OKB: Shqipëria, vendi kryesor i hashashit në Europë. Mafia e lidhur njësh me pushtetin

Tuesday, 22 December 2020 09:06

 

Faktet tregojnë se bandat kriminale të drogës janë lidhur me pushtetin dhe politikën, nga ku po investojnë dhe pastrojnë paratë në fushën e ndërtimit, por dhe në zona turistike. Shërbimet sekrete perëndimore janë të shqetësuara se këto banda po bëjnë ligjin në Britani, Itali dhe Holandë ku trafikojnë miliarda dollarë dhe më pas një pjesë të tyre i hedhin për pushtetin në Tiranë që të mos u prish kanalet e drogës, e cila vjen nga Amerika Latine si dhe nga Iraku e Afganistani.

Nuk janë më mediat apo opozita ajo që denoncon problemin e rëndë që Shqipëria ka me drogën, por tashmë dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Një raport i Zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), e rendit Shqipërinë si vendin kryesor të origjinës së hashashit në Europë. Raporti ka analizuar situatën gjatë viteve 2014-2019 dhe arrin në përfundimin se Shqipëria furnizon me hashash gjithë Ballkanin si dhe shtetet kryesore të Europës. Dokumenti i OKB vlerëson se pas operacionit në Lazarat në vitin 2014 kundër drogës, në vitet 2016, 2017, 2018 fenomeni i kultivimit të hashashit përfshiu gjithë vendin. Viti rekord i sasisë së mbjellë dhe tregtuar, sipas OKB, është vitit 2017. “Në 2017 u konstatua dhe kulmi i kapjes së ngarkesave të kanabisit (Për vitin 2017, Shqipëria kapi sasinë e tretë më të madhe të barit të kanabisit në Europë me 19% të totalit europian). Në të kundërt, konfiskimet e barit shqiptar ranë në 20 tonë në 2018 (megjithëse Shqipëria u rendit e shtata për konfiskimet atë vit). Raporti e lidh këtë rënie dhe me uljen e çmimeve të barit të kanabisit që ranë në €100-400 për kg në 2016 dhe €150- 250 kg në 2017. Pas rënies së prodhimit, çmimet filluan të rriteshin sërish në 2018. (€200-700 për kg)”,- thuhet në dokumentin e OKB. Por sqarohet se ky fenomen vazhdon edhe sot.

 

Dokumenti vlerëson se shkak kryesor për përkeqësimin e situatës me drogën është korrupsioni qeveritar, mungesa e ndëshkimit, si mos dhënia e efekteve nga reforma në drejtësi. “Korrupsioni është një problem serioz në Shqipëri, veçanërisht brenda policisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit. Qeveria prezantoi reformat në drejtësi dhe ndryshimet në ligjet për personelin e policisë dhe vetting-un. Sidoqoftë, pavarësisht arrestimeve dhe ndjekjeve ekzistuese të zyrtarëve publikë për marrje ryshfeti, nuk kishte asnjë dënim gjatë periudhës së vëzhguar”, thuhet në raport. Për vitin 2018 dhe 2019 raporti vlerëson se grupet kriminale shqiptare po kalojnë nga kultivimi i hashashit në tregtinë e kokainës. Grupet kriminale shqiptare vlerësohen si organizata që kryejnë kalimin tranzit të drogës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës. Raporti thotë se grupet kriminale të shtetasve shqiptarë kanë fituar rëndësi në trafikun ndërkombëtar të kokainës në një numër vendesh të tjera europiane vitet e fundit, duke përfshirë Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Zvicrën, Belgjikën dhe Austrinë. Të dhënat e OKB japin një pamje të plotë të asaj që ka ndodhur në këto vite në Shqipëri. Droga nuk ka qenë vetëm një fenomen i izoluar i disa grupeve kriminale, por një strategji e qeverisë për të lejuar kultivimin e saj në masë. Mos ndëshkimi i bandave kriminale dhe lidhjet e saj me politikën janë e dhëna kryesore që fajëson direkt qeverinë. Deri më sot, Edi Rama dhe gjithë Rilindja i ka cilësuar akuzat për drogën si sajesa të medias vendase dhe të huaj, si dhe akuza të opozitës. OKB nuk është një institucion që bazohet te media dhe aq më pak të opozita. Raporti i OKB është një radiografi e kriminalizimit të shtetit shqiptar nën qeverisjen e Rilindjes lënien e vendit në dorë të mafies. Jo rastësisht kulmi i kultivimit të drogës ka arritur në vitin elektoral 2017. Paratë e dogës u përdorën për vjedhjen e zgjedhjeve dhe korruptimin e gjithë segmenteve të shtetit. Raporti nuk flet për vitin e fundit, por jep të dhëna për atë që ka ndodhur. Shqetësues mbetet fakti se nga mbjellja e hashashit, grupet kriminale shqiptare kanë hyrë në një biznes edhe më të madh, siç është ai i trafikut të kokainës. Nëse më parë mbjellja e hashashit solli miliona për pushtetin, trafiku i kokainës është një biznes me miliarda euro dhe interesat e mafies politike nuk mund të jenë jashtë kësaj pjese. Këto para nuk ushqejnë vetëm grupet kriminale, por duket se po mbajnë në këmbë dhe pushtetin antiligjor që drejton sot vendin.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Politikë

Onelda Zefi: Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin do ta bente "Kombiart".

Nga Onelda Zefi: Vendoset veto ne lulishten e vetme qe ka ngelur ne zonen e Parafabrikateve tek Rr:Llambi Bonata ne Kombinat. Shikoni sesi Lali Eri vazhdon te tallet me Kombinatin te Cilin...

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Politikë

Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.

Nga Tritan Shehu: Konferenca Anestezi-Reanimacionit, paraqitje arritjesh e perspektivash profesionale e shkencore.Prej dy ditesh ne Hotel “Tirana” po zhvillon punimet, e ndare ne dy auditore, Konferenca e Pare Nderkombetare, njekohesisht dhe...

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Sport

'Drejt Gjermanisë', UEFA publikon disa nga fotot më ikonike të Shqipërisë

Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në historinë e saj, në një kampionat Europian.   Kuqezinjtë i mbyllën kualifikueset në vendin e parë, duke lënë pas kombëtare të forta si Çekia...