I arratisej lëvdimit dhe donte të gjitha takimet

Saturday, 17 August 2019 12:31

ALEKSANDËR ÇIPA 

Fatos Baxhaku, të gjitha taki meve u qëndronte korrekt, por fjalëve të kësaj dite kur nuk frymon më, do t’u përgjigjej me arrati. Arratinë e kishte për çdo lëvdim e për çdo bujë në adresë të tij, por ishte i gjendur në të gjitha vlerësimet dhe çmimet për miqtë e kolegët. Sepse Fatos Baxhaku ishte modeli diogjenik i njeriut kërkues e njeridashës që shfaqet përherë e më pak, në kohën e sotme. Sikundër besonte se të gjitha kohët i kanë të shumtë njerëzit e rrallë, por na i mbulojnë me mosdukje, heshtja dhe skutat e jetës.


Në këtë ditë, gazetari Baxhaku është ndër të paktit gazetarë të këtij vendi që i ka miqtë si askush të shpërndarë dhe në dhimbje, për shkak të ikjes së parakohshme në amshim. I ka të shpërndarë, si ata që kanë klas metropoli, por më së shumti, ata që kanë klas dijeje, mjeshtërie dhe fisnikërie nëpër skaje të ditura e të harruara të Shqipërisë. Aq sa mund të thuhet se sa lëvizën ujërat nëpër shtretërit e lumenjve, aq udhëtoi Baxhaku nëpër udhë e shtigje të Shqipërisë gjatë këtyre tridhjetë viteve.

Më ra jeta ta kem mik e koleg në disa lidhjefije njerëzore e profesionale. U njohëm e mbetëm në jetën e mbi tridhjetë viteve tona si kolegë e si miq, si bashkëqytetarë e si mysafirë, si të fjalës e të heshtjes dhe si bij që ndamë në heshtje, por fisnikërisht, idenë e detyrimit të mirësishëm njerëzor për trashëgiminë dhe prindërit tanë në këtë botë. Baxhaku ishte gazetari luftarak përmes heshtjes, jo heshtës. E kishte fjalën “brisk e piper” në reportazh, kur shumëkush e shpërdoron atë egërsisht e rëndom në polemikë apo opinione nëpër ekranet e llafazanërisë. Asnjëherë nuk helmoi apo lëndoi me fjalën, në një kohë kur shumë të tjerë e vërvitin si kamë apo thikë gjakuese e përbaltëse nëpër publik.

Udhëtoi nëpër vise e ndër njerëz të Shqipërisë së harruar, duke lënë në trashëgiminë tonë të gazetarisë së shkruar dhe televizive, atë që në mënyrë vetjake e të çmuar bëri Idro Montanelli për italianët nga Ballkani në vitet ’30.

I bëri të gjitha punët me vlerë publike profesionale dhe shoqërore mirë, në kohën kur shumica e të bërave janë keq në shoqërinë e sotme. U dëshmua i mirë dhe i çmuar, kur në komunitetin dhe gazetarinë tonë triumfon zhvlerësimi dhe toksikimi shpirtnxirës. Preferonte dhe sakrifikonte për shtegtimin dhe mirëpritjen në fshatrat e skajshëm të Atdheut, në kohën kur sajoheshin aq shpesh koktejlet e çmimeve pa çmim, të kryeqytetit. E gjente të mençurin dhe mjeshtrin e periferisë në përvujtni, kur në Tiranë shpenzoheshin miliona për premtime të ripërsëritura të antimjerimit nga “derrat e kënaqur”. E sfidoi luksin e showt televiziv të vendit, me rraskapitjet dhe vullnetin e racës së reporterit si dhe me kopertinën e librit të vet (fëmijë me gur minerali mbi shpinë), të librit “Gur”.

I ngriti dhe strukturoi redaksitë e para, duke qenë ikanaku i parë antiskemë si kryeredaktor. I braktisi lehtësisht pronarët dhe i shumoi miqësitë me reporterët dhe kandidatët për të tillë, duke e quajtur krenarisht të vetën çdo media nga e cila imponueshëm iku. I refuzoi karriget e drejtimit redaksional kur në redaksitë e Tiranës u shumua skota e sherrmëdhenjve dhe dijepaktëve që paraqiten si gazetarë dhe inatosen, jetojnë e nxehen si politikanë. Luftoi për përditshmërinë, kur mund të kishte rehatinë e gazetarit në poltronë tironsi denbabaden.

Fatos Baxhaku i bëri punët autoriale dhe ato të gazetarisë së cilësishme, si të ishin e vetmja bëmë për jetë të gjatë. Për këtë arsye, koha që vjen pas kësaj dite, ne, miqve, kolegëve, gazetarëve të rinj dhe studentëve që do të vijnë në gazetari, është hise kohe me lehtësime njohjesh për të rrallin që triumfoi si i tillë. I cili triumfoi duke mbajtur si “stetoskop” njohjeje sentencën se publiku do të dijë, por ka nevojë dhe të rrëfejë.

Fatos Baxhaku nesër do të fshihet nën dhe. Zgjodhi modestinë e vet fisnike për të mos i dhënë asnjë grimë bujë e zhurmë as sëmundjes, dhe as fikjes së frymës. Ne, miqtë, kolegët, të njohurit dhe të dashurit e tij, kemi tash e tutje një mundësi të vetme të gërmojmë dhe gjejmë në punët e mira të tij, gëzimin dhe nderimin për të mirën dhe të kryerën profesionale. Njëherësh kemi gjetur rastin dhe si të lëndohemi në shpirt që nënvlerësuam kapriçion e tij të heshtur. Atë kapriçio boheme, që na e mori tinëzisht e pabesisht parakohe, ndonëse e kemi ditur iluzivisht se kishte për të qenë e denjë vetëm për kohë të largët. Siç është hise për çdo njeri.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...