Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha hodhi akuza të ashpra ndaj kandidatëve të Partisë Socialiste për kryetarët e Bashkive, duke veçuar kandidatin e PS-së për Shijakun dhe kandidaten për Durrësin. Basha tha se kandidati i Shijakut është i diktuar nga Avdylajt.
“Amalgama e kandidatëve për kryetar bashkish që u ka vënë përpara shqiptarëve përfshinë nga kriminelë me dosje kriminale, të cilët po të zbatohet ligji i dekriminalizimit nuk duhet të ishin fare kandidatë, tek emërtesa të krimit të organizuar dhe bandave kriminale të dosjes 339 dhe 184 tek veglat e Edi Ramës, të cilët kanë qenë pjesë e një sponsorizimi makabër politik tek ngjarjet e inskenuara të 21 Janarit, tek kukulla të oligarkisë, njerëz të emëruar nga aferat qindra milionëshe. Është një listë e më të zinjve, por nuk është një listë e socialistëve të ndershëm shqiptarë.
Ai vazhdon të jetë në bashkëpunim të hapur me krimin çka e provon edhe lista e kandidatëve. Kandidati i Shijakut i diktuar nga Avdylajt dhe Keçajt. Shumë shpejt do të dalin provat. Ka kandidatë të tjerë me dosje kriminale.
Kandidatja e Durrësit i diktuar drejtpërdrejt nga njeriu që i mban peng dhe që është arsyeja pse nuk hetohet 339-ta, Vangjush Dako. Do të kemi kohë për të tregua një e nga një.
Është pasqyra e bashkëpunimit kriminal të Edi Ramës, që sot duhet të ishin prapa hekurave. Bosë të bandave kriminale dhe politikanë që bashkëpunojnë me ta. Në vend që të jenë prapa hekurave ata, janë prapa hekurave qytetarët”, tha Basha.