Kjo që po ndodh me Shqipërinë, për fajin e qeverisë, mbetet një krim i madh që i bëhet të ardhmes europiane të vendit, sidomos rinisë, e cila nuk gjen shpresë në vend për fajin e një njeriu, Edi Rama. Të gjitha do t'ia falnim Edi Ramës, po jo këtë që i bën vendit, duke mos e futur në udhën drejt Brukselit
19/11/2020 07:08
Dështim i turpshëm i qeverisë me NEGOCIATAT. 7 vite premtime, por dalin mashtrime!
Konferenca e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian ka vendosur të mos hapë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Për Shqipërinë, Holanda ka paraqitur dy kushtet e njohura të saj; funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ligji problematik i mediave. Për Maqedoninë e Veriut, ka qenë vetoja e Bullgarisë e cila pas 30 vitesh është kujtuar të vendos kushte për përdorimin e gjuhës maqedonase, duke e cilësuar si një dialekt bugllar. Sherri bullgaro-maqedonas ka bërë që çështja e Shqipërisë të kalojë pa shumë vëmendje dhe qeverisë “Rama” i jepet një argument më shumë për të thënë se “ne i bëmë detyrat, por BE ka çështjet e saj të brendshme”. Në fakt, këtë herë Edi Rama dhe qeveria e tij nuk kanë më asnjë justifikim. Qëndrimi i Holandës është i njohur prej më shumë se dy muajsh. Në debatet e zhvilluara në parlamentin holandez është thënë në mënyrë të qartë se një vend që nuk ka Gjykatë Kushtetuese nuk mund të avancojë me procesin e integrimit. Kushtet e vendosura nga Holanda janë pjesë e paketës me kushte që nisi nga Gjermania dhe më pas u kthye në rekomandim të Komisionit Europian. Qeveria “Rama” nuk ka bërë asgjë për plotësimin e kushteve dhe me aktet e fundit për votimin e njëanshëm të reformës zgjedhore vetëm sa i shtoi ato më tepër. Përfaqësuesit e lartë të Bundestagut gjerman kanë thënë disa herë se plotësimi i kushteve është një kriter i panegociueshëm. Ministri për Europën i Gjermanisë, Michale Roth ka përmendur disa herë gjatë muajve të fundit çështjen e Gjykatës Kushtetuese dhe reformën zgjedhore, si probleme serioze që kushtëzojnë Shqipërinë. Për shkak se Gjermania është vendi që mban Presidencën e BE-së deri në fund të muajit dhjetor, një veto nga ana e Gjermanisë do të linte një imazh të keq për Shqipërinë. Ndaj këtë herë, ankesat për Shqipërinë janë prezantuar nga Holanda, por në fakt pas tyre duket se qëndrojnë dhe vërejtjet e vendeve të tjera për Shqipërinë.
Problemet me Shqipërinë nuk mbyllen vetëm me Gjykatën Kushtetuese dhe ligjin për median që kërkon Holanda. Tre eurodeputetë dje ngritën çështjen e vjedhjes së votave në vitin 2017 nga ana e qeverisë “Rama”. Në një letër dërguar Përfaqësuesit të Lartë për BE-në, Josef Borrell, eurodeputetët nga Gjermania, Austria dhe Suedia kërkonin nga institucionet e BE vlerësimin e Shqipërisë dhe për akuzat për vjedhjen e votës. Eurodeputetët shpreheshin se përse Dosja e Dibrës dhe e Shijakut nuk u përmendën këtë vit në raport progresin e Shqipërisë dhe përse emrat e zyrtarëve që përmenden në këto dosje nuk janë hetuar, por janë ngritur në detyrë. Bëhet fjalë për ministra, deputetë dhe drejtorë të rëndësishëm të qeverisë “Rama”, të cilët u zbulua në përgjimet e gazetës gjermane “Bild”, si autorë të masakrës së vjedhjes së zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, në institucionet e BE çështja e negociatave nuk shihet vetëm te Gjykata Kushtetuese, por te gjithë kushtet që i janë vendosur qeverisë “Rama”. Justifikimi se këtë herë na “dogji” Holanda është një argument pa vlerë. Pas qëndrimeve të Holandës janë 15 kushtet të cilat me vetëdije nuk u plotësuan nga qeveria “Rama”.
Sot nuk mund t’i kërkohet më asnjë vendi të BE arsye për refuzimin, por vetëm qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Ky është dështimi i radhës i turpshëm i kësaj mazhorance me integrimin në BE. Në shtatë vite qeverisje, Rilindja ka shpërdorur të gjitha shanset që i janë dhënë nga Bashkimi Europian për negociatat. Sa herë që vendi është afruar drejt BE, Rilindja ka bërë nga një akt anti ligjor që na ka çuar vite larg. Vjedhja e votave, zgjedhjet moniste të qershorit 2019 dhe votimi i njëanshëm i reformës zgjedhore kanë sjellë pasoja fatale për procesin e integrimit. Ndërkohë korrupsioni galopant, shkrirja e gjykatave dhe marrja e gjithë kompetencave të institucioneve të tjera, janë akte që po tregojnë se qeverisja “Rama” duhet larguar me Referendum popullor me 25 prill.
Kjo që po ndodh me Shqipërinë, për fajin e qeverisë, mbetet një krim i madh që i bëhet të ardhmes europiane të vendit, sidomos rinisë, e cila nuk gjen shpresë në vend për fajin e një njeriu, Edi Rama.
Të gjitha do t’ia falnim Edi Ramës, po jo këtë që i bën vendit, duke mos e futur në udhën drejt Brukselit.