Në një intervistë me Skype për emisionin "Ora 19:00" në Syri TV, ish presidenti i Republikës dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani i ka quajtur poshtëruese masat e qeverisë ndaj Koronavirusit.
Sipas tij, qeveria do duhej të jepte argumenta për shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri më 23 qershor dhe ta shoqëronte atë me masa lehtësuese për qytetarët.
"Si qytetar i këtij vendi nuk kam asgjë për shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme, po qeveria ka detyrim të japë argumente pse e bën këtë gjë dhe ta shoqërojë atë me masa lehtësuese. Në aspektin e argumentit qeveria shqiptare është e pazonja të tregojë arsyet e shtyrjes. Sot qytetarët shqiptarë janë të papunë, bizneset janë pranë falimentimit, pjesët kryesore të ekonomisë, bujqësia, turizmi dhe transporti publik nuk kanë asnjë masë lehtësuese”, tha Nishani.
I pyetur nga gazetarja Juli Krisafi nëse po e luan rolin e saj opozita gjatë pandemisë, ish-presidenti dha këtë përgjigje:
“Çdo qytetar mund të ketë karakteristikën e vet se si e sheh sjelljen e opozitës. Nga pikëpamja insitucionale, opozita ka në në dorën e saj vetëm fjalën. Përmes fjalës denoncon me fakte dhe argumente të gjitha problematika dhe deformacionet që u kushtojnë qytetarëve shqiptarë. Së dyti, sensibilizon qytetarët dhe së treti propozon. Nëse i analizojmë këto të treja, opozita ka qenë e angazhuar siç duhet", u shpreh Nishani.
Sa i përket mundësisë së protestave ndaj masave të qeverisë, Nishani u shpreh se kjo gjë vendoset nga opozita e bashkuar.
"Janë insitucionet e opozitës së bashkuar që vendosin nëse do të ketë reagime të tjera ndaj padrejtësisve që po i bëhen shqiptarëve dhe masave poshtëruese. Shqipëria është vend unikal, prandaj është situate është kaotike. Numrat ulen e ngrihen çdo ditë", u shpreh ish presidenti Nishani.
© SYRI.net