Katër ditë pas grabitjes, zero informacion për publikun

Saturday, 13 Prill 2019 10:36

Katër ditë pas grabitjes së armatosur të miliona eurove nga një avion në pistën e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri, qeveria shqiptare ende nuk e ka njoftuar publikun se çfarë ka ndodhur.

Shqiptarët ende nuk e dinë se sa para janë grabitur, të kujt ishin këto para, ku po dërgoheshin dhe pse po dërgoheshin, sa grabitës e kryen këtë krim, cila është përgjegjësia e secilit institucion dhe ku bazohet kjo përgjegjësi, si dhe në cilat ligje përjashtohen nga përgjegjësia institucione të tjera.

Policia ende nuk ka sqaruar se si dhe pse u përballën grabitësit me policinë dhe si u vra njëri nga grabitësit.

Ministri Lleshaj doli në një deklaratë për shtyp të nesërmen e grabitjes dhe detajet e vetme që dha ishin se në datën 9 prill ndodhi një “ngjarje” që cenoi rëndë sigurinë e aeroportit, ku “u grabit një sasi vlerash [sic] monetare” dhe u rrezikua jeta e policëve. Më tej, Lleshaj tha:

“Sa i përket dinamikës së ngjarjes më duhet të them se reagimi i shpejtë, profesional, i përpjesshëm dhe i vendosur i Policisë së Shtetit ka sjellë si rezultat që autorët e këtij sulmi të rëndë të lënë në dorë të ekipeve të hetimit prova të shumta materiale, të cilat po i nënshtrohen procedurave përkatëse.”

Pra, sa i përket dinamikës së ngjarjes, ministri nuk tha absolutisht asnjë gjë. Ai tha se do të fliste për dinamikën, por foli vetëm për pas-dinamikën dhe më pas edhe për të ardhmen e supozuar të sigurisë së aeroportit. Për më tepër, ai e bëri të qartë se rezultati i shkëlqyer i policisë ishte të merrte në dorëzim ato që “autorët e këtij sulmi të rëndë [lanë] në dorë të ekipeve të hetimit”.

Lleshaj tha edhe se pas reagimit të shpejtë dhe të fortë të policies – reagim që ende nuk ia ka treguar publikut – “besohet se banda kriminale […], pas humbjes së djeshme të kreut të saj, ka marrë një goditje shkatërruese”.

Lleshaj nuk na thotë se ndaj cilës situatë erdhi ky reagim i shpejtë i policisë? Bie fjala, a erdhi pasi policia arriti t’i afrohej grabitësve gjatë ndjekjes, nëse pati ndjekje, dhe reagoi duke i goditur ata fort, ndoshta me armë? Apo policia reagoi duke goditur me armë pasi grabitësit goditën të parët, duke menduar se policët po i ndiqnin, ndërkohë që policët e sulmuar nuk po ndiqnin njeri?

Gjithashtu, Lleshaj tha se “besohet” se banda ka marrë goditje shkatërruese. Ministri nuk na thotë se kush e beson këtë gjë, por kalon nga të besuarit (e kësaj qenieje të mbajtur të fshehtë për publikun) te njoftimi i një fakti të kryer, pohuar nga goja e ministrit të Brendshëm:

“Shkatërrimi i këtij grupi shumë të rrezikshëm kriminal është një sinjal tjetër i rëndësishëm ndaj botës së krimit të organizuar në tërësi.”

Cili shkatërrim, për at’ Zot?

Bazuar në deklaratën e ministrit, është e thjeshtë të mendosh se grupi kriminal që kreu grabitjen është kapur ose asgjësuar, mirëpo të gjithë e dimë që kjo nuk është e vërtetë.

Në lidhje me atë se si ndodhi grabitja, në të njëjtën mënyrë folën edhe Kryeministri Rama, Zëvendës-Kryeministri Braçe, Ministrja Xhaçka, Ministrja Balluku, si dhe figura të tjera në pozicione më pak të rëndësishme në qeveri apo parti. Zero informacion se çfarë dhe se si ndodhi!

Në një deklaratë për shtyp dolën të tre bashkë edhe Drejtori i Policisë Veliu, Zëvendës-Ministri i Brendshëm Lamllari dhe ai i Infrastrukturës dhe Energjisë Shkreli. Njësoj si shefat e tyre, asnjëri nuk sqaroi versionin zyrtar të qeverisë shqiptare se çfarë ndodhi.

Shkreli u duk se dha detajin më të hollësishëm në deklaratat e deritanishme kur tha se:

“Vetëm çështje sekondash ka qenë [që policia] të ballafaqohej me grabitësit, duke lënë edhe njërin prej tyre të vrarë edhe duke rrezikuar, natyrisht, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, pasi ky grup grabitësish ishin të armatosur gjer në dhëmbë.”

Pra, mësojmë se grabitësit dhe policia janë gjendur ballë për ballë disa sekonda pasi ka ndodhur grabitja.

Sërish nuk arrijmë të mësojmë se cila palë i ka dalë tjetrës përpara, me ç’qëllime, dhe cila palë ka reaguar e para kundër tjetrës.

Përfaqësuesit e qeverisë i kanë përqendruar deklarat e tyre te përgjegjësia e supozuar e kompanisë që menaxhon aeroportin dhe te imazhi i Shqipërisë, që qeveria supozon se e ka prishur kjo grabitje. Qeveria shqiptare nuk i ka dhënë publikut së paku një përshkrim të grabitjes dhe të reagimit të policisë.

Katër ditë pas grabitjes së armatosur të miliona eurove nga një avion në pistën e aeroportit të vetëm të Shqipërisë, sipas gjasave më naive të mundshme, qeveria shqiptare ende nuk ka arritur ta kuptojë së çfarë ka ndodhur.Exit.al

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sport

Mbrëmje e madhe në Champions/ Bayern-Arsenal dhe City-Real, gjithçka e hapur për në gjysmëfinale

Sonte në mbrëmje do të mësohen dy “biletat” e tjera gjysmëfinale të Champions-it.   Në orën 21:00 do të luhen Manchester City-Real Madrid dhe Bayern Munchen-Arsenal. Manchester City duket disi më favorit pas...

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Show-biz

Nderimi i Patti Smith-it për Dua Lipën

Tre vjet pas pasi filloi të publikohet lista me 100 pionierët revolucionar të revistës TIME në fusha të ndryshme të jetës, Dua Lipa zbukuron kopertinën e saj të re si një nga njerëzit më...