Anëtari i kryesisë së LSI Durrës, Vasil Zaho, ka denoncuar vjedhjet masive për rindërtimin e banesave pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Në një postim në Facebook, Zaho shkruan se “situata me rindërtimin në Durrës është kthyer në kaos. Këtë kaos e ka shkaktuar qeveria në mënyrë të qëllimshme për të mbuluar vjedhjet nën sloganin e rindërtimit.”
Postimi i plotë në Facebook:
Vjedhjet masive nën moton e rindërtimit.
Situata me rindërtimin në Durrës është kaotike. Ndërkohë që me mijëra banorë jetojnë në çadra dhe kontenierë, afera abuzive dhe jo trasparente po bëhen me pallatet, shkollat, dhe godina me vlerësime sipas interesave.
Në mënyrë të qëllimshme qeveria ka shkaktuar një kaos total për të mbuluar vjedhjet nën sloganin e rindërtimit.
Skandalet nisën që në fillim kur u krye procesi i vlerësimit të dëmeve të cilën askush nuk e di se si u krye! Në procesin e vlerësimit ka patur raste absurde si psh: një pallat mund të ishte nga kati 0 deri në katin e fundit DS1, DS2 ose DS3! Ndërkohë që në të gjithë pallatet goditjen më të madhe nga tërmeti e morën katet e para, ndërsa katet e sipërme kanë patur dëmtime më të lehta.
Raste të tjera të vlerësimeve absurde kanë qenë kur për të njëjtin pallat është dhënë edhe vlerësim DS3 edhe DS4 (për prishje). Këto vlerësimet e fundit janë dhënë sipas kërkesave dhe njohjeve të banorëve të pallateve. Kjo gjë arriti kulmin kur vendimet e Këshillit Bashkiak u ndryshuan ndryshuar për të favorizuar persona të caktuar duke kapërcyer nga statusi DS1 në statusin DS3!
Por kjo gjë është bërë me plan të mirëmenduar duke përfshirë sa më shumë njerëz në vjedhje në mënyrë që të mbyllin sytë para vjedhjes së vërtetë që fshihet pas menaxhimit të fondeve të rindërtimit.
Mungon informacioni se nga erdhën lekët dhe se ku shkuan. Rrëmuja ishte habitati perfekt për hajdutët e veshur me petkun e qeverisë të cilët vjedhjen e shesin si arritje.
Asnjëherë nuk u morr në konsideratë fakti që minimumi 30% e objekteve të dëmtuara ishin të siguruara per kredi në banka dhe se në politikat e sigurimit mbuloheshin edhe dëmet nga tërmeti. Kjo gjë mund të çonte në gjenerimin e një fondi i cili mund t’u përdorte për ndërtimin ose riparimin e objekteve të dëmtuara. Në këtë mënyrë as bankat nuk përballeshin me kredi me probleme dhe as kredimarrësit nuk mbeteshin me gisht në gojë, siç ka mbetur një pjesë e mirë e tyre. Nga ana tjetër qeveria do të kishte kursyer 30% të shpenzimeve.
Sipas 7 vendimeve të Këshillit Bashkiak Durrës, deri më tani janë dhënë 3,541,350,000 Lekë ose rreth 28,628,536 Euro për 10,825 familje për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas Ligjit 107/2014, Neni 39, Pika 1 thuhet “Leja e ndërtimit është e nevojshme për çdo ndërtim, riparim, restaurim apo prishje të objekteve ekzistuese”. Që do të thotë që, cdo familje që ka përfituar nga granti i rikonstruksionit duhej të merrte me patjetër leje për riparimin e apartamentit apo shtëpisë. Çuditërisht, në kontratën e përfitimit të grantit, çdo përfitues granti duhet të merrte leje për riparimin e objektit, por vetë Bashkia Durrës nuk e ka zbatuar këtë pikë të kontratës.
Shpërdorimi vazhdon me fondin për subvencionin e qirave, ku për shkak të zvarritjeve të punimeve, ky fond është 3 fishuar duke çuar në rritje të shpenzimeve te cilat bien mbi kurrizin e Durrsakëve.
Lista e shpërdorimeve për shkak të çorganizimit vazhdon me punimet e fasadave të cilat, siç ka ndodhur gjatë këtyre 7 vite qeverisje, do faturohen me mbi 5 fishin e çmimit real.
Nëse qeveria, vërtet do të donte bënte rindërtimin në mënyrë shembullore, pa i rënduar shqiptarëve në të ardhmen me rritjen e taksave, si fillim duhej të bënte preventiv të detajuar për çdo objekt. Më pas të identifikonte sa nga këto objekte ishin të siguruara për kredi për të krijuar fondin nga kompanitë e sigurimeve.
Në fund, të autorizonte dhe t’u jepte leje kompanive të ndërtimit për të bërë ndërtimet dhe riparimet sipas standardeve duke kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme punimet e kryera.
I gjithë procesi i menaxhimit të situatës me vlerësimin, kategorizimin dhe rindërtimin e banesave në Durrës është një proces korruptiv nga ana e qeverisë dhe bashkisë.
Më 2️⃣5️⃣ prill kemi një detyrim dhe mision ndaj Durrësit, për të nisur rindërtimin e vërtetë, transparent dhe në dobi të banorëve të Durrësit dhe jo sektit të betonit dhe korrupsionit.
Vasil Zaho
Ekonomist
Anëtar i Kryesisë së LSI Durrës