Të tjera përgjime të forta, të cilët do të trondisin politikën priten të publikohen së shpejti.
Lajmin e pohon Sekretari për Zgjedhjet në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, i cili ka paralajmëruar bërjen publike të të tjera përgjimeve të cilat janë kryer nga prokuroria, ku sërish në qendër do të jenë shitblerja e votave në zgjedhjet e 2017 të nga zyrtarët më të lartë socialistë.
“Ka përgjime të kryera nga institucionet ligjzbatuese, një pjesë e të cilave janë bërë publike, një pjesë e të cilave do të bëhen shumë shpejt publike që faktojnë lidhjet e drejtëpërdrejta të eksponentëve të mazhorancës me grupe të krimit të organizuar ku flitet hapur për shitblerje votash, për ushtrim jo vetëm të favoreve që pushteti sjell me vete por edhe lekëve që përdoren në fushatë dhe ku kërkohet të kthehen lekët për persona që nuk kanë dalë të votojnë apo persona që nuk kanë votuar në mënyrë të supozuar sipas angazhimit monetar që kanë marrë. Janë publike dhe fakte që nuk janë prodhuar nga opozita.”, tha Kaso në emisionin “Tempora” në Ora News.