"Një shtet në krizë, Shqipëria nuk vuan vetëm nga tërmeti"

E Enjte, 28 November 2019 13:34

Shteti i vogël vuan nga thatësira, kurse pranimi në BE vazhdon të vonojë. Mbi të gjitha, eksodi i të rinjve e bën të vështirë situatën në Shqipëri

Nga Christian Geinitz, Frankfurter Allgemeine

 

Të martën në mëngjes në orën 4, familja Hackaj gati ra nga krevati. “Muret u tundën, gruaja dhe fëmijët u fshehën nën tavolinë,” thotë Ardian Hickaj, ende i shqetësuar nga tërmeti shkatërrues që tronditi Shqipërinë dy ditë më parë. “Hodhëm palltot sipër pizhamave dhe vrapuam shtatë kate poshtë për në rrugë. E gjitha në temperaturën 7 gradë”, shton ai. Ndërkohë, si mijëra familje të tjera, ai ka ikur në jug të kryeqytetit. Përsëri dhe përsëri ka goditje, që shkaktojnë një frikë për vdekje.

Frika nuk është e pabazuar, deri më tani autoritetet kanë numëruar 500 tërmete. Numri i viktimave u rrit të mërkurën në 28 të vdekur dhe 680 të plagosur. Tërmeti i së martës arriti një magnitudë 6.4 në shkallën Rihter. Epiqendra ishte 34 kilometra në veriperëndim të Tiranës, më pranë qyteteve të Durrësit dhe Thumanës, ku pati edhe më shumë viktima. Qeveria ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme. I prekuri Hackaj shpjegon se çfarë do të thotë kur shteti dëmshpërblen të gjitha dëmtimet: “Kjo është gjëja e duhur, por ajo e vendos buxhetin nën presion, çka nuk është gjë e mirë”.

Hackaj është ekonomist dhe drejtor i kërkimeve në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim, një think-tank i respektuar në Tiranë. Ai ende nuk mund të parashikojë pasojat ekonomike të katastrofës. Për të është e qartë megjithatë se, jo vetëm që infrastruktura ka vuajtur, por edhe konsumi privat po bie, një nga shtyllat kryesore të rritjes ekonomike. Këtë të enjte dhe të premte, shqiptarët kremtojnë festat e tyre kombëtare, tradicionalisht me blerje të mëdha si në Amerikë me të ‘Premten e zezë’.

Këtë herë megjithatë, njerëzit janë tërhequr sepse ishin të pasigurt dhe iu shmangën Tiranës. Kryeqyteti është shtëpia e 30 përqind të banorëve, që përbëjnë edhe 50 përqind të konsumit privat. Por katastrofa ka edhe aspekte pozitive për studiuesin. Brenda Shqipërisë, kjo çon në më shumë solidaritet dhe e ekspozon konfliktin politik si të parëndësishëm. Tani që shoqëria po bën thirrje për ndihmë shtetërore dhe institucione funksionale, do të testohet edhe erozioni i institucioneve publike dhe ‘privatizimi i tërbuar’: “Në kohëra të vështira kërkohet funksionaliteti i shtetit, çka tregon se tregu nuk mund të rregullojë gjithçka”.

Si një perspektivë e ardhshme, Hackaj vlerëson edhe mbështetjen aktuale europiane. BE, disa shtete, por edhe vendet fqinje në Ballkanin Perëndimor, nxituan menjëherë të ndihmojnë. “Ndoshta kjo do të çojë në rimendimin e asaj se të gjithë duhet të jemi në një varkë dhe të gjithë duhet t’i përkasim BE-së,” shpreson Hackaj, instituti i të cilit bën shumë hulumtime për integrimin europian dhe pranimin e Shqipërisë në BE.

Vendi me 2.9 milionë banorë ka qenë shtet kandidat që prej vitit 2014. Por deri më tani nuk është marrë asnjë vendim nga krerët e shteteve dhe të qeverive për të nisur negociatat me Tiranën. Komisioni dhe Parlamenti Europian ishin pro, njësoj si Bundestagu gjerman. Sidoqoftë, qeveritë e disa vendeve po bllokojnë bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirë Francën dhe Holandën. Kjo është arsyeja se pse Këshilli Europian shtyu nisjen e negociatave për herë të tretë në tetor.

Përsa kohë të jetë kështu, do të vazhdojë eksodi i shqiptarëve të rinj dhe relativisht të arsimuar mirë, të cilët nuk shohin asnjë perspektivë në atdheun e tyre, paralajmëron Hackaj. Që nga vitet ’90, një e katërta e fuqisë punëtore është larguar nga Shqipëria. “Imagjinoni një kompani që duhet të mbyllet,” thotë ai. Instituti Vjenez për Europën Lindore përllogarit se në dekadën e fundit kanë emigruar 165 mijë njerëz, 6 përqind e popullsisë. Ekonomistja shqiptare në këtë institut, Isilda Mara, ka frikë se një vonesë tjetër për nisjen e negociatave do të rrezikojë përpjekjet për reformë në fushën e gjyqësorit dhe luftën ndaj korrupsionit.

Vendi gjithashtu është prekur nga ndryshimet e klimës. Shqipëria po lufton me thatësira gjithnjë e më të mëdha, që dëmtojnë jo vetëm bujqësinë, por edhe hidrocentralet, një sektor kyç ekonomik. Nga ana tjetër, Mara konsideron se inkurajimi i konsumit (në kohë normale) të nxitet nga rritja e pagave reale, një rritje e kredisë për ndërmarrrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për familjet e shtresës së mesme, duke e vënë theksin te rëndësia në rritje e turizmit në këtë vend buzë Adriatikut. Shkalla e papunësisë është në rënie, por gjithsesi arrin pothuajse 12 përqind. Ekonomistja e ul perspektivën e rritjes ekonomike në vitin 2019 në 2.8 përqind. Kurse në vitin 2018, rritja arriti në 4.1 përqind.

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...