Teshuvah, ndjesëkërkesa rilindiste dhe preferimi i budallallëkut ndaj hipokrizisë

Premte, 18 December 2020 11:29

Nga Genc Pollo

"Unë kam futur për herë të parë kërkesën e faljes nga anëtarët e qeverisë" thoshte Edi Rama para tre ditësh duke shpjeguar dorëheqjen e Sandër Lleshit. Më bëri përshtypje ky pretendim. Jo për shkak të dëshirës të gjithëpranishme të Ramës që të vendosë precedentë kudo. Mbaj mend se në vitet intensive si ministër i arsimit i kam kërkuar ndjesë një kategorie maturantësh, të cilët padashje u defavorizuan në një procedurë; por ky ishte një episod gati i humbur në kujtesë të cilin e rrithirra jo për të denoncuar përvetësimet rilindiste (kam shkruar para një muaji për disa raste syresh) por për të vënë në dukje se, bazuar në kujtesën time e në ndihmën e gugllimit, kërkesa e ndjesës nuk duket fort e pranishme në diskursin publik shqiptar përfshi këtu edhe atë të politikanëve të lartë.
Në këtë periudhë epidemie dhe inaktiviteti relativ gjeta kollaj kohën të hulumtoj mbi pendesën e ndjesën ndërpersonale (në dallim të asaj të njeriut ndaj Zotit), koncepte të pranishme në etosin klasik greko-romak por të zhvilluar thelbësisht në fetë abrahamitike: përzgjodha ndjesën judaike apo teshuvah, e cila mu duk si më e plotë e që përbëhet nga 1) pranoj gojarisht gabimi tim e kërkoj ndjesë; 2) shpreh pendesë të sinqertë e vullnetin për të mos përsëritur gabimin; 3) bëj çfarë është e mundur për të korrigjuar gabimin e për të kompensuar a qetësuar personin e lënduar; 4) veproj ndryshe nëse përsëritet e njëjta situatë. Kështu e përkufizon atë Tora e hebrenjve por edhe versionet e mëvonshme në moralin europian po aty rrahin.
Përkundrejt këtij standarti le të shohim edhe modelin e demonstruar nga qeveria Rama
Para dy muajsh ministri i brendshëm Sandër Lleshaj i tha një deputeti polemizues se "polic ke qenë e polic do të mbetesh!" . Me sa duket i ndikuar nga barcoletat e kohes se Partisë se Punës ku polici, përfaqsues zyrtar por i rëndomtë i pushtetit të frikshëm, shfaqej përherë si kokëtrashë. Më vonë Lleshaj kërkoi falje! Kujt i kërkoi falje ? Policëve që ndodheshin në drejtimin politik të tij dhe që duhen motivuar e bërë të ndjehen mirë e krenarë për punën e tyre në zbatim të ligjit? Policëve në fytyrën e të cilëve ministri shquante vetveten? Jo tamam! Lleshaj shkruajti ne facebook se u kërkoj sinqerisht ndjesë atyre që mund të kenë keqkuptuar thelbin e reagimit tim. Atyre ? Po kujt saktë? Tërë popullit ? Apo atyre brenda policisë që janë më të ndjeshëm se të tjerët?
Prirja për të shmangur ndjesëkërkesën ndaj atyre që ke lënduar nuk filloi me Lleshajn. Në prill 2016 në Kuvend, Ditmir Bushati, asokohe ministër i jashtëm, ulur në bankën qeveritare, hedh ujë me shishe mbi deputetët e opozitës që protestonin para foltores. Më pas, po në facebook, kërkon ndjesë. Kujt? Mbase kolegëve që i "vaditi" edhe pse i paprovokuar personalisht prej tyre? Jo tamam! "...jam i keqardhur për reagimin tim instiktiv....kërkoj ndjesë qytetarëve për faktin se nuk arrita të ruaj gjakftohtësinë..." Tërë pjesa tjetër e postimit, apo gati 95% e tij, flet për farmakun opozitar, Lulzimin që mërzitet nga vetingu, Monikën që saboton integrimin si dhe sinjalizon një sihariq pas dy muajsh lidhur me negociatat me BE (gjithësesi gjëra pa lidhje me temën tonë por informative për kontekstin).
Por modelin e ndjesës rilindiste më rezulton se e ka dhënë shefi i tyre gjashtë vjet më parë: në mars 2014, po në Kuvend, duke ju drejtuar pas polemikës
një deputeti opozitar, Rama i përsëriti disa herë "o rrotë k...!" Të nesërmen në televizion ai deklaroi se nuk ka arsye që t’i kërkojë falje deputetit por i kërkon ndjesë dy herë shqiptarëve për gjuhën e papërshtatshme (dy herë meqë ishte shef qeverie; për të tjerët mjaftonte vetëm një herë - sqaroi ai).
Me siguri ka shembuj të tjerë të ngjashëm nga kjo qeveri por edhe këta më lart mjaftojnë për të kuptuar se ndjesëkërkesa e tyre është larg së qeni një akti i denjë moral. Të paktën në përputhje me teshuvah-n e etikës bashkëkohore. Pretendimi se jemi të parët me ndjesën publike gjithashtu duket një ushtrim PiAri ku kjo qeveri investon pa kut e masë.
Sa më lart nuk është detyrimisht kritikë e rreptë e aq më pak opozitare. Në debatin mbi moralitetin publik duhet të mbajmë parasysh se ata pa mëkate mund të hedhin gurin e parë dhe se shembulli vlen më shumë se predikimi. Por edhe pretendimet e rreme nuk ka arsye pse t'i lemë në qarkullim.
Mendimtarët politikë të para luftës si Mit'hat Frashëri e Branko Merxhani theksonin pa u lodhur nevojën e shëndoshjes morale të popullit shqiptar. Debati bashkëkohor dëften se kjo shëndoshje kalon mes një udhe të gjatë me të përpjeta e të tatëpjeta; me hapa para por edhe pas. Ku çdo shtysë pozitive lipset të mirëpritet.
P. S. Ndjesëkërkesa e Blendi Klosit duket si përjashtimi që konfirmon rregullin rilindist dhe është njëkohësisht më simpatikja syresh. Klosi tha në publik se muzika në bare favorizonte infektimin me covid. Ditën tjetër ai e tërhoqi thënien dhe u kërkoi falje muzikantëve (?!?!). Është e vërtetë se pohimi i parë dhe ai i dytë duken se janë në garë për çmimin “Idioti”. Po për këtë rast Klosit mund t'i thuash budalla por jo hipokrit.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet
18 dhjetor 2020

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...