Çfarë të bësh me gjërat e vjetra?

Hënë, 26 August 2019 17:52

Nga Qemal SAKAJEVA

Shekulli ia dorëzon shekullit vlerat e veta materiale. Sistemi shoqëror ia përcjell sistemit, gjithçka të vetën, të çmuar a të dëmshme. Brezi ia trashëgon brezit, pasuritë e krijuara me mundim e dije. Fisi e përjetëson fisin në rrënjë, trung e degë në pemën gjenealogjike. Individi, diçka që zotëron, vret mendjen kujt t’ia lerë. Qeveritë duhet të qeverisin edhe për qeveritë që vijnë.

Kam njohur bij që, një filxhan të të atit, e kanë mbartur kahdo i ka çuar jeta.

Kam njohur djalë që, orën e vjetër e ka ruajtur më mirë se stërgjyshi.

Kam njohur dikë që, i humbi fotografia e vetme e gjyshes, pasi grabitësi ia rrëmbeu bashkë me portofolin, me pak lekë brenda, dhe, ai ndjehej thellësisht i dëshpëruar.

Kam njohur nipin që, gjymin e bakrit, dy shekullorë, e ka shitur te grumbulluesi i metaleve.

Aq të moshuar sa ka, aq sende janë, aq ruajtje, humbje e shpërfillje ndodhin.

Ky hall e pati kapur edhe Hajrie Sinanin. Atëherë e moçme 87 vjet. Ishte kurthuar në vetmi brenda shtëpisë. Nga mosgjetja e zgjidhjes, përditë e brente kjo: “Kujt t’ia besoj të vetmen gjë të vjetër e të shenjtë?” Kishte plotë 58 vjet që ruante një amanet si njeri i ditur, pa ditur të shkruante as emrin. Më 7 mars 1953, vjehrra e saj, Hatixhe,  në minutin e mbramë të jetës i tha nuses:

-Hajrie, bijë. Amanet po ta la Kuranin. Po të thom, amanet dy herë. Ky asht Kurani që ma ka falë mësuesja, në Mejtepin e Stambollit, para 60 vjetësh.

Dhe, ia la në duar Librin e Shenjtë, futur në një çantë kadifeje të butë, ngjyrë kafe. Ai është shumë i vjetër. 60 vjet e pati kënduar Hatixhja. 58 vjet e ruan Hajria. 118 vjet plot, i përdorur e ruajtur,  brenda një familjeje. Ky Kuran kaloi një rrezik, në vitin 1967, pas fjalimit të Enver Hoxhës, mbi ndalimin e fesë në Shqipëri. Në fshatrat e kooperativës bujqësore të Fiersemanit, në Lushnjë,  dolën shtëpi për shtëpi, të kontrollonin për libra fetarë, t’i mblidhnin e digjnin. Urdhrin e pati dhënë kryetari i kooperatives, sipas direktivës së partisë. Të gjitha u shkatërruan: Kisha e Shën Mërisë, në Babunjë të Vjetër, u rrafshua. Trualli i kishës dhe vorret e vjetra rretherrotull, u pluguan me traktor. Xhaminë e Babunjës e rrëzuan e, ku u çua një gur nuk shkoi tjetri. Vorret mbrapa saj, u kthyen përmbys me një plug të madh “Martineli” u mbollën mbollë me grurë. Ullirin shumëshekullor të Teqesë, pa një të dytë aq të moçëm, e lidhën me litar çeliku dhe e nxorrën nga dheu, me një traktor sovjetik “Stalinjec”. Kishën e Shën Thanasit në Gradishtë e dëmtuan duke e përshtatur për zyrat e këshillit popullor. Mbi themelet e Kishës së Shënepremtes, në majë të majës së kodrës së lartë, përmbi Gropën e Kallmit, ngritën vilën, ku strehoheshin udhëheqësit nga Tirana, kur vinin për gjah në pyll. As Kishën e Shën e Dielës në Fierseman, në rrafshinën e fushës, nuk e kursyen. Selvitë e dafinat, një korie e vërtetë, i prenë për një ditë, tuallin e pluguan dhe toka u mboll me pambuk. Asnjë nuk mbeti në këmbë. As për fe, as për shenjë.

