije Hoxha dhe ministri i Jashtëm Reis Malile. Nexhmije Hoxha nuk nguroi aspak, dhe nuk u ndje ngushtë, për t’i bërë Nënë Terezës një deklaratë tipike propagandë se, ”Në Shqipëri nuk ka të varfër, lypës, të braktisur, nuk ka sëmundje e plagë sociale nga të cilat bota vuan sot dhe për këtë ju mund të ndjeheni krenare”.

Kurse statistikat botërore e renditnin Shqipërinë socialiste ndër shtetet më të varfëra të rruzullit.

Modifikuar më Diel, 04 August 2019 15:22
Login to post comments

Lajmet e fundit

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...