Hije skandali me trojet e godinave që po shemben pas tërmetit!

Hënë, 28 December 2020 11:47

 

Shkolla në qendër të Pezës e shembur me bujë nga Erion Veliaj në 2 dhjetor 2019, nuk do jetë më aty ku ka qenë gjithmonë. Sheshi është bosh dhe sot e kësaj dite, ndërsa banorët hedhin dyshime se trualli po tjetërsohet dhe shkolla do ndërtohet në një fshat tjetër 3 kilometra më tutje. Në Durrës, ata qytetarë që kanë blerë shtëpi verore në zonën e plazhit apo dhe banesë duhet të spostohen tek ish-UMB në periferi të qytetit. Në kombinat, qytetarëve që presin t’u shemben banesat u refuzohen kontratat dhe ata s’e dinë ku do përfundojnë. Çfarë po ndodh me trojet e godinave të shembura, dhe përse qeveria nuk i rindërton aty ku ato kanë qenë më parë?

Shkolla me emrin “16 shtatori” që ndodhet në qendër të Pezës, e rikonstruktuar jo shumë kohë më parë nuk do jetë më në vendin ku ka qëndruar gjithmonë në qendër të fshatit. Ajo u shemb me pretekstin e rindërtimit, dhe gjimnazistëve tashmë do u duhet të udhëtojnë rreth 3 kilometra më tutje në fshatin Pajan për të ndjekur mësimet.

Që pas shembjes, trualli ka mbetur bosh, ndërsa banorët thanë për MAPO, se trualli po tjetërsohet duke u sjellë banorëve atje një dëm jo të vogël. Sipas tyre, fshati që është përzgjedhur për të ndërtuar shkollën është thuajse i braktisur dhe fëmijët e këtij fshati ndiqnin shkollën në Pezë, për shkak se shkolla atje ishte mbyllur.

Vetë nxënësit e Pezës aktualisht, ndjekin mësimin rreth një kilometër më tutje. Shkolla e Pezës ishte ndër të parat që u shemb, që më datë 2 dhjetor të vitit të kaluar dhe në këtë proces mori pjesë vetë Erion Veliaj. Banorët thanë se shkolla nuk kishte dëmtime të mëdha dhe vendimi për prishjen e saj në atë kohë i kishte habitur.

Por tashmë kur kanë kaluar më shumë se një vit nga shembja, ende sheshi është bosh, dhe çka është më e keqja akuzat se trualli po tenton të tjetërsohet, mund ta lërë një nga fshatrat më të mëdha të Tiranës pa gjimnaz.

Kombinati

E megjithatë duket se një hije korrupsioni po ndodh gjithkund me sheshet e zbrazura nga shembjet e godinave, dhe shkolla e Pezës nuk është e vetmja. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka ngritur disa herë këtë shqetësim, më i fundit në zonën e kombinatit. Në fakt pallatet që janë vendosur për t’u shembur në këtë zonë kanë pak ose aspak dëmtime. Megjithatë banorët prej gati një viti, janë nxjerrë nga shtëpitë. Duhet të sqarojmë diçka. Trojet që dalin nga rindërtimi janë të pastruara nga barrat hipotekore apo pretendimet e pronarëve.

Vlera e punimeve për rindërtimin në pallatet e kësaj zone sipas një tenderi të zhvilluar është rreth 68 milionë euro, për 55 pallate që pritet të shemben atje. Janë pallate të ndërtuara para viteve ‘90, dhe shuma prej më shumë se rreth 1.2 milion euro për një pallat pesëkatësh është disi e ekzagjeruar. Sipas asaj çka na thanë banorët atje, ende nuk u janë njohur banesat që janë kthyer në njësi biznesi, jo vetëm ato që janë adaptuar por edhe ato që kanë qenë para ‘90-ës të tilla dhe më pas janë privatizuar.