E trembur nga kjo furi rrënimtare, Hajria e hoqi çantën me Kuran brenda, varur në një gozhdë, në anën më të zgjedhur të odës. Askush nga njerëzit e shtëpisë nuk e vërejti  heqjen dhe kurrkush nuk e diti fshehjen. Të ruajtur e të padëmtuar, e nxori nga fshehtësia dhe e vari përsëri në mur, vetëm më 1991, për Kurban Bajramin e parë, të lejuar për festim, pas rënies së komunizmit. Edhe atëherë, pasi u sigurua mirë.

Ashtu siç, shumë të ditur krenohen me bibliotekat vetjake, të mëdha e me libra të zgjedhur, edhe ajo ndjente për amanetin e mbajtur dhe librin e shenjtë të shpëtuar. Por ishte vërtetë në hall. Jam shumë plakë,  87 vjet, thoshte. Sot për nesër. Jemi frymë. Tak të lëshon shpirti. E, kujt me ia përcjell amanetin?

Te djali i madh nuk i flinte shpirti. Djemtë i janë rritur, po nuk besonte se ata dijnë të çmojnë porosinë e stërgjyshes. I dyti ka boll shkollë. I di e i do librat. Ka bibliotekë e ka parë shumë biblioteka, në Shqipëri e nëpër botë. Mirëpo, shkollën e ka kryer në kohën e pafe të komunizmit. Dhe, plaka druan mos bie në mëkat me këtë përcjellje. Djali i tretë nuk është me shkollë. Tjetri djalë e ka gruan ortodokse. Aty, gjysma çmon e gjysma dronë. T’ia besoj mbesave nuk mundet. Ato kanë si shumë lakuriqësi në veshje. Si të lehtësohet zgjidhja?

-Nuk je vetëm ti në hall, me sendet e vjetra, - kujtova se e ngushëllova.

-E, kush tjetër asht në hall, si unë? - u kthye e pyeti.

-Shqipëria është në hall më të madh se ti, - i thashë.

-Qyyyysh?! - foli e habitur.

Ja, bash, si ti. Ka qytete të vjetër, e po u shëmben shtëpitë. Shteti, që është djalë i vetëm

trashëgimtar, i ka lënë të bien se e nuk jep pare për to. Ka ura të moçme, që rrezikohen të këputen midis e të shëmben në lumë. Ka muzeume të ngritura me shumë shpenzime e pikojnë shi brenda, aq sa po u prishen  mure e sende. Ka hajna që grabisin, janë humbur e dëmtuar sende shumë të çmueshme. Ka kështjella fort të lashta e nuk pyet kush për to. Në vite të këqia, njerëz prishanë, ngarkonin gurë aty i futnin themeleve për shtëpinë e re. Ka piktura si portreti “Motra Tone”, i Kol Idromenos, fort e vlefshme për Shqipërinë. Ajo nisi të bjerret nga pakujdesia, por fatmirësisht ndihmoi Franca, u çua në Paris, u shpëtua prej prishjes e u soll prapë në Shqipëri. Ka të ditur e të mençur, por për ta kujtohen të thonë ndonjë fjalë të mirë vetëm ditën e mortit. Ka pleqë 100 e sa vjeç, që nëpër botë vërsnikët e tyre i shënojnë nëpër libra mos harrese. E, këtu, tek ne, janë lënë që, edhe për bukë të shohin duarve të stërnipërve.

Plaka Hajrie, e pangushëlluar kurrësesi me këto, foli prerë:

-Po, hall i madh asht! Enveri e prishi popullin. Ma e vështira punë asht me e ndreq një popull të damtuem. Nuk ka ma hall se kur një shtet nuk do e nuk mundet me i  ruejt e trashëgue sendet e veta të vjetra.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...