Në Tiranë parlamenti me shumicë socialiste miratoi sot buxhetin e vitit të ardhshëm mes debateve për mënyrën se si po menaxhojnë autoritetet pasojat e epidemisë Covid-19.
Në buxhetin e ri qeveria parashikon rritje pagash për mjekët dhe ndihmë për familjet e varfra gjatë pandemisë.
Por opozita thotë se me buxhetin e ri qeveria vazhdon të paguajë koncensionet e klientëve, por jo mjekimin e domosdoshëm për qytetarët.
Me 84 vota pro dhe 14 kundër u miratua buxheti i ri, i cili parashikon gjatë pandemisë rritje 40 të pagave për mjekët, dyfishim të ndihmës ekonomike për familjet e varfëra, rimbursim për mjekimin e Covidit në shtëpisi dhe një parapagim për marrjen e vaksinës anti-COVID, e cila do të jetë falas.
Afërsisht me po aq vota u miratua edhe buxheti faktik i këtij viti, i cili po ashtu u ndikua ndjeshëm nga pandemia.
Qeveria deklaroi se thelbi i buxhetit të ri është rimëkëmbja ekonomike pas tërmetit dhe pandemisë, ndërsa për vitin 2021 parashikohet qe ekonomia shqiptare do të rikthehet në trendin normal të rritjes së qëndrueshme ekonomike.
“Ky është buxheti më i madh për shëndetësinë në 30 vitet e fundit. Ne po bëjmë shumë investime për të shëruar qytetarët dhe për të mbështetur mjekët me paga të rritura dhe pajisje modern në punë” – tha zoti Rama.
Partia Demokratike e opozitës, që ka braktisur parlamentin prej afro dy vjetësh thotë se ky është buxheti më i papërgjegjshëm në 30 vitet e fundit për shkak të numrit të madh të koncensioneve, që qeveria planifikon të japë vitin tjetër, megjithë krizën ekonomike dhe shëndetësore që ka mbërthyer venditn.
Opozita thotë se objektivat e buxhetit janë jorealiste dhe nuk i kushtohen rimëkëmbjes ekonomike pas tërmetit dhe pandemisë. Sipas saj, borxhi publik po rritet, rindërtimi pas tërmetit nuk po kryhet, ndërsa nuk ka politika fiskale lehtësuese gjatë pandemisë për biznesin vendas.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, po zhvillon ditët e fundit një seri takimesh me grupe të ndryshme interesi, ku po thekson në mënyrë të përsëritur një program të saj me 5 pika dhe se qeveria nuk po bën sa duhet për të infektuarit e koronavirusit.
Studiues të pavarur mendojnë se borxhi publik është i konsiderueshëm aktualisht dhe do të vazhdojë të rritet në nivele kritike, ndërsa buxheti nuk ndan shuma domethënëse për sektorët prodhues si bujqësia dhe ushqimi.
Sipas tyre, nevojitet mbajtja nën kontroll e shpenzimeve publike, ndërkohë rëndojnë edhe kostot e koncensioneve shumëvjecare dhe vazhdon të fokusohet tek investimet me Partneritetin Publik-Privat. /VOA/