Në projekt-planin e prezantuar për këtë qëllim, jepet qartë se ndërtesat që do të ndërtohen janë shumëkatëshe dhe e tejkalojnë sipërfaqen që banorët kanë atje aktualisht. Edi Rama ishte javën e kaluar në kombinat, ku tha shprehimisht se gjithsecili prej tyre do marrë aq truall sa ka pasur. Në një përllogaritje të thjeshtë, shtëpitë aktuale të banorëve në kohën e diktaturës nuk ndërtoheshin më shumë se 80 metra katrorë, dhe një ndërtesë 10-katëshe duke përshtatur dhe sheshpushimet apo shfrytëzime të hapësirave të tjera të lira, sipas arkitektëve të pyetur nga MAPO, mund të ngrihet një ndërtesë që të plotësojë familjet e pesë pallateve ekzistuese.

Pjesa tjetër mund të përdoret fare mirë për biznes. Por ekziston mundësia që jo pak prej familjeve të zhvendosen në një zonë tjetër, dhe në vendin ku ata kanë pasur shtëpinë të ngrihen ndërtesa për biznes.

Durrësi

I njëjti problem është hasur dhe në Durrës. Për shembull për rindërtimin e pallateve në zonën e plazhit, është vendosur një truall diku pranë ish-UMB në Shkozet, e cila deri më tani mund të ketë disa ndërtime informale, ose është bosh. Vendi sipas fotove që shoqërojnë vendimin e Këshillit Bashkiak të datës 3 mars 2020, është dukshëm larg nga plazhi, ndoshta 2 apo 3 kilometra. Duhet të theksojmë diçka.

Në zonën e plazhit nuk janë vetëm banorët e Durrësit që kanë blerë shtëpi, por mjaft të tjerë nga qytete të tjera si Tirana që i përdorin këto apartamente si shtëpi verore apo për fundjavë. Pallatet e dëmtuara janë kryesisht të viteve të fundit, dhe ndodhen në brezin e parë ose të dytë të bregut.

E megjithatë askush s’di të thotë se çfarë do bëhet me trojet që do zbrazen nga shembja e pallateve. Kujt do i kalojnë ato dhe kush do përfitojë prej tyre. Eksperienca ka treguar se në momentin që kalohet në pronë shtetërore del gjithmonë dikush që e privatizon për interesa biznesi, si ndërtime apartamentesh për rishitje apo hotel. Ndërkohë që vlera e një apartamenti në plazh nuk është e njëjtë me vlerën e një apartamenti në periferi të Durrësit.

Shijak

Edhe në Shijak po ndodh i njëjti fenomen. Sheshe që zbrazen dhe pallate që shemben dhe përqendrohen vetëm në një zonë. Ndërtesat që u shpallën të pabanueshme ndodheshin ose në qendër të Shijakut, ose në afërsi të saj. Por rindërtimi i 30 pallateve që u shembën do bëhet në lagjen lugina. Askush s’e di se sa do përfitojë, por ajo që dihet është se dy katet e para të pallateve shtatë apo tetëkatësh do i kalojnë bashkisë së qytetit për nevojat e saj.

Janë përgjithësisht njësi shërbimi. Sa për trojet e mbetura bosh, nuk është ndonjë çudi që dhe aty të shfaqen individë që i marrin ato falas nëpërmjet gjithfarë artificash ligjore. Ky fenomen po shfaqet ngado. Madje më herët Erion Veliaj u akuzua se po përdorte truallin e shkollës “Sami Frashëri” për të ndërtuar pallate. Më datë 28 tetor në hipotekë dolën një listë pronarësh të saj.

U desh një denoncim i opozitës që Veliaj të tërhiqej nga ky vendim. Në Kavajë, në Fushë-Krujë e ngado, po përdoren trojet e periferive për të ngritur lagjet e të shpërngulurve nga rindërtimi, por askush s’di të thotë se ç’do bëhet me hapësirat e lëna bosh nga e gjithë kjo që po ndodh. Duke parë pasionin e qeverisë Rama dhe Bashkisë së Tiranës për ndërtimin, mund të hidhen dyshimet se mund të përdoren në këtë biznes. Por gjithsesi këto mbeten vetëm hipoteza, të paktën deri më 25 prill./Mapo

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...